Vrasjet e intelektualëve të LDK-së, juristi nga Brukseli ‘godet’ Isa Mustafën: Shkeli mbi gjakun e bashkëpartiakëve!

Politika

Vrasjet e intelektualëve të LDK-së, juristi nga Brukseli ‘godet’ Isa Mustafën: Shkeli mbi gjakun e bashkëpartiakëve!

Nga: A.M Më: 18 shtator 2021 Në ora: 13:33
Viktimat e vrasjeve politike në Kosovë

Ditë më parë, në Hagë është mbajtur seanca gjyqësore ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte.

Kjo seancë mori vëmendje të madhe, shkaku i një deklarate të prokurorit të Specializuar, Jack Smith.

Prokurori befasoi kur tha se Mustafa është i akuzuar vetëm për vrasjen e shqiptarëve, madje publikoi disa pamje nga vendi dhe shtëpia ku pretendohet se janë kryer krimet.

Juristi nga Bruksel, Skënder Musliu në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar seancën gjykuese ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa në Hagë.

Fillimisht, ai përmendi disa nga akuzat që rëndojnë mbi Mustafën.

Image
Juristi nga Bruksel, Skënder Musliu

“Pas themelimit të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, që është nën juridiksionin e Republikës së Kosovës, i akuzuari i parë që arriti në Hagë, ishte ish komandanti i UÇK-së përgjegjës për Zonën e Prishtinës, Salih Mustafa, kurse pas tij pasuan edhe ish udhëheqësit e UÇK-së dhe ish udhëheqësit e lartë të institucioneve të Kosovës.

Pas përfundimit të veprimeve të para juridike pranë gjykatësit të procedurës paraprake, ditë më parë u mbajt seanca e parë, me ç 'rast zyrtarisht filloi procesi gjyqësor i Salih Mustafës si i akuzuari i parë, i cili, përveç tjerash dhe kryesisht akuzohet për burgosje arbitrare, trajtim mizor, torturë si dhe vrasje të paligjshme. Emërues i përbashkët i këtyre akuzave është fakti që të gjitha viktimat ishin shqiptarë dhe aktivist të LDK-ës. Në këtë seancë Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të”, deklaroi ai.

Në vazhdim, Musliu pa dashur të paragjykojë se kush i vrau aktivistët e LDK-së, e theksoi faktin se para, gjatë dhe pas luftës është likuiduar një elitë e tërë intelektualësh të LDK-ës, ku nuk janë zbuluar porositësit dhe ekzekutuesit.

Kurse, akuzat e politikanëve të LDK-së ndaj komandantët e luftës nga radhët e PDK-së për vrasjen e intelektualëve të saj, i ka cilësuar si të drejta.

“Duke mos paragjykuar se kush i ka kryer këto vepra kundër aktivistëve të LDK-së, po ashtu, është fakt i pamohueshëm se para, gjatë dhe pas luftës është likuiduar një elitë e tërë intelektualësh të LDK-së, veprimtarë dhe aktivist civil dhe ushtarak të LDK-së, që ende nuk janë zbuluar porositësit dhe ekzekutuesit, edhe pse ekzistojnë dyshime për ta.

Që nga përfundimi i luftës, vazhdimisht është folur e përfolur mbi vrasjet politike, me akuza dhe kundër akuza, në veçanti nga politikanët, madje edhe në debate të nxehta parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Më të zëshëm, me plot të drejtë, kanë qenë politikanët nga LDK-ja, të cilët rregullisht i kanë akuzuar komandantët e luftës nga radhët e PDK-së për ekzekutimet e aktivistëve të LDK-së, duke përfshirë edhe atentatet e pasuksesshme ndaj Ibrahim Rugovës”, theksoi juristi nga Brukseli.

Gjithashtu, Musliu konsideroi se LDK-ja nuk e ka marrë seriozisht këtë temë.

Ai shtroi edhe një pyetje “pse LDK-ja, edhe përkundër faktit se ka mbi 100 veprimtarë të likuiduar, asnjëherë nuk i zyrtarizoi denoncimet dhe nuk i procedoi ato raste para Prokurorisë për zbardhjen e tyre?”

“Mirëpo edhe përkundër akuzave publike, LDK-ja asnjëherë nuk është marrë seriozisht me këtë temë. Kjo kryesisht ka ndodhur nëpër fushata, gjatë cikleve suksesive zgjedhore, për poena politike, duke keqpërdorur elektoratin, e mbi të gjitha ndjenjat e familjarëve të viktimave, për politika të ulëta ditore.

Parashtrohet pyetje, pse LDK-ja, edhe përkundër faktit se ka mbi 100 veprimtarë të likuiduar, asnjëherë nuk i zyrtarizoi denoncimet dhe nuk i procedoi ato raste para Prokurorisë për zbardhjen e tyre ? Kjo nga se, nga veprimtarët dhe dëshmitarët e kohës supozohet se anëtarë të LDK-së, në mënyrë të drejtpërdrejte apo tërthorazi, kanë qenë të implikuar në këto vrasje”, nënvizoi Musliu.

Tutje, ai deklaroi se LDK-ja ka pasur mundësi t’i nxirrte vrasësit para drejtësisë, mirëpo ka dështuar sa ishte Mustafa kryeministër. Dhe, sipas tij kjo do të mbetet njollë e zezë mbi lidershipin e LDK-së.

“Mbase, sikur të kishte dashur LDK-ja t’i nxirrte vrasësit dhe porositësit para drejtësisë, ajo e ka pasur këtë mundësi kur Isa Mustafa ishte kryeministër kurse ministri i punëve të brendshme po ashtu ishte nga radhët e LDK-së. Prandaj mbi lidershipin e LDK-së, rëndon dhe gjithnjë do të rëndojë një njollë e zezë që nuk do të zhduket kurrë, sepse me plot vetëdije kanë shkelur mbi gjakun e bashkë partiakëve që dhanë kontribut të çmuar për shtetësinë e Kosovës.

Kjo po ashtu edhe nga fakti se në Kosovë drejtësia ka qenë dhe ende vazhdon të jetë e kapur nga vet ata që kanë qenë të përfshirë në këto vrasje, e që kanë ushtruar pozita të larta udhëheqëse shtetërore, nga ata që vet i kanë zgjedhur prokurorët dhe gjyqtarët për ta kapur drejtësinë dhe për t’i venë në shërbim të tyre”, tha ndër tjera.

Në fund, Musliu tha se SHBA insistoi në themelimin e Speciales, me qëllim që të fitojë drejtësia e jo ligësia. Po ashtu, ai besoi se pas ballafaqimit të provave të avokatëve mbrojtës dhe Prokurorisë Speciale, Gjykata Speciale do të nxjerr aktgjykime meritore

“Pikërisht për shkak se drejtësia ka qenë e kapur, faktori ndërkombëtar në krye me SHBA-të insistuan për themelimin e Gjykatës Speciale, me qëllim që të fitojë drejtësia e jo ligësia.

Kam bindjen e thellë se, pas ballafaqimit të provave të avokatëve mbrojtës dhe Prokurorisë Speciale, Gjykata Speciale do të nxjerr aktgjykime meritore, profesionale dhe pa ndikim, të bazuara në ligje dhe vetëm në ligje, madje do të ketë edhe raste kur, edhe përkundër dyshimeve të bazuara, por në mungesë të provave të mjaftueshme, të akuzuarit do të lirohen.

Drejtësia ndoshta vonon, por kurrë nuk harron”, përmbylli Skënder Musliu, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat