Skandali me tokat, vjen kërkesa për Albin Kurtin: T’i jap goditjen përfundimtare Ramush Haradinajt

Politika

Skandali me tokat, vjen kërkesa për Albin Kurtin: T’i jap goditjen përfundimtare Ramush Haradinajt

Nga: P.R Më: 6 shtator 2021 Në ora: 19:04
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve në Qeverinë Kurti, Hekuran Murati ka thënë se toka që Agjencia Kosovare e Mirëbesimit/Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte privatizuar për gjashtë euro arin, në Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ishte vlerësuar me 3.700 euro/ari, duke akuzuar ish Qeverinë e Ramush Haradinajt se kishte marrë vendim që të njëjtën tokë, ta shpronësojë për 1.200-fish më shumë.

“Toka që AKM/AKP e kishte privatizuar për 6 euro/arin, në tabelat e vlerësimit të dorëzuara me 17 maj në MMPH, ishte vlerësuar me 3,700 euro/ari, pra rreth 600-fishi i çmimit të blerjes. Por sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim me 17 dhjetor 2019, që të njejtën tokë t’a shpronësojë për 7,500 euro/ari, pra 1,200-fishi (me fjalë: njëmijë e dyqind fishi i çmimit të privatizimit). Sipërfaqja e tërësishme e tokës, e cila për t’u privatizuar kishte kushtuar 4,000 (katër mijë) euro, tani do të shpronësohej për 4,866,000 (katër milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) euro”, ka deklaruar Murati, duke shtuar se nëse keqpërdorimi do të shkonte deri në fund një person i vetëm do të merrte 4.9 milionë euro.

“Pra nga 43 milionëshi i tërësishëm, një person i vetëm do të merrte 4.9 milionë euro, nëse keqpërdorimi do të shkonte deri në fund. Fatmirësisht, e stopuam me kohë. Fakte si kjo, ka edhe shumë të tjera”, ka shkruar Ministri Hekuran Murati.

E sipas analistit Gani Qarri, Murati paraqiti publikisht me argumente abuzimet që kishin ndodhur gjatë qeverisjes së PAN-it, në krye me Ramush Haradinajn.

Image
Gani Qarri

“Këto ditë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një deklaratë publike para opinionit të vendit, ka sqaruar se toka që Agjencia Kosovare e Mirëbesimit gjegjësisht Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte privatizuar vetëm për gjashtë euro arin, buzë autostradës Prishtinë-Pejë, në Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ishte vlerësuar me mbi 3.700 euro/ari. Madje Ministri i Financave Hekuran Murati, paraqiti publikisht me argumente të bazuara faktike, abuzimet e pështira të ndodhura gjatë qeverisjes së PAN-it, në krye me Ramush Haradinaj, kur “Toka të cilën AKM/AKP e kishte privatizuar, sI4 u tha edhe më lartë, vetëm për 6 euro/arin, në tabelat e dorëzuara me 17 maj në MMPH, ishte vlerësuar me hiq më pak se 3,700 euro për një ari, apo rreth 600-fishi i çmimit të blerjes”, së mëparshme”, siç ka shkruar edhe vet Ministri Murati”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se prokuroria e Kosovës dështoi që t’i hetojë këto abuzime, pasi ajo ishte e kapur nga klani Pronto.

“Ndaj fakti se gjyqësia dhe prokuroria e kapur e shtetit të Kosovës, nga partitë dhe pushtetarët e kriminalizuar, heshti njëjtë, siç ka heshtur në vazhdimësi për dy dekada me radhë edhe për rastin në fjalë, duke mos reaguar as vet Prokuroria Speciale e cila ka edhe autorizime të veçanta ligjore, për hetimin e rasteve si ky me Qeverinë e PAN-it, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, atyre iu lanë duart e lira që të keqpërdorin në përmasa masive paranë publike dhe dëmtojnë rëndë me metodat mafioze të shumëfishimit të çmimeve, buxhetin e varfër të Republikës së Kosovës”, shprehet Qarri.

Qarri deklaron se drejtësia në Kosovë ka bashkëjetuar me krimin e organizuar.

“Kështu që për t’i shkuar hetimit të këtij rasti deri në fund dhe dhënë zgjidhje adekuate kësaj afere të rëndë kriminale, prokuroria dhe gjyqësia e ndikuar nga politika të cilat për më tepër se 20 vite me radhë kanë kooketuar ngushtë e bashkëjetuar në harmoni dhe paqe horizontale me krimin e organizuar, e veçanërisht Prokuroria Speciale e cila ka edhe autorizime të veçanta ligjor për hetimin e rasteve kriminale si këto, ose duhet të dal nga ndikimi SHIK-ut ilegal dhe partive të kriminalizuara, e bëjë hetim të hollësishëm dhe sqarojë këtë rast kundërligjor deri në fund, të kryer gjatë qeverisjes së koalicionit të pështirë- PAN, me në krye Haradinajn, ose duhet ti nënshtrohet urgjentisht vetting-ut dhe prokurori përgjegjës bashkë me personat e autorizuar të drejtësisë, të vendosen në bankën e të akuzuarve për mos kryerjen e detyrës sipas ligjit, keqpërdorimin e pozitave zyrtare dhe lejimin e akteve të dënueshme ligjore”, thekson Qarri.

Më tej, analisti Qarri kërkon që të nisin hetimet sa më parë ndaj Ramush Hradinajt për keqpërdorimet gjatë kohës sa ishte kryeministër.

“Pas publikimit të akuzave të fundit të ministrit Murati i cili përmes një postim të tij në Facebook, lidhur me këtë rast, shtoi se sikur të mos mjaftonte as kjo, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim që të njëjtën tokë, ta shpronësojë për 1.200-herë (fish) më shumë, përveç njoftimit në mënyrë publike që gjatë auditimeve është zbuluar se nga Qeverisë Haradinaj, janë keqpërdorur dhjetëra milionë euro, ai bazuar në dokumentet autentike të abuzimeve në fjalë, ka ngritur edhe një kallëzim penal në prokurorinë e shtetit, gjë që flet më tepër se qartë, se duhet të nisin urgjentisht hetimet ndaj Qeverisë së koalicionit PAN dhe udhëheqësit të saj Ramush Haradinajt ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët përgjegjës të vendosen prapa grilave”, thotë për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

Për fund, Qarri shprehet se Qeveria Kurti duhet t’i jap goditjen përfundimtare të gjithë atyre që janë të përfshirë në skemat kriminale, përfshirë edhe Ramush Haradinajn.

“Dhe nëse Qeveria Kurti vërtetë ka vendosur që përfundimisht ta rivendosë rendin dhe ligjin në vend, duke ditur se skandale të tilla kanë mundur të ndodhë vetëm në Kosovë dhe askund tjetër, duhet të marrë guximin dhe ti jap goditjen përfundimtare çdo lloj dhe forme të veprimeve korruptive e kriminiale përfshi edhe shpërdorimin drakonik të tokave dhe mënyrën e shpronësimeve mafioze, nga Qeveria e PAN-it dhe udhëheqësi i saj Ramush Haradinajt, akte që për dy dekada me radhë, janë zhvilluar lirshëm në format më korruptive dhe metodat më të pështira mafioze të krimit të organizuar, duke keqpërdorur rëndë paranë publike dhe dëmtuar në përmasa dhjetëra milionëshe buxhetin e varfër të shtetit të Kosovës”, përfundon Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat