Bashkëpunëtori i ngushtë i Kolonel Krasniqit: Këta janë vrasësit e tij, vijnë nga pushteti i Kosovës dhe Shqipërisë

Politika

Bashkëpunëtori i ngushtë i Kolonel Krasniqit: Këta janë vrasësit e tij, vijnë nga pushteti i Kosovës dhe Shqipërisë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 21 shtator 2021 Në ora: 07:17
Kolonel Ahmet Krasniqi

Po bëhen 23 vjet që nga vrasja e Kolonelit dhe Ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi. Që nga koha kur ndodhi pra më 21 shtator 1998, kjo vrasje që tronditi kombin shqiptar ka mbetur një mister i pazbardhur, sikurse edhe shumë vrasje të tjera me motive politike që ndodhën gjatë dhe pasluftës në Kosovë.  

Vazhdimisht nga familjarët e bashkëpunëtorët e kolonelit është kërkuar drejtësi, mirëpo deri më tani nuk ka pasur asnjë rezultat. 

Gjykata Speciale ka mbetur e vetmja shpresë për zbardhjen e kësaj vrasjeje dhe të tjerave që njihen si vrasjet e pasluftës, apo kryesisht të veprimtarëve të LDK-së.  

Edhe vrasja e Kolonel Krasniqit përfshihet në periudhën e trajtimit të vrasjeve që do të bëjë kjo gjykatë, meqë vrasja ka ndodhur më 21 shtator 1998, ndërsa Specialja do të trajtoj vrasjet që kanë ndodhur nga 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000. 

“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës u themeluan në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, një amendamenti kushtetues, si dhe në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Ato janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë”, bëhet e ditur në njoftimin e Gjykatës Speciale, në faqen e tyre zyrtare. 

Krasniqi: Po shpresojmë që Gjykata Speciale do të merret edhe me rastin e tim vëllai 

Image
Behxhet Krasniqi

23 vite pas vrasjes së tronditëse që ndodhi në Tiranë, familjarët e bashkëpunëtorët kanë folur për virtytet e larta atdhetare të kolonelit, ndërsa kanë kërkuar që drejtësia të vihet në vend.  

Behxhet Krasniqi, vëllai i Kolonelit Ahmet Krasniqi ka thënë për gazetën “Bota sot” se ndonëse nuk ka ndonjë të re rreth hetimeve deri më tash, ata si familje janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Specialen në mënyrë që të zbardhet rasti.  

“Deri me tani nuk ka diçka të re rreth rastit të vëllait tim. Po shpresojmë që Gjykata Speciale do të merret edhe me rastin e tim vëllai. Ne si familje do jemi përherë të gatshëm për t`iu përgjigjur pozitivisht ftesës së kësaj Gjykate me qëllim që të ndihmojmë sado pak në zbardhjen e rastit”, ka thënë Krasniqi. 

Zogaj: Vrasja e Kolonelit Krasniqi u bë për qëllime përfitimesh mercenare 

Image
Skender Zogaj

Skender Zogaj, njëri ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të kolonel Ahmet Krasniqit, thotë për “Bota sot” se, vrasja e tij u bë për qëllime përfitimesh mercenare, duke realizuar atentatin e zi kundër komandantit suprem të FARK-ut. 

“Njëra nga vrasjet më të shëmtuara që vret ndërgjegjen e të gjithë shqiptarëve, është vrasja e kolonelit Ahmet Krasniqi, oficerit madhor dhe ministrit të luftës, që u vra nga banditët ordinerë enveristë të ilegales marksiste leniniste të Kosovës të shtyra nga strukturat ideologjike të sigurimit të shtetit dhe të ushtrisë së Shqipërisë, që për qëllime përfitimesh kryesisht mercenare, realizuan atentatin e zi kundër kreut të ushtrisë institucionale të Republikës së Kosovës me Presidentin Ibrahim Rugova, komandant suprem i FARK-ut”, thekson Zogaj.  

Ai përmend edhe arsyet për të cilat, siç thotë , mbeturinat e fshehta dhe qëllimkëqija qëlluan Ministrin Krasniqi dhe uzurpuan më pas lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

“Ky ishte projekti historik i çlirimit të Kosovës, që nuk përputhej me objektivat e mbeturinave të fshehta dhe qëllimkëqija, prandaj strukturat banditeske, qëlluan Ministrin e Mbrojtjes, Ahmet Krasniqin, dhe pastaj më lehtë e uzurpuan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës duke e mbajtur peng qe 22 vjet pas luftës! Ky është rezultati i vrasjeve  politike, të cilit nuk u zbardhën  sepse, po të ishte zbardhur, Kosova do të ishte kaher shtet i mirëfilltë, do të ishte integruar në BE e në NATO, do të ishte vend shembullor i strukturave dhe planeve strategjike Euro-Atlantike,  do të ishte pa kufij me të gjitha trevat e veta etnike (në BE  pa kufij shqiptarët e bashkuar do të numëronin diku rreth 12 milion)”, thotë Zogaj.  

Ai thotë tutje se ky ishte vizioni paqësor i Ibrahim Rugovës i objektivizuar në planin strategjik ushtarak të Ministrit Ahmet Krasniqi, që është vra për të mos u lënë të realizohet!  

“Vrasësit dhe shefat e tyre janë gjallë dhe të fortë, prandaj qe 22 vjet e presin drejtësinë koloneli Krasniqi, Ilir Konushevci, Xhemajl Mustafa, Komandant Drini, Tahir Zemaj, Smajl Hajdaraj, Ismet Racit, Shaban Manaj, Sebahate Tolaj, Ukë Bytyçi, etj-etj. Këto vrasje nuk janë zbardhur sepse ideatorët dhe shefat e vrasësve e kanë pasur pushtetin në Kosovë dhe në Shqipëri”, thotë ndër tjera Zogaj. 

Bashkëpunëtori i ngushtë i kolonelit, thotë se Gjykata Speciale mbetet shpresa e madhe e zbardhjes së këtyre krimeve, por që dëshmitarët duhet të tregojnë të vërtetën. 

“Tash Gjykata Speciale është shpresë e madhe e zbardhjes së krimeve dhe i caktimit të dënimeve të merituara ndaj të gjithë vrasësve! Por, që të arrihet kjo, dëshmitarët duhet ta tregojnë të vërtetën! Gjithashtu, edhe familjarë e të vrarëve nuk duhet të heshtin, për asnjë lloj çmimi! Sa i përket Kolonelit Ahmet Krasniqi, e vërteta e tij është mision i realizuar, sepse është Heroi i Kosovës dhe i përjetshëm në faqet më të arta të historisë kombëtare shqiptare”, thotë Zogaj për ‘Bota sot’. 

Shahu: Vrasja e kolonel Krasniqit është vrasja e Ministrit të parë të luftës në Kosovë 

Image
Rexhep Shahu

Për vrasjen e kolonelit, ka folur edhe Rexhep Shahu, dikur gazetar që kishte raportuar nga Kukësi gjatë kohës së luftës. Ai thotë për ‘Bota sot’ se, kjo vrasje nuk është thjeshtë e një njeriu apo një ushtaraku, por është vrasja e Ministrit të parë të Mbrojtjes apo luftës në Kosovë. 

“Vrasja e Ahmet Krasniqit shpesh merret lehtë si vrasja e një njeriu apo ushtaraku të Kosovës. Jo, vrasja e Ahmet Krasniqit është vrasja e ministrit të parë të mbrojtjes apo të luftës të Kosovës. Nuk e kanë vrarë Ahmet Krasniqin si njeri apo si kolonel por e kanë vrarë si ministër të Kosovës, e kanë vra që Kosova të mos bënte dot ushtri, UÇK të mos bënte luftë e qëndrese ushtarake të organizuar”, thekson Shahu. 

Sipas tij, kolonel Krasniqin e ka vrarë Serbia por mund të jetë edhe ndonjë shqiptarë, vrasës me pagesë.  

“Ahmet Krasniqin e ka vra Serbia, nuk di dorasin kush është, kush e ka shkreh këmbëzen, mund të jetë shqiptar se shqiptarët shpesh bëhen mercenarë por mund të jetë çdo kush si killer apo vrasës me pagesë”, vlerëson Shahu. 

Ai thotë se kjo është vrasje shumë e bujshme që ka ndodhur vetëm një javë pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari dhe tani pas dy dekadash vështirë se do të zbulohet.  

“Nuk e di a do merret Gjykata Speciale me ketë vrasje veç është vrasje shumë e bujshme e ndodhur një javë pas vrasjes së politikanit Azem Hajdari. Por tek sheh heshtjen prej dy dekadash kam pesimizëm se do ta zbulojnë këtë vrasje se Tirana e asaj kohe dhe Prishtina e asaj kohe nuk kanë qenë të interesuara ta zbulojnë”, thotë analisti Rexhep Shahu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat