Serbia kërcënoi Kosovën, vjen paralajmërimi, ja çfarë e pret atë

Politika

Serbia kërcënoi Kosovën, vjen paralajmërimi, ja çfarë e pret atë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 19 gusht 2021 Në ora: 17:17
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Situata në Afganistan ka alarmuar edhe Kosovën. Kjo, pasi që menjëherë pas largimit të forcave ndërkombëtare nga ky shteti i lindjes së mesme, janë aktivizuar nacionalistët serb që ta kërcënojnë Kosovën.

Por, si duhet këto do të mbesin ëndrra të paralizuara, pasi një situatë e tillë nuk mund të ndodhë në Kosovë, pasi që ka dallime të shumta ndërmjet ngjarjeve në Afganistan dhe në Kosovë.

Sipas ekspertëve të sigurisë, Kosova është në interes të Evropës dhe Amerikës në aspektin gjeostrategjik.

Gjithashtu, ata kanë përmendur se cilat janë interesat e Serbisë në Kosovë.

Shala: Për këtë arsyeje dallojnë ngjarjet në Kosovë dhe Afganistan

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se cili është dallimi ndërmjet ngjarjeve në Kosovë dhe në Afganistan.

“A mund të kemi raste të tilla edhe në Kosovë nëse do të largohen trupat e NATO-s, respektivisht trupat amerikanë nga Kosova? Unë mendoj që ngjarjet në Afganistan me Kosovën dallojnë për një arsyeje të vetme, se në Kosovë respektivisht komunitetet që jetojnë këtu e pranojnë qëndrimin e forcave ndërkombëtare të sigurisë e jo si në Afganistan që pjesa më e madhe e qytetarëve ishin kundër “invazionisteve” të ardhur nga bota krishtere, ky ishte edhe narracioni i krijuar nga talibanët të popullata e gjerë”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Shala ka treguar se çfarë leksioni duhet të nxirret nga Afganistani.

“Por a duhet të nxjerrim leksione nga Afganistani, unë vlerësoj që po! Sepse parametrat për të funksionuar dhe ekzistuar si shtet në këto 20 viteve të fundit në Kosovë disi kanë mbetur vetëm në letër të shkruar, por assesi të implementuara 100 % në terren”, ka vlerësuar ai.

Më tej, Shala i ka dhënë disa udhëzime për institucionet e Kosovës.

“Arsyeja qëndron që institucionet e Kosovës duhet të veprojnë në dy nivele, atë politik dhe në atë profesional të ngritjes se kapaciteteve të brendshme të sigurisë por edhe atyre të mbrojtjes në rast që në një periudhë të afërt 10 vjeçare do të ketë përfundim të misionit të NATO-s në Kosovë, sepse çdo mision e ka një fillim dhe një mbarim dhe në duhet të jemi gati që në momentin e mbarimit të kemi të ngritura gjitha kapacitetet tona të sigurisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, politika nacionaliste e Serbisë është e orientuar në mbylljen e misionit të NATO-s në Kosovë.

“Sepse politika nacionaliste e Serbisë është e orientuar në mbylljen e misionit të NATO-s në Kosovë në njërën anën dhe në anën tjetër pengimin e ndërtimit institucional të Kosovës në fushën e brendshme dhe në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Drizan Shala për gazetën “Bota sot”.

Halimi: Përballja e Serbisë ndaj Kosovës do të ishte pafavorshme për të

Image
Armend Halimi

Ndërkaq, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), ka treguar dy arsye për ata që e krahasojnë rastin e Kosovës me atë të Afganistanit

“Afganistani është i pakrahasueshëm me Kosovën. Ata që nxjerrin analogji mes këtyre dy vendeve ose e bëjnë për nga naiviteti ose qëllimi i keq”, ka vlerësuar ai.

Më tej, ai ka shpjeguar se pse situata në Kosovë dhe në Afganistan është e ndryshme.

“E para e punës, burimi i luftës në Kosovë dhe Afganistan është i ndryshëm krejtësisht. Gjersa atje kemi luftë civile, mes dy palëve të nacionalitetit thuajse krejtësisht të njëjtë, këtu kemi pasur agresion të jashtëm, pra kryerje të gjenocidit nga një shtet tjetër ndaj një popullsie të një vendi të okupuar”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Halimi ka treguar dallimet ndërmjet internimeve që janë bërë në Kosovë dhe atyre në Afganistan.

“E dyta, gjenocidi serb në Kosovë ka aktivizuar tërë arenën ndërkombëtare, njëherësh si reagim i organizuar brenda OKB-së dhe ombrellës së NATO-s, kjo e fundit si ndër aleancat më të fuqishme ushtarake në botë. Ndryshe, intervenimi në Afganistan, për të cilin nuk ishte bota kompakte aq sa me rastin e Kosovës, me ç'rast kishim të bëjmë me një aleancë vetëm mes disa shteteve, sigurisht që Amerika në dy rastet si prijëse, por që investimi në Kosovë, për veç atij amerikan është edhe shumë i madh evropian”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, Kosova është në interes të Evropës dhe Amerikës në aspektin gjeostrategjik.

“Në aspektin gjeostrategjik, Kosova ka fatin që është në interes të Evropës dhe Amerikës, çka rikthimi i gjendjes së saj të para 21 viteve, është destabilizim i rrjedhave edhe evropiane”, ka theksuar Halimi.

Më fund, ai ka treguar arsyet se pse përballja e Serbisë ndaj Kosovës do të ishte e pafavorshme për të.

“E treta dhe me e pakta e mundshme, edhe sikur Kosova të lihej në forcat e saja në përballje me agresionin e jashtëm, dihet fare mirë që edhe si popull me organizim jo çfarë kemi sot, kemi ditur dhe mundur t`i bëjmë ballë Serbisë, lëre më në ditët e sotme që një përballje e tillë do të ishte më e pafavorshme për Serbinë”, ka përfunduar Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat