Edhe opozita kritikohet për përkeqësimin e situatës me pandeminë Covid-19

Politika

Edhe opozita kritikohet për përkeqësimin e situatës me pandeminë Covid-19

Nga: A.Morina Më: 31 gusht 2021 Në ora: 22:02
Kuvendi i Kosovës

Situata me pandeminë Covid-19 është përkeqësuar ditëve të fundit, ku numri i rasteve të reja dhe vdekjeve është shumë i lartë.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit 1.383 qytetarë kanë rezultuar pozitiv dhe 26 të tjerë kanë vdekur si pasojë e koronavirusit.

Pas përkeqësimit të situatës me pandeminë Covid-19, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i ka dërguar një letër kryeministrit Albin Kurti.

Në letrën e dërguar, Krasniqi i ka shprehur shqetësimet e tij kryeministrit Kurti, duke kërkuar një reagim urgjent dhe një angazhim maksimal të institucioneve shtetërore.

Madje, duke parë situatën kryetari i PDK-së kërkoi edhe ndërprerjen e pushimeve dhe kthimin e menjëhershëm të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

E lidhur me këtë, analisti politik, Leon Duhanaj thotë se dëmet janë të pariparueshme, edhe nëse kthehen nga pushimet deputetët.

Kjo pasi sipas tij, situata nuk është nën kontroll.

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

“Situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë, tashmë ka dalë jashtë kontrollit. Për fat të keq, Kosova e ka fjetur fare këtë situatë dhe tani pa e marrë parasysh se çfarë vendimesh merren, dëmet do të jenë të pariparueshme.

Nuk ka masë që mund t'i kthej jetërat e njerëzve, nuk ka masë që tashmë mund t'i ndalojë vdekjet edhe nëse bie numri i infektimeve të reja”, deklaroi analisti.

Gjithashtu, Duhanaj gjatë prononcimit të tij për gazetën “Bota sot” përmendi edhe numrin e lartë të të infektuarve me Covid-19.

“Kjo sepse vetëm zyrtarisht i kemi mbi njëzet e pesëmijë njerëz të infektuar dhe nga ta për fat të keq, do të kemi edhe viktima të shumta. Shto këtu edhe masën e njerëzve që janë të infektuar e që qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre pa iu nënshtruar testimit dhe listave zyrtare”, u shpreh ai.

Në fund, analisti potencoi se Kosova po gjendet para një kolapsi dhe kontributi i opozitës është minimal, pasi nuk po reagon institucionalisht, por vetëm përmes postimeve në Facebook.

“Për mendimin tim, Kosova tashmë gjendet para një kolapsi dhe për ketë natyrisht që është dashtë të ketë përgjegjësi institucionale. Në ketë kontekst, nuk mund të kalojmë pa e evidentuar edhe kontributin minimal opozitar që e bën opozita e cila është më shumë se inerte.

Në një shoqëri normale opozita do ta ngriste zërin institucionalisht që moti, e jo veç me postime sporadike individuale në Facebook”, përfundoi Leon Duhanaj, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat