“Nuk do të ketë takim para 6 tetorit”/ Analisti: Kurti nuk është për takime reklamash, po për vendime përfundimtare

Politika

“Nuk do të ketë takim para 6 tetorit”/ Analisti: Kurti nuk është për takime reklamash, po për vendime përfundimtare

Nga: A.SH Më: 18 shtator 2021 Në ora: 22:27
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka mbajtur një konferencë në të cilën ndër tjera ka folur edhe për takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai ka thënë se nuk do të ketë takim me presidentin serb para datës 6 tetor.

“Nuk do të ketë takim para 6 tetorit kur kemi samitin në Slloveni midis BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk ka një datë të caktuar se kur do të jetë takimi ynë i radhës ndërkohë zëvendëskryeministri im që është përgjegjës për dialog ka pasur takime në Bruksel, ai diskuton hollësitë sidomos të çështjes së të zhdukurve me forcë”, tha ai.

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se kjo deklaratë e Kurti nuk e dobëson Kosovën.

“Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për mohimin e takimit me presidentin e Serbisë Vuçiq, më 6 tetor, kurrsesi nuk e dobëson Kosovën, përkundrazi ky mos takim me Vuçiqin Albin Kurtit dhe Kosovës i jep forcë serioziteti, se, kryeministri i Kosovës nuk është për takime reklamash mediatike, hotelesh, restoranesh e darkash në Bruksel, po për vendime përfundimtare të njohjeve reciproke të dy shteteve fqinje”, thotë profesori.

Sipas tij, Kurti nuk mund të takohet me presidentin serb i cili mohon krimet serbe në Kosovë.

“Nuk mund të takohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Vuqiç i cili në Bruksel do vijë me Kosovën brenda kushtetutës serbe. Nuk mund të takohet me Vuçiqin i cili mohon krimet serbe në Kosovë, i cili çdoherë përdorë sintagmën e llojeve të papagajve “kurrë nuk do ta pranojmë Kosovën”, ka thënë tutje ai.

Në fund, profesori shton se Albin Kurti më mirë të bëhet mohues i dialogut sesa të dalë i nënçmuar sikurse Hashim Thaçi para Vuçiqit.

“Mohimin e dialogut nga ana e Kurtit e nervozon Serbinë, ky nervozizëm i Vuçiqit ndaj dialogut me Kosovën doli në pah gjatë vizitës së Kancelares Gjermane Merkel në Beograd, i cili tha: "se dialogu me Kosovën është i patjetërsueshem, por jo të jetë nënçmuese për Serbinë." Varianti politik i mos shkuarjes së Kurtit në Bruksel, nënçmon Serbinë e kurrsesi Kosovën, Albin Kurti me mirë të bëhet mohues i dialogut sesa të dalë i nënçmuar sikurse Hashim Thaçi para Vuçiqit”, përfundon për gazetën “Bota sot” Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat