Ky është absurditeti i dialogut/Çfarë duhet të kërkojë Kurti në takim me Vuçiqin dhe pa cilën të vërtetë nuk priten rezultate?

Politika

Ky është absurditeti i dialogut/Çfarë duhet të kërkojë Kurti në takim me Vuçiqin dhe pa cilën të vërtetë nuk priten rezultate?

Nga: G.B Më: 28 gusht 2021 Në ora: 10:56
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Me 7 dhe 8 shtator, në Bruksel do të mbahet takimi Kosovë-Serbi i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Me këto data do të takohen delegacionet e dyja vendeve, ai i Kosovës do të kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ndërsa, gjatë muajit shtator do të takohen edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, por që data ende nuk është bërë e ditur.

Të ditura nuk janë bërë as temat që do të diskutohen në këto takime.

Për takimet Kosovë-Serbi, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka biseduar përmes telefonit me të dy kryenegociatorët.

“Pata diskutime përmbajtjesore, të ndara, me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me drejtorin e Zyrës së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, rreth përgatitjeve për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Por, çfarë pritet nga ky takim, derisa takimet e tjera ishin vlerësuar si të vështira? Cilat janë temat që duhet shtruar në tavolinë?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se viteve të fundit Thaçi dhe Vuçiq e hoqën standardin e caktimit të agjendës, ku bisedonin në telefonin dhe atë e caktonte presidenti serb, ndërsa më pas të dy qeshnin me ata që kundërshtonin ndryshimin e kufijve.

"Është bërë standard që para takimeve midis presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës në dialog, të mblidhen dy ekipet negociatore. Këto dy grupe vijnë në takimin përkatës me agjendën e tyre, secili të ndryshme nga njëri-tjetri. Në fillim të dialogut ishte vendosur kjo praktikë pune. Por vitet e fundit të tij takoheshin Thaçi dhe Vuçiqi direkt. Ata e hoqën standardin e paracaktimit të agjendës e të rendit të ditës. Sepse nuk kishin nevojë për ekipe. Agjendën e caktonte presidenti i Serbisë në telefon. Të dy presidentët më pas qeshnin me ata që ishin kundër ndryshimit të kufijve. Kështu qeshin Sandi dhe Edi edhe sot me ata që janë kundër Open Balkan", ka thënë ai.

Sipas tij, ekipet e negociatorëve e kanë për detyrë të merren vesh për temat që duhet të diskutohen në takimet e dy liderëve, derisa pala serbe është e interesuar në Asociacionin e nënshkruar nga Isa Mustafa.

"Këto dy ekipe negociatorësh kanë për detyrë të merren vesh midis tyre për atë se çfarë do të diskutohet në takimin e radhës së dy liderëve. Për t’u marrë vesh asiston edhe Lajçak, i cili përpiqet të imponojë ndonjë ide, mendim, apo edhe argument në funksion të dialogut. Interesi i Lajçak është tashmë i njohur. Të diskutohet për atë marrëveshjen e firmosur nga Isa Mustafa e për të cilën ish-kryeministri është penduar! Pra për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë! Për këtë temë diskutimi është vazhdimisht e interesuar pala serbe", është shprehur profesori.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Por, ai thotë se Kurti ka treguar se dialogu duhet të ketë agjendë dhe të sjell paqe në Kosovë e rajon, derisa sipas tij deri te zgjidhja e konfliktit duhet filluar me analizë nga masakrave dhe gjenocidit në Kosovë, por që Serbia kërkon t'i ikë përgjegjësisë për këto masakra dhe madje edhe Rama del në anën e saj dhe i kërkon Kosovës ta harrojë të shkuarën.

"Por zoti Kurti ka bërë me dije se duhet që dialogu të nisë nga një lloj agjende, e cila sjell në Kosovë e në rajon paqe e siguri afatgjatë. Sipas Albin Kurtit që zgjidhja e konfliktit të jetë e qëndrueshme, atëherë duhet shkuar në trajektoren nga analiza se çfarë ka ndodhur me masakrat e gjenocidin serb në Kosovë e më tej te gjendja aktuale, për të përfunduar te zgjidhja e këtij konflikti. Presidenti i Serbisë kërkon t’i ikë përgjegjësisë morale politike të Serbisë për këto masakra e krime kundër njerëzimit, duke pretenduar se “duhet shikuar nga e ardhmja”! Madje ai ka akuzuar kryeministrin e Kosovës së “sheh nga e kaluara“, duke e cilësuar si pengesë për dialogun dhe rezultatet e tij. Ndërsa Edi Rama ka marrë anën e Vuçiq dhe i bën thirrje Kosovës “ta harrojë të shkuarën”", ka vlerësuar Bytyçi për "Bota sot".

Sa i përket takimeve të shtatorit, profesori mendon se në linjë me Vuçiq dhe Ramën do të jetë edhe Lajçak, që të harrohet e kaluara dhe të shikohet e ardhmja por që për Kurtin e ardhmja është kusht i asaj që ka ndodhur në të shkuarën.

"Në këto rrethana zhvillohet edhe takimi i 7-8 shtatorit në Bruksel. Unë pres që në linjën e Vuçiq dhe të Ramës të jetë edhe Miroslav Lajçak. Ai do t’i thotë delegacionit të Kosovës se “nuk duhet shikuar nga e shkuara, por nga e ardhmja”! Ndërkohë që për Albin Kurtin të shikosh nga e ardhmja është kusht i domosdoshëm të bësh një retrospektivë të asaj që ka ndodhur në të shkuarën. Ndryshe e shkuara na përsëritet në mënyrë më dramatike. Po çfarë do të ndodhë?", ka potencuar ai.

Bytyçi ka shtuar se ekipi shqiptar duhet të kërkojë të zbardhet fati i të zhdukurve.

"Ekipi shqiptar i dialogut ka të drejtën e zotit të kërkojë që të sqarohet fati i shqiptarëve të zhdukur nga Serbia. Kemi të bëjmë me një akt unik anti-human të autoriteteve serbe të kohës. Të marrësh kufomat e masakruara dhe t’i ngarkosh në kamionë për t’i transportuar qindra km larg vendit të krimit, është akt mizor i papranueshëm, i paprecedentë. Është akt i përpjekjeve për të zhdukur gjurmët e krimit. Por edhe duhet kërkuar hetime ndërkombëtare, sepse ka të dhëna se kufomat e shqiptarëve të masakruar janë transportuar edhe me mjete frigoriferike, me qëllim që atyre t’u merren organet për transplant. Ka të dhënë që këto organe janë shitur më pas në Rusi", ka theksuar profesori.

Më tej, ai ka thënë se pa u zbardhur kjo e vërtetë nuk mund të ketë rezultate në dialog, duhet zbuluar vendndodhjet e kufomave të zhdukura dhe duhet ekspertizë për të ditur nëse u janë marrë organet.

"Pa i shkuar deri në fund ndriçimit të kësaj të vërtete nuk mund të ketë rezultate në dialog. Janë ende edhe rreth 1600 kufoma të zhdukura nga mbi 3000 gjithsej. Duhen zbuluar të gjitha vendndodhjet e këtyre krimeve mbi krim. Duhet të kërkohet një ekspertizë ndërkombëtare për të parë nëse u janë marrë ose jo organet për transplant. Pasi të zbulohet kjo dhe të gjitha të vërtetat çfarë ka ndodhur në luftën e viteve 1998-1999, atëherë duhet bërë një bilanc e pas kësaj të kërkohet pajtimi", ka deklaruar ai.

Krejt në fund, Bytyçi ka thënë se krimineli duhet të kërkojë falje dhe pastaj viktima të vendos nëse do ta falë, por që absurdi i bisedimeve sipas profesorit është që agresori në këtë rast nuk e pranon pajtimin, në vend që këtë të mos e pranojë viktima.

"Modeli i pajtimit është universal. Krimineli gjithnjë ka detyrë të kërkojë ndjesë dhe më pas është në të drejtën e viktimës të falë ose jo. Shqiptarët falin. Sigurisht që shquhen për falje, sidomos kur janë dhunuar nga të huajt. Keq është ta them, por më me vështirësi e falin vëllain, sesa një armik shekullor. Por së paku ndjesa duhet të jetë aty, të bëhet me sinqeritet dhe me garanci se nuk do të ndodhë më ajo që ka ndodhur në të kaluarën. Por çfarë ndodh? Në vend që viktima të mos pranojë pajtimin, këtë nuk e pranon dhunuesi, agresori, krimineli! Ky është absurdi i këtyre bisedimeve", ka përfunduar Enver Bytyçi për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat