Kosova paralajmërohet për këtë rrezik/Bytyçi thirrje Qeverisë Kurti

Politika

Kosova paralajmërohet për këtë rrezik/Bytyçi thirrje Qeverisë Kurti

Nga: M.H. Më: 19 shtator 2021 Në ora: 22:40
Qeveria Kurti

Ditë më parë është liruar ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, si dhe Ilhami Gashit e Sadat Gashit.

Gjykata e Apelit këtë e bëri me dije përmes një komunikate për media,e cila ka njoftuar se ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë vetëm sa i përket të akuzuarit Ilhami Gashi.

Ndërsa, sa i përket të akuzuarve Grabovci dhe Sadat Gashi, kjo gjykatë ka njoftuar se ka refuzuar si të pabazuar ankesën e PSRK-së.

Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi, i cili e sheh të paarsyeshme këtë vendim të Gjykatës.

Sipas tij kjo Gjykatë liroi një nga të akuzuarit nga afera “PRONTO” e që kjo aferë ishte më tronditësja për publikun dhe se lirimi i njërit nga ata që janë të përfshirë në këtë aferë do të thotë që ende gjykatat janë të politizuara.

Image
Enver Bytyçi

Gjykata e Apelit në Prishtinë para pak ditësh vendosi që të lirojë deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovcin, nga akuza për aferën e njohur me emrin "PRONTO"! Nuk është hera e parë që gjykatat në Kosovë dhe në Shqipëri i mbyllin pa fajtorë dhe pa arsye aferat e ndryshme të politikanëve. Ndërkohë këto gjykata ndjekin deri në vrimën e miut fajësinë e njerëzve të thjeshtë për vepra penale ose civile shumë më të lehta se ato që shohim te politikanët. Afera PRONTO në Kosovë është një prej më tronditëset për publikun. Ajo aferë, me të cilën përgjimet telofonike japin prova të pakundërshturshme se politikanët e Kosovës ushtrojnë funksionet e tyre shtetore përmes korrupsionit, kompromentimit dhe bëjnë padrejtësi dëshmon për shpërdorimin e detyrave që kanë këta politikanë. Dëshmon për shkelje të të drejtave të njeriut, për cënim të së drejtës qytetare, të barazisë në shanse dhe në meritë. Të gjitha këto shkelje që provohen përmes atyre përgjimeve që tashmë njihen publikisht janë të dënueshme ligjërisht. Ato janë cënim i sovranitetit kushtetues të vendit. Janë vepra penale të padiskutueshmë. Nuk ndodh që në një vend demokratik me një pavarësi të gjyqësorit dhe me pushtete të balancuara që kësi veprash të konsiderohen të paqena ose të padënueshme”, u shpreh ai.

Profesori më tej thotë se me këtë vendim ne kemi mundur të shohim që disa nga gjyqtarët dhe prokurorët janë ende të ndikuar nga klani “PRONTO” dhe se Kosova ende nuk po arrinë të shkëputet tërësisht nga ajo.

Gjykata e Apelit në Prishtinë me vendimin e saj ka dëshmuar se në Kosovë akoma gjykatat janë jo vetëm të politizuara, por edhe të varura nga politika. E gjitha po ndodh, sepse shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë janë vënë aty në këmbim të favoreve që duhet t'u bëhen politikanëve. Klani PRONTO është përfituesi më i madh i këtyre favoreve, sepse këta gjyqtarë dhe prokurorë janë në funksionet që kanë me mbështetjen e këtij klani. Kjo do të thotë se gjyqësori në Kosovë ende merr vendime sipas konceptit "të mirënjohjes" për ata që i kanë emëruar në ato pozicione. Kudo në botën demokratike pas emërimit gjyqtarët dhe prokurorët ndjehen të pavarur nga vendimi për ta, në Kosovë duket se ende vepron psikologjia e fisit, sipas të cilës "ndera duhet kthyer me nderë", edhe kur politikanët vendimmarrës shkelin ligjin”, thotë profesori.

Duke vazhduar ai flet për lirimin e Grabovcit e që sipas tij është më se i nevojshëm Vetingu në Kosovë mirëpo jo të i ngjasoj atij të Shqipërisë pasi aty ka dështuar, sipas profesorit duhet një Veting i bazuar të drejtën dhe detyrimin për të përforcuar pozitat e shtetit të drejtë.

Nga afera e PRONTO-s ne e dimë se jo vetëm funksione administrative, por edhe në gjyqësor janë vendosur përmes telefonit. Adem Grabovci konsiderohej si zyra e punësimeve në borde, gjyqësor, administratë e madje në universitete, duke shkel ligjin mbi administratën publike, ligjin mbi gjyqësorin, si dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës. E ndërkohë akuza ndaj tij u bë null, sepse të emëruarit prej tij nuk mund ta dënojnë atë, ndonëse ligji është shumë i qartë. Në këto kushte mendoj se qeveria Kurti ka përpara një sfidë të jashtëzakonshme: Reformimin me çdo kusht të pushtetit gjyqësor. Vetingu është dhe duhet të jetë hapi i parë dhe kryesor. Por unë personalisht do të doja një veting larg modelit të Shqipërisë. Kosova duhet ta bëjë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por jo në modelin e Republikës së Shqipërisë, sepse ky model po rezulton si i dështuar. Vetingu në Kosovë nuk duhet të bazohet te anësia ose bindjet politike ose përkatësia krahinore, si në Shqipëri. Duhet një veting i bazuar në të drejtën dhe detyrimin për të përforcuar pozitat e shtetit të së drejtës”, thotë ai.

Nga ana tjetër profesori shton se lirimi i Grabovcit duhet të hetohet nga inspektoriatët të ekzekutivit dhe të diskutohet thellë në publik pasi me këto lëshime po shohum që Kosova është duke u rrezikuar nga gjykatësitë dhe prokurorët e korruptuar.

Gjithashtu ai thotë se lirimi i Grabovcit është i dëmshëm për vendin dhe nuk duhet lejuar të përsëriten më shumë raste të tilla.

Ndërkaq rasti i Adem Grabovcit dhe Grabovcëve të tjerë duhet të hetohet përmes inspektoriatëve të ekzekutivit dhe të diskutohet thellë në publik. Pyetja që duhet të shtrohet është: A po thellohet padrejtësia nga ata që duhet të bëjnë drejtësi?! Dhe pse po bëhet kjo? Kujt i shërben një sjellje e tillë? Nëse e ballafaqojmë veprimin në fjalë si dhe disa akte tjera të gjyqësorit në Kosovë në favor të politikës, sidomos të politikës së vjetër, atëherë na del se shtetësia e Kosovës është e rrezikuar nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Përgjegjësia e secilit shtetar, gjykjatësi, prokurori, administratori në Kosovë është të mendojë dhe të punojë për forcimin e shtetësisë. Pa forcimin e shtetësisë nuk është ajo e garantuar! Prandaj dhe vendimi për Grabovcin është i dëmshëm jo vetëm në kuadër të të bërit drejtësi, por edhe në kuadër të përpjekjeve për të ndërtuar shtetin e së drejtës në Kosovë, si kusht i domosdoshëm ky për ta përmbyll edhe njohjen e plotë të shtetit. Pra, vendimet e gjyqësorit në Kosovë dhe bërja drejtësi është njëkohësisht detyrë patriotike. Kush bën të kundërtën shkatërron procesin e shtetësisë së vendit”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat