Pse SHBA-ja zgjodhi Kosovën për ta ndihmuar për afganët? Flet profesori amerikan

Politika

Pse SHBA-ja zgjodhi Kosovën për ta ndihmuar për afganët? Flet profesori amerikan

Nga: A.Zh Më: 18 gusht 2021 Në ora: 22:25
Daniel Serwer

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka komentuar për bashkëpunimin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për strehimin e refugjatëve afganë, të cilët po ikin nga ardhja e regjimit taleban në Afganistan.

Serwer ka thënë për gazetën “Bota sot”, se vendimi i Kosovës për këtë çështje, i jep asaj një mundësi për të treguar bujarinë ndaj SHBA-së, e cila ka ndihmuar Kosovën në të kaluarën.

“Është i dobishëm për SHBA dhe i jep Kosovës një mundësi për të qenë bujare, pasi të tjerët kanë qenë bujarë me Kosovën në të kaluarën”, ka thënë ai.

Eksperti amerikan ka thënë se institucionet e Kosovës do të vendosin vet se sa afganë do të pranojnë, teksa ka treguar arsyen se pse SHBA zgjodhi Kosovën për ta ndihmuar në këtë çështje.

“Kosova do të duhet të vendosë vetë se sa afganë mund të marrë, por Kosova ishte një zgjedhje e natyrshme duke pasur parasysh historinë e saj”, është shprehur më tej ai.

Serwer parasheh që çështja në fjalë do të ndikojë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

“Do të jetë e dobishme, për sa kohë që menaxhohet mirë”, ka theksuar profesori Daniel Serwer për “Bota sot”.

Ndryshe, gjatë ditës, gjenerali, njëherësh njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë Ramadan Qehaja, ka treguar lokacionet se ku do të mund të vendosen refugjatët nga Afganistani në Kosovë.

“Vlerësime se sa mund të jetë kapaciteti ynë për vendosjen e afganëve, unë nuk kam bërë, por kujtoj se një numër i tyre mund të pranohet dhe vendoset në ish-kampet ushtarake të KFOR-it e gjetiu në territorin e Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat