Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare zbulon pse Albin Kurti kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve

Politika

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare zbulon pse Albin Kurti kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve

Nga: P.R Më: 13 shtator 2021 Në ora: 20:27
Kryeministri Albin Kurti kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve

Pasi një takimi me krerët e partive politike në Kosovë, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se nuk do të ndryshojë data e zgjedhjeve lokale, pavarësisht se rekomandimi i IKSHPK-së thotë ndryshe.

“Para se të thirrja takimin kam kërkuar analizë nga IKShPK-ja lidhur me procesin zgjedhor. Është rekomanduar nga Instituti të bëhet shtyrja e procesit zgjedhor. Ky nuk është vlerësimi i vetëm që ne kemi kërkuar nga Instituti, një vlerësim i tillë është kërkuar edhe për fillimin e shkollave dhe kemi marrë përgjigjen e institutit për atë çështje. Mënyra e vetme për të shtyrë zgjedhjet është arritja e një pajtimi në pushtet dhe opozitë. Unë e respektoj qëndrimin e partive politike por nuk pajtoj me ta. Shtyrja më e madhe e zgjedhje do të ishte më së shumti deri në dy muaj, kjo për t’iu dhënë afat stafit shëndetësor ta fus në kontroll situatën”, deklaroi Vjosa Osmani.

Nga të gjithë krerët e partitë politike, vetëm kryeministri Albin Kurti ishte ai që kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve.

“Për respektimin e vlerësimit profesional të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i nënshkruar nga 11 doktorë gjithsej, që është për shtyrjen e zgjedhjeve. Shtyrja e zgjedhjeve më së shumti i kushton pikërisht subjektit tonë, që nga viti 2017 janë mbajtur dy palë zgjedhje nacionale. Duke e pasur parasysh që aktualisht kemi një përmirësim të situatës me pandeminë në mënyrë që ky përmirësim të mos ndalet, në mënyrë që të mos kemi një valë të re, për shkak se versioni Delta është eksploziv në muajt nëntor dhe dhjetor, ne jemi që zgjedhjet të shtyhen. Megjithatë ne nuk imponojmë qëndrimin tonë, le të merret cilido vendim ne do ta respektojmë. Nuk janë zgjedhjet lokale sikur ato qendrore. Nuk votohet njëjtë për kandidatë dhe ka edhe balotazh e nuk votohet vetëm në një raund. Kërkojmë të dëgjohet mendimi i ekspertëve shëndetësorë. Ne kemi shprehur qëndrimin si subjekt dhe duhet të presim që të përfundojë takimi konsultativ”, ka thënë Kurti.

Image
Gurakuç Kuçi

E pavarësisht që nuk u mor parasysh kërkesa e kryeministrit Kurti, kërkesën për shtyrje të zgjedhjeve e ka arsyetuar edhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

“Kur je në opozitë thikat janë më të mprehta dhe përgjegjësia më e vogël, kur vie në pushtet nuk mund të mendosh më me kutin e njëjtë, përgjegjësitë rriten dhe zgjerohen tej mase. Kryeministri Kurti tani nuk e ka më pozitën e vetëm një opozitari por ka pozitën edhe të kryeministrit, të njeriut me më së shumti kompetenca në vend. Dua të besoj që kërkesa për shtyrje nuk bëhet në mënyrë primare për interesa politike por nga pozita e kryeministrit e mendon shëndetin e qytetarëve”, thotë Kuçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, edhe po të ndodhtë shtyrja e zgjedhjeve, ajo nuk do të ndikonte në rezultatin zgjedhor.

“Po ashtu, nëse zgjedhjet do të shtyheshin për dy apo tri javë nuk është që do kishte ndonjë ndikim në asgjë, përveç se do mundësonte pak më shumë kohë për të ulur numrin e rasteve pozitive me COVID19. Një shtyrje për dy apo tri javë nuk ndikon aspak në procesin zgjedhor dhe nuk e dëmton apo benefiton asnjë subjekt politik. Sigurisht, procesi zgjedhor do të dëmtohej seriozisht vetëm nëse shtyrjet do të ishin të tilla sa do kalonin në objektiva politike të qëllimshme”, shprehet Kuçi.

“Duhet të kemi parasysh që jemi në rrethana jo të përshtatshme për shëndetin e qytetarëve dhe ndoshta më mirë do ishte të kishte më shumë reagime për vaksinimin e qytetarëve dhe mbylljen e gastronomisë por jo institucioneve parashkollore, shkollore, kopshteve. Bibliotekave, etj. Po ashtu shumë më e rëndësishme është të fillohet me vazhdimin e arsimimit të fëmijëve se sa tema e shtyrjes për një muaj të zgjedhjeve”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat