Kandidatët për kryetarë komunash, me akuza e dënime, si duhet të veprohet ndaj tyre?

Politika

Kandidatët për kryetarë komunash, me akuza e dënime, si duhet të veprohet ndaj tyre?

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 26 gusht 2021 Në ora: 08:19
Foto ilustrim

Javën e kaluar, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka publikuar emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave të cilët kanë probleme me ligjin.

IKD ka gjetur se gjithsej nëntë (9) kandidatë nga partitë politikë, si Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë shkelur ligjin.

Sipas këtij raporti, partitë të cila kanë më së shumti kandidatë që kanë probleme me ligjin është PDK-ja dhe AAK-ja (3 kandidatë), pastaj vjen VV-ja(2 kandidatë) dhe Nisma (1 kandidatë).

“Një (1) kandidat i cili në tri (3) vitet e fundit ka dënime të formës së prerë, një (1) kandidat me një dënim më të vjetër se tri (3) vite derisa nëntë (9) kandidatë të tjerë janë duke u ballafaquar me aktakuza aktive”, thuhet në njoftimin e IKD-së.

Kurse, këta janë kandidiatët që kanë probleme me ligjin: Faton Jakupi, Rrustem Berisha, Zenun Elezaj (AAK), Murtez Zekolli, Sami Lushtaku, Sokol Bashota (PDK), Mimoza Kusari Lila, Valon Ramadani(VV) dhe Zafir Berisha (Nisma).

Ndërkaq, njohësit e çështjeve juridike dhe politike, kanë komentuar për gazetën “Bota sot” këto të gjetura të IKD-së.

Sipas tyre, partitë politike do të duhej që të mos i përshinin në listat e tyre kandidatët që kanë probleme me ligjin.

Ata deklarojnë se tani është në dorë të Komisionit Qendror Zgjedhor që të bëjnë pastrimin e këtyre listave.

Lista e kandidateve duhet të spastrohen

Profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se ata që kanë rënë në kundërshtim me ligjin, nuk duhet të konkurrojnë fare në zgjedhjet lokale.

Image
Muhamet Kelmendi

 

“Nuk ka dilemë se ata që kanë rënë në kundërshtim me ligjin nuk duhet të konkurrojnë fare në zgjedhjet lokale. Është detyrë e KQZ-së që të marrin masa dhe të gjithë ata që kanë probleme me ligjin të nxirren nga lista e votimit. Në këtë anë nuk ka rëndësi fare se të cilës parti politike i takon kandidati dhe kush janë ata që po konkurrojnë. Ata duhet të largohen nga lista”, ka thënë ai.

Po ashtu, Kelmendi ka theksuar se partitë politike është dashur t’i pastrojnë listat e tyre.

“Në fakt, këtë punë është dashur partia për kandidatet e vet të bëjë dhe të spastrojë listën e vet. Këtë nuk e ka bërë partia. Tash i mbetet KQZ-së të spastrojë listat e kandidatëve. Kosovës i duhet një pushtet lokal me kandidatë të përgatitur, të aftë dhe profesionalisht në nivel. Nuk lejohet që ata të jenë shkelësit e ligjeve në fuqi. Pushteti lokal ka rëndësi të madhe. Aty realizohen të drejtat dhe detyrat e qytetarëve. Me pushtet lokal ballafaqohet qytetari. Andaj kërkohet organe funksionale dhe jo kriminale”, ka deklaruar Kelmendi për ”Bota sot”.

Kandidatët e Kriminalizuar për kryetarë të Komunave

Në anën tjetër, profesori Milazim Maraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka komentuar të gjeturat e IKD-së.

“A do të kemi përsëri pushtet lokal të kriminalizuar? Kjo është njëra nga pyetjet që sillet tani posa ka filluar gara e pa shpallur për pushtetin lokal. Instituti i Kosovës për drejtësi (IKD) ka publikuar të gjeturat që disa parti politike të Kosovës kanë filluar këtë garë me kandidat që kanë probleme me ligjin”, ka thënë ai.

Image
Milazim Maraj

 

Gjithashtu, Maraj e ka quajtur gabim futjen në garë të këtyre personave që kanë probleme me ligjin.

“Shkelja e ligjit të Kosovës është krim individual, kurse futja në listë e kandidatit që ka probleme më ligjin është gabim kolektiv. Futja në garë më këta kandidat është plan i gabuar i këtyre partive politike. Kur bëhet gabim në plan, do të thotë planifikim për dështim. Por këtu nuk dështon vetëm subjekti por institucioni dhe Kosova në përgjithësi. A do të votohen këta kandidat varet nga numri i votuesve të varur nga krimi”, është shprehur ai.

tej, Maraj ka theksuar se këta persona nuk duhet të certifikohen nga organet kompetente.

“Andaj organet kompetente nuk duhet t’i certifikojnë këto kandidatura. Liberalizimi i vizave në Kosovë nuk është bërë pikërisht për shkak të shkallës së lartë të kriminalitetit. Subjektet tona politike përsëri më kandidatë që kanë probleme më ligji. Kujt po i shërbejmë? A do ta akuzojmë BE përsëri që po e mban Kosovën të izoluar? A do të thotë kjo që këto parti nuk kanë kandidatë të pastër, që nuk kanë probleme më ligjin? Apo nuk po e kuptojmë që kjo është një pasqyrë që tregon shkallën e lartë të kriminalitetit në Kosovë? “, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, KQZ nuk duhet t’i mbyll sytë para këtyre dukurive që krijojnë rrethana të pa favorshëm për vendin.

“Bazuar në të gjeturat e publikuara PDK-ja dhe AAK-ja kanë hyrë në garë më nga tre kandidat që kanë probleme më ligjin. LVV ka hyrë në këtë garë më dy kandidat që kanë probleme më ligjin dhe Nisma më një kandidat që ka probleme më ligjin. Ta pyesim vetën një herë ku jemi nisë? KQZ nuk duhet të mbyll sytë para këtyre dukurive të rrezikshme, që krijojnë rrethana të pa favorshëm për vendin, që vrasin besimin e popullit për Kosovën shtet ligjor. Që vrasin besimin e BE dhe SHBA për Kosovën shtet që udhëhiqet nga ligji dhe e drejta”, ka theksuar Maraj.

Në fund, ai ka vlerësuar se nuk është veprim i mençur votimi i kandidatit të tillë për të udhëhequr shtetin.

“Fitorja eventuale e këtyre kandidatëve do të konfirmojë edhe njëherë para botës së civilizuar se Kosova ende nuk ka botëkuptimin për shtet stabil, që garanton stabilitet në Gadishullin Ilirik dhe në Evropë. Kush do të bashkëpunojë më këta kandidatë që kanë rënë në kundërshtim më ligjin e shtetit të vet. Nuk është veprim i mençur votimi i kandidatit të tillë për të udhëhequr shtetin. Të korrigjohemi sa nuk është vonë”, ka përfunduar Maraj për “Bota sot”.

Ndryshe, KDI nuk ka raportuar ndonjë kandidat nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që ka probleme me ligjin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat