E turpshme/Kritikohet ashpër kërkesa e Ali Ahmetit, po i përkrahë politikat e Ramës

Politika

E turpshme/Kritikohet ashpër kërkesa e Ali Ahmetit, po i përkrahë politikat e Ramës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 3 shtator 2021 Në ora: 10:29
Ali Ahmeti dhe Edi Rama

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm projektin e “Ballkanit të Hapur”, duke besuar se ky proces i afron vendet e Ballkanit me Bashkimi Evropian.

Ndërsa, duke folur për vështirësitë dhe mosmarrëveshjet e Kosovës me Serbinë, Ahmeti tha se mes kombit shqiptar dhe atij serb duhet një pajtim.

“Çështja e Ballkanit të Hapur është vazhdimësi e procesit të Berlinit. E mbështet edhe BE edhe SHBA dhe është si një moment i rëndësishëm për të afruar vendet në BE sepse këto vende kanë specifika të ndryshme. Sigurisht duhet para një afrim dhe parapërgatitje për t’u anëtarësuar në BE. Nuk është temë që imponohet. Kosova i ka politikat e veta dhe sheh rreziqet e veta. Nuk është e imponueshme. Pasi të analizohet mirë nga autoritetet e Kosovës sepse është çështje e hapur. Është analizë që e do e bëjmë vendet e përkatëse. Më pyetën disa mërgimtarë më thanë do na bëni prapë Jugosllavinë. Thashë më thoni sa pritet në kufi kur erdhën. Më thanë 5 orë pritën. U thashë kjo iniciativë është që mos prisni asnjë minutë. Nëse kjo marrëveshje i dëmton shqiptarët edhe mund të tërhiqesh nga marrëveshja”, ka thënë Ahmeti.

Më tej, Ahmeti ka shtuar se ky proces nuk duhet të ndikojë negativisht raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa pranoi se sigurisht me Serbinë për Kosovën nuk është e lehtë.

“Mendoj se ky proces nuk duhet të ndikojë në raporte të këqija mes Kosovës dhe Shqipëria. Shqipëria po i bën 109 vite pavarësi dhe eksperienca e një shteti matet nga lashtësia e një shteti. Mund të ndërtohet qëndrime të përbashkëta për tema madhore dhe të rëndësishme. Marrëdhëniet mes vendeve fqinje janë shumë të rëndësishme. Ne na duhet një pajtim mes kombit shqiptar dhe kombit serb. Ose të vendosemi do hakmerremi dhe çka na sjell hakmarrja? Kemi dy rrugë. Të tretë nuk ka. A do pajtohemi apo do përsërisim edhe një herë historinë se kush është më i fortë”, u shpreh Ahmeti.

Kjo deklaratë që duhet pajtim në mes kombit shqiptar dhe serb nxiti reagime të ashpra, duke pasur parasysh të kaluarën e shqiptarëve të Kosovës dhe krimet që shteti serb ushtroi mbi ta.

Për çfarë pajtimi flet Ahmeti, derisa Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë, e po ashtu Kosova prej 10 vitesh dialogun me Serbinë dhe kjo e fundit nuk i respekton marrëveshjet e arritura në bisedime dhe luan rolin e viktimës?

Analistët për gazetën “Bota sot” këtë deklaratë të Ahmetit e cilësuan të turpshme dhe injorante, derisa e kritikuan atë ashpër.

Mehazi: Pajtimi me serbët e Vuçiqit e ka kuptimin e dorëzimit të Kosovës që është brenda kushtetutës serbe

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike dhe profesori Sulejman Mehazi, gjatë prononcimit për gazetën “Bota sot” u shpreh se deklarata e Ahmetit për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve është e turpshme dhe e pakuptueshme.

“Mos të them e turpshme, por është e pa kuptueshme deklarata e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit që kërkon pajtimin e popullit shqiptarë me atë serb, të kërkonte pajtimin e shqiptarëve me serbët dikush tjetër sikurse që është Edi Ramë do ishte e logjikshme, ama, Ali Ahmetit kurrsesi nuk i ngjanë e nuk i ka hije të kërkonte pajtimin e popullit tonë me serbët, për shkak se ai që nga 1980 ka vepruar kundër serbëve e Jugosllavisë”, deklaroi profesori.

Madje, Mehazi u befasua se si një deklaratë e tillë erdhi nga Ahmeti, kur dihet se ai ka luftuar kundër torturave, vrasjeve, burgosjeve, krimeve serbe ndaj shqiptarëve.

Ndërsa, ai u shpreh se pajtimi me serbët e Vuçiqit e ka kuptimin e dorëzimit të Kosovës që është brenda kushtetutës serbe.

“Është e habitshme dhe e çuditshme se si personi, Ali Ahmeti, që nga rinia e tij e deri më sot ka luftuar kundër torturave, vrasjeve, burgosjeve, përdhunime, përndjekjeve padrejtësive e krimeve serbe ndaj shqiptarëve të dalë, të deklarojë e të ftojë shqiptarët për t'u pajtuar e falur të gjitha të bërat e paimagjinueshme çnjerëzore serbe ndaj popullit tonë. Pajtimi me serbët e Vuçiqit e ka kuptimin e dorëzimit të Kosovës që është brenda kushtetutës serbe. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e di, po t'ia përkujtojmë se shqiptarët që njëqind vjet kanë qenë të pajtuar me serbët, mirëpo për fat të keq serbët kurrë nuk u pajtuan me shqiptarët”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori përmendi rastet kur shqiptarët u pajtuan me serbët, mirëpo këto pajtime u kthyen mbrapsht, me të keq ndaj Kosovës e shqiptarëve. Derisa ngriti edhe pyetjen se “Si do pajtohemi me serbët kur Vuçiqi i Serbisë kurrsesi nuk pranon as krimet serbe në Kosovë e as Republikën e Kosovës?”.

“Edhe pse gjatë Luftës së Parë Botërore shqiptarët u pajtuam me Serbinë, por pajtimin tonë e shfrytëzuan Pashiqat e Çubrilloviqat me të keq. Edhe gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u pajtuan për të bashkëjetuar me serbët gjatë ish-Jugosllavisë, por pajtimin e shqiptarëve e kthyen mbrapshtë, me të keq ndaj Kosovës e shqiptarëve të Jugosllavisë. Si do pajtohemi me serbët kur Vuçiqi i Serbisë kurrsesi nuk pranon as krimet serbe në Kosovë e as Republikën e Kosovës”, nënvizoi Mehazi.

Tutje, ai tha se deklarata mbështetëse e Ahmetit për Vuçiqin e Ramën, ia kthen shpinën Kosovës së Jasharajve e dëshmorëve qindvjeçare të rënë kundër Serbisë.

“Kërkesa e Ali Ahmetit për pajtim me serbët vetvetiu hedh poshtë të gjitha përpjekjet e tij jetësore për çlirimin e Kosovës nga Serbia, kërkesë që pajtohet me Vuçiqin e Ramën e ia kthen shpinën Kosovës së Jasharajve e dëshmorëve qindvjeçare të rënë kundër Serbisë. Shumë e logjikshme do të ishte që Ali Ahmeti të kërkonte njohjen e Kosovës nga Serbia, pajtimin dhe faljen e serbëve për krimet qindvjeçare ndaj shqiptareve”, potencoi profesori.

Ndër të tjera, Mehazi ia parashtroi edhe një pyetje Ahmetit, se pse nuk e fton Edi Ramën dhe Albin Kurtin për pajtim kombëtar, por fton shqiptarët e përçarë të pajtohen me serbët e bashkuar!

“E pyesim Ali Ahmetin, se, pse nuk fton Edi Ramën dhe Albin Kurtin për një pajtim vëllazëror kombëtar, por fton shqiptarët e përçarë të pajtohen me serbët e bashkuar. E pyesim Ali Ahmetin a është me Kosovën që se njeh Vuçiqi, a është me shokët dhe dëshmorët e luftës së UÇK-së së Kosovës, apo me Serbinë e Vuçiqit që kurrsesi s'do të pajtohet me Kosovën?”, pyeti ai.

Në fund, profesori ia bëri me dije Ahmetit se për shqiptarët më mirë do të ishte hakmarrja sesa pajtimi për krimet e bëra serbe në Kosovë.

“Serbia do të na hajë për së gjalli, kurse Ali Ahmeti kërkon pajtim me Serbinë, si është e mundur kërkesa e pajtimit me serbët të dalë nga goja e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit?! Jo, i nderuar Ali Ahmeti për shqiptarët më mirë do të ishte hakmarrja sesa pajtimi për krimet e bëra serbe në Kosovë”, përfundoi Sulejman Mehazi.

Krasniqi: E pamundur të ndodh një pajtim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve

Image
Islam Krasniqi

Kurse, analisti tjetër politik, Islam Krasniqi, u shpreh se është e kuptueshme kërkesa e Ahmetit për pajtim në mes të dy popujve që kanë një armiqësi shekullore.

Mirëpo, ai ia rikujtoi Ahmetit se para pajtimit janë disa kushte që duhet të vihen, e njëra ndër to është kërkim falja dhe kthimi i të zhdukurve.

“Është e vërtet së duhet të ketë pajtim në mes të dy popujve që kanë një armiqësi shekullore. Është e kuptueshme deklarata e liderit të BDI-së z.Ahmeti dhe rrugën që jemi duke e vazhduar do të bashkohemi në shtëpinë e madhe, në BE. Mirëpo mos të harrojmë së janë disa kushte para së të vihet deri të pajtimi, siç është kërkim falja, kthimi i të zhdukurve, kompensimi apo dëmshpërblimi i dëmeve të luftës, distancimi i politikës serbe nga mentaliteti fashist, sepse akoma kanë mbetur në vitin 1998-99 me një mentalitet të njëjtë”, deklaroi Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Tutje, analisti tha se për momentin është e pamundur të ndodh një pajtim në mes shqiptarëve dhe serbëve, duke marrë parasysh se shteti serb akoma vuan nga mentaliteti kriminel

“Jo vetëm Ahmeti por edhe bashkësia ndërkombëtare po provon të gjej një gjuhë të përbashkët për t'i pajtuar dy popujt, mirëpo një gjë e tillë është e pamundur. Pasi që armiqësia e tyre nuk ka kufi, ku shteti jonë ka zgjatur dorën e pajtimit, derisa shteti serb akoma vuan nga mentaliteti kriminel duke na fajësuar për dështimet e veta duke mos kërkuar falje dhe mos pranuar realitetin”, përmbylli Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat