Paralajmërimi/ Serbët befasojnë në minutën e fundit, Kurti të shkojë në Bruksel për ta penguar këtë projekt të Vuçiqit

Politika

Paralajmërimi/ Serbët befasojnë në minutën e fundit, Kurti të shkojë në Bruksel për ta penguar këtë projekt të Vuçiqit

Nga: P.R Më: 22 shtator 2021 Në ora: 19:32
ilustrim

Tashmë janë bërë tri ditë qëkur dy rrugë nacionale që lidhin Kosovën dhe Serbinë mbeten të bllokuara nga serbët lokalë, të cilët po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, masë kjo e vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkohë Njësitë Speciale të Kosovës po qëndrojnë në Jarinje, pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për ta siguruar zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat me Serbinë.

E sjelljen profesionale të Policisë së Kosovës, profesor, doktor Enver Bytyçi e quan qelës të aksionit në Veri të Kosovës.

“Aksioni politik dhe policor për zbatimin e reciprocitetit me targat kundrejt automjeteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë po shkon në ditën e katërt. Në tri ditët që kaluan bota pa një veprim tepër profesional nga pikëpamja e administrimit policor të procesit dhe një maturi të admirueshme nga pikëpamja politike. As politika, as policia nuk u ndikuan nga emocionet për të gabuar në veprimin praktik. Në fakt profesionalizmi dhe përkushtimi për të realizuar me sukses detyrën nga ana e policisë është çelësi i suksesit. Unë mendoj se në përfundim të këtij operacioni do të duhet që Kosova të shohë se çfarë mund të bëjë për ushtrinë dhe policinë jo vetëm në aspektin e rritjes së logjistikës, por edhe në planin e trajtimit personal. Këta njerëz që sakrifikojnë familjen dhe gjithçka në shërbim të kauzës së shtetit të Kosovës meritojnë një trajtim preferencial dhe për këtë nuk besoj se do të ankohet dikush”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, bllokimi i rrugëve është bërë nga mjetet e transportit në pronësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe jo nga automjetet e serbëve lokalë.

“Serbët lokalë, më saktë administratat e komunave serbe në veri të Kosovës, vazhdojnë të mbajnë të bllokuara disa segmente të rrugëve që çojnë në Jarinjë dhe Bernjak. Bërnjaku thuajse është pastruar nga bllokimet e serbëve, por Jarinja ende jo. Them se janë administrata e komunave, pasi bllokimi i rrugëve është bërë nga mjetet e transportit në pronësi të këtyre komunave dhe jo nga automjetet e serbëve lokalë. Kjo sjellje e krerëve të komunave është sjellje politike, është refuzim i institucioneve të shtetit, është shkelje kushtetuese dhe ligjore. Ndaj dhe çështja mund të zgjidhej edhe ligjërisht. Por unë do të preferoja që këtyre forcave regresive dhe provokative t'u jepet një mësim i madh. Mësimi do të ishte fakti se ata nuk janë faktor që të imponojnë as me mjete paqësore, as me dhunë politikat e Beogradit në Kosovë”, shton Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi thotë se edhe pse aksioni i Policisë po shkon drejt suksesit, serbët mund të surprizojnë në momentet e fundit.

“Aksioni dhe operacioni politik dhe policor duket se po shkon drejt suksesit të plotë. Por nuk duhet demotivim dhe demobilizim as në minutën e fundit. Një pjesë e serbëve të instrumentalizuar e të dirigjuar nga Beogradi mund të "befasojnë" në minutën e fundit. Durimi dhe profesionalizimi i policisë dhe forcave speciale janë dy armët më të efektshme dhe më të suksesshme në këtë luftë nervash. Nuk është luftë reale, është luftë nervash midis palëve. Prandaj kjo luftë fitohet me durim të admirueshëm dhe respektueshëm si dhe me profesionalizëm të lartë. Policia e Kosovës ka dëshmuar se është më profesionalja në rajon. Këtë cilësi e dëshmoi edhe këto ditë në veri të vendit”, shpjegon më tej Bytyçi.

Bytyçi thotë se Aleksandër Vuçiq ndjehet i nervozuar nga vendimi i Albin Kurtit për vendosjen e reciprocitetit për targat me Serbinë.

“Vendimi për reciprocitetin e targave dhe zbatimi i tij me sukses do t'i hapë rrugë integrimit të serbëve të veriut në institucionet e vendit dhe do të bëhet shkas për të luftuar më fort kundër ndërhyrjes së qeverisë e presidentit serb në Kosovë. Kjo e bën të nervozohet Aleksandër Vuçiq. Ai ka refuzuar që të takohet me zotin Kurti në Bruksel për të biseduar rreth kësaj teme. Refuzimin e shet si presion, por në fakt ai e di se në një ballafaqim me zotin Kurti e ka të humbur bastin dhe do të rikthehej në Beograd i turpëruar. Sepse loja e targave është nis nga Serbia që para pesë vitesh”, shpehet Bytyçi për “Bota sot”.

“E keqja e Beogradit është se shpesh herë nuk e kupton se kur është mjaft. Nuk e kupton se çdo gjë ka masë në kohë e në hapësirë! Deri kur do të shkohet me këto presione dhe lojëra politike nga ana e presidentit të Serbisë? Ka një limit! Koha shëron plagët e njerëzve, por edhe të shoqërisë. Qeverisë serbe nuk i ka mbetur tjetër vetëm të ngrejë komitete e komisione për kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore e fetare për në kohë lufte! Kjo është një përrallë nga e kaluara e Milosheviçit. Askush nuk beson se ushtria serbe mund të sulmojë Kosovën, madje edhe në kushtet kur KFOR-i nuk do ishte përgjegjës për sigurinë e saj. Ka njerëz, madje edhe shqiptarë, që bëjnë llogaritë e fuqisë ushtarake të Serbisë për t'i trembur shqiptarët para saj. Por lufta dhe fitorja e saj nuk përcaktohet vetëm nga fuqia ushtarake. Mësime për këtë ka plot. Kësisoj askush nuk ka pse "trembet" me fishekzjarrët që ndez Beogradi në këtë aspekt”, thekson Bytyçi.

Për fund, profesor, doktor Enver Bytyçi shprehet se kryeministri Kurti duhet të shkojë në Bruksel, për të penguar projektin e Vuçiqit.

“Ndoshta zoti Kurti do të duhet të udhëtojë në Bruksel për të informuar nga afër autoritetet e Bashkimit Evropian për aksionin në fjalë. Kjo do të ndikojë që të mos ketë efekt projekti i Aleksandër Vuçiq që me këtë rast ta detyrojë kryeministrin e Kosovës të ulet e të diskutojë për formimin e Asociacionit të Komunave Serbë në Kosovë. Qëllimi i Vuçiç tashmë është shprehur qartë: Ta shfrytëzojë situatën e krijuar për të imponuar krijimin e këtij Asociacioni. Nëse ndodh kjo, atëherë shumë shqiptarë do ta besojnë akuzën e ndonjë të marri në Kosovë e në Serbi se aksioni i targave u bë për këtë qëllim e madje në koordinim me Beogradin. Përkundrazi ky aksion politik e policor duhet të shërbejë për të evituar pa mëdyshje krijimin i sajesave të tilla serbe që e defaktorizojnë shtetin dhe institucionet e Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, profesor, dotkor Enver Bytyçin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat