Dialogu me Serbinë/Kur do të mbahet takimi i radhës dhe cilat tema mund të diskutohen?

Politika

Dialogu me Serbinë/Kur do të mbahet takimi i radhës dhe cilat tema mund të diskutohen?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 gusht 2021 Në ora: 19:09
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq

Dialogu me Serbinë ka vite që është duke vazhduar dhe ende nuk ka një përfundim me një marrëveshje finale në mes të dyja vendeve.

E pas dy takimeve të zhvilluara, nuk dihet se kur do të mbahet takimi i radhës në Bruksel.

Presidenti serb, Aleksadër Vuçiq, ka bërë të ditur se nuk ka marrë ftesë ende, por nëse merr, do të shkojë.

E Qeveria e Kosovës nuk dihet nëse ka marrë ftesë apo akoma jo.

“Bota sot” ka dërguar pyetje lidhur me këtë temë për Qeverinë e Kosovës por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Analistët vlerësojnë se kurdo që të mbahet takimi, nuk do të prodhojë asgjë.

Qarri: Ndërmjetësuesve të BE-së, u ka hasur sharra në gozhdë shkaku i arrogancës së Vuçiqit, për takimin

Image
Gani Qarri

Analisti politik, Gani Qarri, në një përgjigje për “Bota sot”, shprehet se mes këtyre dy vendeve takimet janë shndërruar në rutinë pasi nuk po ka asnjë përfundim.

Madje, ai thotë se Vuçiq merr pjesë në bisedime për ta shfaqur hipokrizinë e tij hegjemoniste, sikur Kosova për të ende nuk është shtet dhe gjoja "vazhdon" të mbetet nën pushtimin serb.

“Në fakt takimet në Bruksel ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq janë kthyer në takime rutinë, ku përveç pjesëmarrjes, që po përdoret vetëm si arsyetim për "vijimësinë" e dialogut, nuk është shënuar asnjë rezultat i miratimit apo arritjes së cilësdo marrëveshje konkrete ndërmjet dy vendeve negociuese Kosovës dhe Serbisë. Për aq më tepër, trajtimi i Republikës së Kosovës në pozitë të barabartë në tryezën e bisedimeve me Serbinë, si dy shtetet të pavarura, shihet se ka filluar ta pengojë aq shumë ish ministrin e informatave të Sllobodan Millosheviqit, në vitet e okupimit të Kosovës, nga Serbia, dhe presidentin aktual serb Aleksandër Vuçiq, sa që ai duket se edhe sot shkon në bisedime vetëm për ta shfaqur hipokrizinë e tij hegjemoniste, sikur Kosova për të ende nuk është shtet, dhe gjoja "vazhdon" të mbetet nën pushtimin serb, ndaj dhe deklaron publikisht se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai po ashtu përmend se Vuçiq jo vetëm që mohon krimet e luftës por mban peng edhe mbi 22 vite pas përfundimit të luftës, mijëra trupa të shqiptarëve të kidnapuar.

“Madje, Vuçiq jo vetëm që mohon krimet makabre dhe gjenocidin e tmerrshëm të shkaktuar nga Serbia gjatë viteve të luftës mbi shqiptarët në Kosovë, por ai mban ende peng edhe mbi 22 vite pas përfundimit të luftës, mijëra trupa të shqiptarëve të kidnapuar, ndërsa së fundi edhe para ndërmjetësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian, doli hapur kundër nënshkrimit të një marrëveshje të thjeshtë formale, për mos-sulmimin e Kosovës dhe mos cenimin e kufijve dhe tërësisë së territoriale të saj.
Vuçiq, sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto, nuk pranoi as ballafaqimin me të kaluarën dhe ende nuk ndjehet i penduar as përgjegjës për të gjitha ato sa ka shkaktuar Serbia në Kosovë, ndërsa e shpreh hapur se e vetmja arsye pse ai merr pjesë në bisedime, është vetëm krijimi i asociacionit një-etnik serb, bosnjëzimi i Kosovës dhe ndarja e saj, për gllabërimin e Veriut dhe pjesëve më vitale të vendit tonë, të cilat do ta bënin të pamundur ekzistencën dhe vijimësinë e shtetit të Kosovës, gjë që nuk është edhe qëllimi i bisedimeve ndërmjet të dy vendeve, as nga vet ndërmjetësuesit evropian”, thekson analisti.

Sipas Qarrit, nëse nuk ndryshon qëndrimi i Serbisë karshi Kosovës, kur të mbahet takimi nuk pritet të sjell asgjë, e për më tepër do të dështojë si takimet paraprake.

“Ndaj nën kushte të tilla, nëse edhe më tej nuk ndryshon qëndrimi i Serbisë, në raport me bisedimet dhe shtetin e Kosovës, gjë që para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Serbi as që pritet të ndodhë, kurdo që të mbahet takimi i radhës, jo vetëm që nuk pritet të sjellë gjë spektakolare, por pothuajse apriori, është i predisponuar, sërish të dështojë dhe përfundojë si dy takimet e para. Fakti se të njëjtin qëndrim apo të ngjashëm, presidenti serb do të mbajë edhe në takimin e radhës, e tha ai vet, kur deklaroi se në bisedime do të shkojë nëse merr ftesë, kurse vet zhargitja e mbajtjes së takimit po ndodhë pikërisht për faktin e qëndrimeve të tij poshtëruese dhe tendencave dirigjuese ndaj Kosovës, me prepotencën absurde të Vuçiqit, se kinse shteti ynë i pavarur, vazhdon të mbetet ende pjesë e shtetit okupator serb, si në vitet e paraluftës së viteve 1998-99, kur me kryengritjen popullore dhe ndihmën e NATO-së, shqiptarët dëbuan me luftë Serbinë nga Kosova”, shprehet tutje analisti.

Në fund, ai deklaron se siç duket edhe ndërmjetësuesve të BE-së u ka hasur sharra në gozhdë shkaku i arrogancës së Vuçiqit dhe nuk po gjejnë mundësi reale për mbajtjen e një takimi të radhës.

“Ndaj megjithëse pas takimit paraprak u cek se nga fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit do të vazhdojnë bisedimet, duket se edhe vet ndërmjetësuesve të BE-së, shkaku i arrogancës së Vuçiqit u ka hasur sharra në gozhdë dhe nuk po gjejnë mundësi reale për mbajtjen e një takimi të radhës, që të paktën herën e tretë, bisedimet ndërmjet dy vendeve, të prodhonin edhe një marrëveshje reale, pas dështimit të dyfishtë, në dy takimet e kaluara. Kështu që qëndrimet jashtë kohe, prepotenca dhe arroganca e paprecedent e presidentit të Serbisë, obligon Kosovën që para se të vazhdojë me dialogun, të arrijë një konsensus të brendshëm dhe bëjë miratimin e një platforme unike dhe qëndrimi të përbashkët shtetëror, të të gjitha partive pjesëmarrëse në Kuvend , si dhe krejt spektrit politik në vend, për përballje sa më të suksesshme në tryezën e bisedimeve me Serbinë”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Peçani: Vazhdimi i dialogut në Bruksel – vështirë se do prodhojë diçka që ia vlen?

Image
Ruzhdi Peçani

Ndërsa, analisti politik, Ruzhdi Peçani, ka thënë edhe pse në shtator pritet të nis dialogu, nuk pritet të prodhojë diçka.

Ai përmend çështjet të cilat do të shtrohen në tavolinë e siç duke janë të njëjta me ato të takimeve të kaluara.

“Në shtator pritet të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi, por zyrtarisht nuk janë të njohura temat e dialogut. Besohet se në tavolinë sërish, do shtrohen këto çështje: Çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, po nuk do mungojë edhe ballafaqimi me të kaluarën dhe që të tri këto pengesa vështirë do të tejkalohen nga të dy palët”, thotë analisti.

Sipas tij, ftesës për takim do t’i përgjigjet kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti serb.

Ai përmend deklaratën e Lajçak i cili kishte thënë se bisedimet e kaluara mes Kurti e Vuçiq ishin të vështira.

“Pritet se takimit do i përgjigjen si Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ashtu edhe Presidenti Serbisë Aleksandar Vuqiç. Vazhdimi i dialogut në Bruksel vështirë se do prodhoj diçka që ia vlen?

Të kujtojmë takimin e fundit që kishte ndodhur. Përfaqësuesi special i BE Miroslav Lajçak, në fund takimit kishte deklaruar se bisedimet ishin “të vështira” dhe që kishin treguar “qasje të kundërta për normalizim nga dy palë”, ka shtuar ai.

“Për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ky raund i dialogut ishte edhe më i keq se ai para këtij me konstatimin se do kishte qenë mirë të mos mbahej fare. Rezultati i vetëm ishte ai se palët u dakorduan që dialogu të vazhdoj”. Serbia, pra Vuçiq, kishte thënë se “ishim pajtuar me atë që BE kishte propozuar, në të tre pikët, pa asnjë vërejtje, sa edhe pranuam edhe disa nga dëshirat e shqiptarëve, por shqiptarët nuk donin t´i pranonin asgjë”. Duke vazhduar ai kishte thënë se edhe ndërmjetësuesit e BE ishin shokuar me këto qëndrime të Prishtinës”, shprehet analisti.

Pavarësisht këtyre, Peçani thotë se raund të ri të bisedimeve do të ketë por përsëri raund të mosmarrëveshjeve mes dyja vendeve.

“Pas kësaj kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte reaguar se “Presidenti i Serbisë nuk flet të vërtetën”, duke vazhduar të thotë: “Kjo është gënjeshtër. Ky gënjen. Arsyeja pse nuk kemi qëndrim të njëjtë, qëndron në atë se pala serbe refuzon të ballafaqohet me të kaluarën edhe pse këtë e kishte pranuar pala evropiane. Këtu qëndron problemi” kishte thënë kryeministri Albin Kurti. Raundi i ardhshëm i dialogut do jetë edhe një raund i mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë”, përfundon analisti Ruzhdi Peçani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat