“Zbulohet” plani A dhe plani B kundër Kosovës/ Bytyçi tregon skenarin e tmerrshëm kundër shqiptarëve

Politika

“Zbulohet” plani A dhe plani B kundër Kosovës/ Bytyçi tregon skenarin e tmerrshëm kundër shqiptarëve

Nga: N.Sh Më: 16 gusht 2021 Në ora: 16:50
Harta e Kosovës

Shqipëria-Serbia dhe Maqedonia javë më parë nënshkruan një marrëveshje e cila është e ngjashme me “Minishengenin Ballkanik”.

“Open Ballkan”, është emri i ri i kësaj strategjie serbe-ruse ku u përfshi edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Rama së bashku me presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe atë maqedon Zoran Zaev, në Shkup nënshkruan këtë marrëveshje e cila ka të bëjë me lëvizjen e lirë të mallrave.

Këtë marrëveshje Kosova e refuzoi madje edhe e kritikoi ashpër.

Profesor dr. Enver Bytyçi, ka folur për këtë marrëveshje dhe për shpërndarjen e miliona dollarëve nga Millosheviqi në vitin 1997 për të paguar shërbëtorët e Serbisë në Kosovë e Shqipëri.

Ai thotë se me këto mjete u paguan edhe media të asaj kohe, e që sot e prej shumë vitesh janë në krah të Edi Ramës.

Image
Profesor dr. Enver Bytyçi

“Kur në vitin 1997 shpërthyen anarkia dhe revoltat e dhunshme në Shqipëri, qeveria serbe e Milloshevicit kishte akorduar për destabilizimin e vendit tonë 19 milion dollarë amerikane. Kjo ishte shifra zyrtare e dhënë në parlamentin e Serbisë, ndërkaq kjo shumë duhet të ketë qenë shumë herë më e madhe. Me këto para u paguan shërbëtorët e Serbisë në Tiranë, por edhe disa në Prishtinën e okupuar nga ushtria dhe policia serbe. U pagua edhe media për të nxit dhunën e anarkinë në vend. Zërat mediatikë të asaj kohe kanë dëshmuar vetë më shkrimet e tyre për pagesat që kanë marrë. Unë njoh personalisht një medie që aso kohe konsiderohej e djathtë dhe bashkëpunonte me agjenci të ndryshme në Beograd. Të tilla medie sot e prej shumë vitesh janë në krah të Edi Ramës!”, shprehet Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, tani rrethanat janë të ndryshme nga ato të vitit 1997, por mjetet, qëllimet, projektet serbe për destabilizimin e botës shqiptare nuk kanë shteruar.

“Sot Beogradi ka të rekrutuar për ta destabilizuar Shqipërinë dhe Kosovën vetë kreun e ekzekutivit të Shqipërisë, Edi Ramën. Duke e njohur karakterin e tij mosbesues, i kanë vënë roje Baton Haxhiun. Ky i fundit kishte rol të caktuar edhe në vitin 1997, ndërsa sot mban lidhjet e koordinon projektet e destabilizimit të Kosovës, Shqipërisë e rajonit midis Beogradit e Tiranës zyrtare”, shprehet ai.

Profesori thotë se, destabilizimi vjen kryesisht nëpërmjet përçarjes.

“Beogradi do të donte të nxiste konflikt midis komuniteteve fetare në Shqipëri e në Kosovë. Por mesa duket kanë shpresë se do të mund ta ndezin konfliktin e luftën civile ndër shqiptarët përmes përdorimit të politikës. Edi Rama shihet se luan rolin vendimtar në këtë skenar. Ai është armiqësuar më shumicën dërmuese të politikanëve të Shqipërisë dhe thuajse me të gjithë politikanët e liderët e Kosovës, përveç ish-presidentit Hashim Thaçi. Rama dhe Thaçi, së bashku me Baton Haxhiun përçanë skenën politike të Kosovës me idenë e ndryshimit të kufijve”, thekson Bytyçi.

Ndërsa, sipas tij, tani kryeministri i Shqipërisë ka përçarë Kosovën me qeverinë e tij, por jo me Shqipërinë.

“Kjo përçarje dhe luftë e hapur që Edi Rama po bën edhe këto ditë kundër Albin Kurtit, kundër ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe politikanëve të tjerë në Kosovë është qëllim dhe objektiv i Serbisë. As fantazisti më optimist serb nuk e kishte parashikuar se do të vinte një ditë e dy shefat e ekzekutivit të Shqipërisë e të Kosovës do të ishin në vijat e përballjes me njëri-tjetrin. Asnjëri prej tyre nuk ka menduar se një ditë kryeministri i Shqipërisë do të bëhej vasal i bindur i presidentit të Serbisë”, thekson ai.

Profesori pohon se, qëllimi përfundimtar i Aleksandër Vuçiq është krijimi i Jugosllavisë së re, në të cilën Kosova të jetë pjesë e Serbisë.

“Ky është plani A. Këtë plan e mbështet pa rezerva kryeministri Rama. Plani B është të ndahet Kosova. Kjo synohet të arrihet përmes projekteve për asociacione e statuse special për qytete e zona të ndryshme në Kosovë, deri në Shtërpcë. Fillimisht defunkasionalizimi i shtetit të Kosovës, pastaj arritja e një ujdie për ndarjen e territorit të saj”, thotë profesori i cili shton se, për të arritur në këtë pikë fundore, Beogradit i duhet t’i përçajë shqiptarët.

“Nëse udhëheqësit shqiptarë në Tiranë, në Prishtinë e kudo në Ballkan do të mendonin njësoj dhe do t’i përmbaheshin një projekti të vetëm për forcimin e shtetësisë së Kosovës, të jeni të bindur se Serbia do të ishte dorëzuar tashmë dhe do ta kishte pranuar pavarësinë e saj. Por jemi në situatën e favorshme për Serbinë, kur dy kokat e ekzekutivit përballen me njëri-tjetrin, në vend që të dy këta të ishin në të njëjtën anë për t’u përballur me Serbinë post Millosheviq të Aleksandër Vuçiq. Njëra kokë, koka e Edi Ramës, është bërë bashkë me kokën e Vuçiq dhe godasin me forcë e pamëshirshëm kokën tjetër të shqiptarit Albin Kurti. Pra, qeveria e Shqipërisë është bërë palë me Serbinë kundër Kosovës! Ky është një realitet i dhimbshëm, por ne duhet të shkruajmë të vërtetat, edhe kur ato janë të hidhura”, pohon ai.

Bytyçi vlerëson se, përçarja ka qenë arma më e preferuar e Beogradit për t’i mundur shqiptarët në të gjitha kohët.

“Përçarja është nxitur me para, me joshje, me kërcënime më pas. Serbët dinë ta studiojnë mirë natyrën dhe karakterin e njerëzve që përdorin në Shqipëri. Adresohen te politikanët perversë, të cilët nuk kanë asnjë ndjesi për atdheun, për familjen, për vendlindjen, për prindërit, për fëmijët, për vendin ku jeton. Një i tillë është p.sh Edi Rama. Pasi e cekuan atë po e përdorin shumë lehtësisht e madje marrëzisht kundër interesave të Shqipërisë e sidomos të Kosovës. Politikanët perversë janë të predispozuar të shohin gjithmonë interesin personal, jo interesin e vendit e të qytetarit. Radio DW thoshte se Edi Rama niset nga interesat e tij personale në marrëdhëniet e tij me Aleksandër Vuçiq. Me rëndësi është që shqiptarët të krijojnë një front të përbashkët kundër Serbisë dhe kundër Edi Ramës. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtojmë nga planet ogurzeza të Beogradit”, përfundon prof. Dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat