“Plani A” i BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin/ Paralajmërohet presion i fortë diplomatik ndaj Kosovës

Politika

“Plani A” i BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin/ Paralajmërohet presion i fortë diplomatik ndaj Kosovës

Nga: A.Zh Më: 25 gusht 2021 Në ora: 22:38
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama; foto ilustrim nga "Bota sot"

Nisma “Ballkani i Hapur” (Open Balkan), ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, është bërë shkak i polemikave të shumta në rajon. Kjo pasi Kosova, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk kanë pranuar t’i bashkohen projektit të ideuar nga Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiq.

Lidhur me refuzimin e Kosovës dhe dy vendeve tjera, ka folur për “Bota sot” ish-diplomati britanik në Bosnje e Hercegovinë Timothy Less. Ai ka renditur dy arsye se pse këto tri shtete nuk iu bashkuan “Ballkanit të Hapur”.

“Arsyeja është se ato e shohin atë si një mjet për dominimin e Serbisë e cila, si shteti më i madh dhe më i fuqishëm në rajon, do të luajë në mënyrë të pashmangshme rolin udhëheqës në “Ballkanin e Hapur”. Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi gjithashtu dyshojnë se BE do ta përdorë projektin si pretekst për t'i dhënë fund procesit të zgjerimit në Ballkan”, ka thënë Less.

Mirëpo, sipas tij, Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi mund të mos jenë në gjendje të qëndrojnë jashtë “Ballkanit të Hapur” përgjithmonë, për shkak të “Planit A” të BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin.

“Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi mund të mos jenë në gjendje të qëndrojnë jashtë përgjithmonë. Me shkatërrimin e zgjerimit, krijimi i një njësie ekonomike rajonale tashmë po shfaqet si “Plani A” i BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin. Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë sugjeruar gjithashtu se ato do t'i japin rolin drejtues Komisionit Evropian në “Ballkanin e Hapur”, i cili ndoshta do ta bashkojë atë me nismën e tij paralele për krijimin e një bashkimi doganor rajonal”, ka theksuar më tej udhëheqësi i projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridge.

Ai parashikon që të tri vendet mund të vihen nën presion të fortë diplomatik për t'u bashkuar “Ballkanit të Hapur”, pasi ato rrezikojnë izolimin.

“Pyetja për Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi do të jetë atëherë nëse do t'i bashkohen projektit apo rrezikojnë izolimin duke qëndruar jashtë. Ndërkohë, ato ka të ngjarë të jenë nën presion të fortë diplomatik për t'u bashkuar me “Ballkanin e Hapur”, nga BE dhe SHBA, dhe nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”, ka thënë Timothy Less për “Bota sot”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar këtë nismë, duke thënë se “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët për vendet e rajonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat