Ilir Tolaj tregon kush janë përgjegjësit e gjendjes alarmante me Covid/ Paralajmëron Kosovën për rreziqet e ardhshme

Politika

Ilir Tolaj tregon kush janë përgjegjësit e gjendjes alarmante me Covid/ Paralajmëron Kosovën për rreziqet e ardhshme

Nga: M.H Më: 31 gusht 2021 Në ora: 17:32
Ilir Tolaj

Situata me Covid-19 mbetët një ndër sfidat më të mëdha jo vetëm për Kosovën por për mbarë botën.

Varianti Delta ka arritur të sjellë edhe një valë tjetër të këtij virusi, duke vështirësuar kështu situatën edhe më shumë në vend.

Në lidhje me këtë temë si dhe lirimin e masave gjatë verës, ka folur për “Bota sot”, infektologu Ilir Tolaj.

Tolaj u shpreh se lirimi i masave ka arritur të sjellë një valë të katërt të virusit.

Ai e sheh të pakuptimtë zgjatjen e orarit të punës së këtyre aktiviteteve dhe lejimin e shtimit të numrit të mysafirëve në këto aktivitete.

“Nuk është fare kontestues fakti se në klubet e natës, dasmat e ahengjet tjera familjare, por edhe kafiteritë me punën e tyre me orar të zgjatur, muzikë të gjallë dhe pa asnjë kufizim as minimal mes mysafirëve, në njërën anë, dhe prezenca e variantit Delta në anën tjetër, janë shkaku kryesor për valën e katërt të pandemisë në Kosovë. Edhe nëse lejimi i këtyre aktiviteteve në fillim, me numër të kufizuar të mysafirëve dhe me orar të kufizuar të punës, edhe mund të arsyetohet, është për çdo kritikë dhe madje e pakuptimtë, zgjatja e orarit të punës së këtyre aktiviteteve dhe lejimi i shtimit të numrit të mysafirëve në këto aktivitete, në kohën kur tashmë kishte filluar rritja e numrit të rasteve të reja”, u shpreh ai.

Sipas tij, nëse nuk do të ishin hapur të gjitha këto aktivitete ku kanë qenë prezent një numër i madh i personave, do të ishim të kursyer nga kjo gjendje e rëndë nëpër të cilën po kalojmë.

Tolaj thotë se përgjegjës për këtë valë të virusit janë institucionet përgjegjëse shëndetësore mirëpo që pasojat e tyre po i vuajnë qytetarët e vendit.

“Mbyllja me kohë e këtyre aktiviteteve si klubet e dasmat dhe kufizimi adekuat i punës së kafiterive, do të na kishte kursyer nga intensiteti i kësaj vale e cila po shënon rekorde të papërjetuara që nga fillimi i pandemisë e deri tash. Nuk e kam ende të qartë se cili ishte motivi i vërtetë i këtyre udhëzimeve shumë të dëmshme dhe krejtësisht joprofesionale të MSH dhe IKSHPK në atë kohë. Në kohë pandemie, vlerësimi i situatës epidemiologjike duhet të jetë i vazhdueshëm ndërsa reagimi duhet të jetë me kohë dhe adekuat konform shenjave paralajmëruese. Kjo nuk ka ndodhur nga institucionet përgjegjëse shëndetësore, ndërsa pasojat e kësaj tash po i vuan e tërë popullata qoftë në formën e rasteve të reja, vuajtjeve nëpër spitale e vdekjeve të atyre me shëndet më të komprometuar, qoftë me përballje me masa tejet kufizuese, sipas bindjes time, të panevojshme, të ndërmarra në panik dhe në afekt”, ka vlerësuar ai.

Infektologu Tolaj nuk i sheh përgjegjës këngëtarët as gastronomët për këtë rritje të numrit të rasteve, pasi sipas tyre e gjitha ka filluar me fushatat parazgjedhore të politikanëve.

“Përgjegjësia kryesore nuk është tek këngëtarët apo gastronomët. Ata nuk janë profesionistë për çështje të pandemisë dhe as nuk janë të mandatuar për të menduar për pasojat. Ata e kanë shikuar vetëm interesin e ngushtë të tyre dhe kjo i bën pjesëtarë tip të shoqërisë tonë. Shembuj të këtillë kemi pasur edhe në të kaluarën. A nuk ishin politikanët që me veprimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme, ata që e sollën valën e tretë të pandemisë në Kosovë”, ka theksuar infektologu.

Sipas Tolaj,t përgjegjës për këto raste janë autoritet shëndetësore pasi nuk do të duhej t’i nënshtroheshin presionit të këngëtarëve dhe gastronomëve por do të duhej të mendonin për shëndetin e qytetarëve.

“Përgjegjësia ju bie atyre që janë të mandatuar me u marrë me çështjet e shëndetit në vend, autoritetet shëndetësore, si MSH, IKSHP, e të ngjashme. Këta nuk është dashur t’i nënshtrohen presionit të këngëtarëve ose gastronomëve, gjegjësisht është dashur t’ua bëjnë me dije pasojat e një plotësimi të kërkesës së tyre në shëndetin individual dhe kolektiv të vendit. Autoriteti i institucioneve dhe serioziteti i tyre do të tregohet jo duke lëshuar pe para kërkesave të pa arsyeshme grupeve të caktuara të interesit për qëllime politike populiste ose thjeshtë për benefite materiale, por duke i qëndruar besnik dhe këmbëngulës profesionalizmit dhe interesit të përgjithshëm”, ka potencuar ai.

Ndër të tjera, ai shton se do të duhej të gjendeshin mënyra të tjera të mbështesin financiarisht këngëtarët pasi kjo mbështetje do të ishte më e vogël sesa tash mjekimi i të infektuarve me Covid-19.

“Në anën tjetër, është dashur të gjenden mënyra për mbështetjen financiare të këtyre veprimtarive konform kontributeve që i kanë bërë në vitet paraprake. Ky kontribut është shumëfish më i vogël sesa që tash shteti e familjarët shpenzojnë për mjekimin e të infektuarve me Covid - 19 si pasojë e veprimeve të këqija ose mungesës së veprimeve adekuate në momentin e duhur”, ka deklaruar Ilir Tolaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat