“Zbrazja e kallashit nga Haradinaj”/ Analisti tregon se kush e ndali konfrontimin vëllavrasës - përmend një agjent francez

Politika

“Zbrazja e kallashit nga Haradinaj”/ Analisti tregon se kush e ndali konfrontimin vëllavrasës - përmend një agjent francez

Nga: A.Morina Më: 11 shtator 2021 Në ora: 10:43
Ramush Haradinaj

Qeveria Kurti ka filluar të zbardhë skandalet e Qeverisë Haradinaj, duke dhënë sinjal se do të vazhdoj të hulumtojë edhe shkeljet dhe skandalet e qeverive të tjera.

Fillimisht u zbulua skandali i keqpërdorimit të 43 milionë eurove, pastaj edhe shitja e tokave prej 6 euro ari.

Kjo, natyrisht ishte edhe një goditje e rëndë për ish-kryeministrin Haradinaj, gjë e cila e acaroi atë tej mase.

Analisti politik, Idriz Zeqiraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar zbardhjen e këtyre skandaleve të Qeverisë Haradinaj.

Ai u shpreh se pikërisht zbardhja e skandaleve nga Qeveria Kurti ishte arsyeja se pse u tmerruan ish-pushtetarët dhe ish-komandatët e zhytyr në krime.

Image
Analisti politik, Idriz Zeqiraj

"Zgjedhjet qendrore të 2019-ës, sollën në pushtet koalicionin LVV-LDK. Qeveria Kurti 1, e thirrur në ligjshmëri, për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, i tmerroi ish-pushtetarët dhe ish-komandantët, tashmë, të identifikuar, pikërisht, si të zhytur në krime dhe hajni zyrtare. Andaj, u bashkuan të gjithë kundër njëshit, pra, kryeministrit Albin Kurtit dhe partnerit në koalicion - Lista GUXO-", deklaroi ai.

Po ashtu, analisti nga Gjermania e përmendi edhe angazhimin personal të ish-presidentit, Hashim Thaçi për ta penguar formimin e Qeverisë Kurti, pasi Albin Kurti i shpalli luftë krimit dhe hajnisë.

“Dhe, kjo befasi ndodhi, sepse klani në krye të LDK-së, ishte i shantazhuar nga SHIK-u i PAN-it, ishte bisht e patericë e PAN-it. Befasia tjetër ishte angazhimi personal i presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për ta penguar, më saktë, për ta ndërprerë qeverisjen e Kurtit, ngaqë ai i shpalli luftë krimit dhe hajnisë. Pasoi prishja e koalicionit LVV-LDK; rrëzimi i Qeverisë Kurti 1; kompozimi i Qeverisë Hoti. Dhe, sipas administratës të SHBA dhe BE-së, "të gjitha këto i bëri njeriu, që po akuzohet për krime lufte në Hagë, Hashim Thaçi, në koordinim me vasalin e tij, Isa Mustafa”, theksoi Zeqiraj.

Në vazhdim, ai theksoi se bashkësia ndërkombëtare e detyroi kryeministrin Kurti që të vendosë në rend të parë dialogun, pasi dihej se motoja kryesore ishte “Kriminelët dhe hajnat në burg”.

“Fitorja plebishitare në zgjedhjet e sivjeme të 14 shkurtit, e solli, sërishmi, në pushtet LVV dhe Listën GOXO-, rrjedhimisht, Qeverinë Kurti 2. E gjithë fushata e bujshme, e veçantë, me shetitje masive rrugëve dhe bulevardeve të qyteteve të Kosovës, u bë me moton: Kriminelët dhe hajnat në burg! Qeveria Kurti 2 kishte listuar prioritetet me numra, siç janë mirëqenia e popullit, drejtësia etj. Por, trysnia ndërkombëtare e detyroi Kurtin ta vë si parësi dialogun me Serbinë. Pazaret e pista, të bëra nga binomi Thaçi-Mustafa për: asociacionin, shkëmbimin e territoreve, mini-shengenin, Ballkanin e hapur e tjera, kushtuan në kohë”, nënvizoi analisti.

Tutje, Zeqiraj potencoi se keqpërdorimi i 43 milionë eurove nga Qeveria Haradinaj, është vetëm një nga skandalet e shumta të qeverisjes së tij, siç ishte rasti i humëzimit të mijëra "Dëshmive të Veteranit", shitje me para dhe klientelë elektorale, etj.

“Zbardhja e disa nga skandalet e Qeverisë Haradinaj, nga Qeveria Kurti 2, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Themi disa, sepse Haradinaj, gjatë gjithë qeverisjes së tij, ka qenë skandaloz, qoftë në abuzimin financiar, rasti i shumëzimit të mijëra "Dëshmive të Veteranit", shitje me para dhe klientelë elektorale, qoftë kontravers në vendime dhe kalkulues i neveritshëm, për të bërë karrierë”, potencoi ai.

Në fund, analisti Zeqiraj kujtoi kohën kur në fillim të luftës, Haradinaj pranoi të dirigjohej nga Hashim Thaçi dhe u konfrontua me akademikët ushtarakë të FARK-ut të Ibrahim Rugovës.

Po ashtu, ai tha se konfrontimin vëllavrasës, e shmangu urtësia, burrëria, fisnikëria dhe aftësia profesionale ushtarake e Kolonel Tahir Zemaj.

“Dhe, kjo lakmi karrieriste, zë fill qysh në nismë të luftës, kur Haradinaj pranoi të dirigjohet nga sabotatori i luftës, Hashim Thaçi, duke pranuar "komandimin" e luftës në Dukagjin, duke u konfrontuar me akademikët ushtarakë të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, në mënyrën më të vrazhdët e provokative, siç ishte rasti skandaloz në uzurpimin e kazermës ushtarake të Prapaçanit.

Thënë troç, zbrazja e kallashit, nga i papërgjegjshmi Ramush Haradainaj, ishte ftesë për gjakderdhje, për vëllavrasje! Ishte shërbim i drejtpërdrejtë, i agjentit të Sigurimit Informativ francez DGSE, Hashim Thaçit, si urë lidhëse me Serbinë. Ndërkohë, konfrontimin vëllavrasës, e shmangu urtësia, burrëria, fisnikëria dhe aftësia profesionale ushtarake e Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës”, përmbylli Idriz Zeqiraj, përcjell “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat