Ish-zëvendësministri i MPB-së: Kjo situatë që po ndodh në Kosovë, po i shkon përshtati Serbisë

Politika

Ish-zëvendësministri i MPB-së: Kjo situatë që po ndodh në Kosovë, po i shkon përshtati Serbisë

Nga: N.Sh Më: 29 shtator 2021 Në ora: 23:47
Harta e Kosovës

Kosova po vazhdon përballjen me rininë dhe papunësinë e madhe që nga paslufta.

Si pasojë e kësaj papunësi, rinia e Kosovës po synon migrimin.

Tashmë kemi qindra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj që kanë lëshuar Kosovën në vitet e fundit.

Ata për një vend pune, dhe për një jetë më të mirë kanë shkuar në vende të ndryshme evropiane e deri në Amerikë e Australi.

Krejt kjo po bëhet si pasojë e keqqeverisjeve të pasluftës.

Tashmë, shpresat kanë mbetur te Qeveria e re, nga e cila po kërkohet ndërtimi më i shpejtë i perspektivës zhvillimore dhe krijimit të kushteve për angazhimin e fuqisë së re në tregun vendor të punës.

Për këtë çështje, ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava thotë se, situata në të cilën tani gjendet Kosova me papunësinë e popullatës është për tu dhimbsur, sepse vendi ditë e për ditë po zbrazet nga të rinjtë e këtij vendi.

Image
Hajrullah Tërnava

 

Qeveritarët e deritashëm që nga lufta e deri më tani nuk ishin largpamës, dhe nuk ndërmarrën diçka të rëndësishme për punësimin e të rinjve të këtij vendi, duke ju hapur vende të reja pune që të punësohen në vendin e tyre dhe të kontribuojnë për zhvillimin e vendit të tyre, por të gjithë qeveritarët deri me tani që ishin në pushtet, mendonin vetëm për pasurimin e tyre”, shprehet Tërnava.

Ai thotë se, si metodë e pasurimit hapen universitete dhe fakultete në të gjitha qendrat e qyteteve dhe të rinjtë u vërsulen dhe i regjistruan ato fakultete, por profesorët e vërtetë të punësuar nëpër ato fakultete ishin në numër të vogël.

Prandaj edhe në ato fakultete u punësuan profesor pa kritere, por edhe kryerja e fakulteteve në shumë raste ishte si kriter nëse i kishin bërë pagesat e nevojshme fakultetit, dhe kryerja e fakultetit ishte kushte i pagave të tyre. Problemi ishte se për ato diploma të shumta nuk kishte vende pune, dhe të rinjtë punësoheshin edhe si kamerier për një rrogë të vogël sa për të pasur para për një ekzistencë edhe që ato rroga ishin shumë të ulëta, dhe të rinjtë për një shkak të tillë po tentojnë që të shpërngulen në shtetet e BE-së, për një të ardhme më të mirë dhe rroga më dinjitoze që munden s’paku familjen e tyre t’iu dalin në ndihma për ekzistencë”, thekson ai.

Ai tregon se, sipas statistikave më të reja zyrtarë të MPB-së, shumica e qytetarëve të cilët po sigurojnë leje afatgjatë për punë jashtë Kosovës, po heqin dorë edhe nga shtetësia, dhe kështu kemi një trend të rrezikshëm të vazhdimit të zbrazjes së popullsisë nga shteti i tyre.

Sipas raportit më të fundit të MPB-së vetëm për 9 muaj të fundit janë regjistruar mbi 3 mijë e 500 qytetarë që pas punësimit të qëndrueshëm në vendet perëndimore kanë hequr dorë edhe nga shtetësia e Kosovës. Sikur që bëhet e ditur nga statistikat zyrtare të MPB-së, brenda 4 viteve të fundit, pasi sigurimit të punësimit të qëndrueshëm jashtë vendit, dorë nga shtetësia kanë hequr mbi 20 mijë persona, gjë që paraqet një rrezik serioz të varfërimit të tregut të punës në vend në profilet më të kërkuara të ngritjes profesionale për të tregun e punës në vitet në vijim dhe kështu paraqitet pengesë serioze edhe në zhvillim”, thotë tutje ai.

Tërnava shton se, një zbrazje e popullatës sikur që po ndodhë viteve të fundit, është për t’u dhimbsur, sepse këtë se ka pritur Kosova.

Kështu ndodhë kur në krye të shtetit vijnë njerëzit që se kishin një kulturë shtetërore dhe aftësi për të udhëhequr me shtetin dhe interes e kishin pasurimin e tyre, e të cilët së pari është dashur të mendojnë për forcimin e shtetit, që mos të ballafaqohemi me këto pasoja si tani që po ballafaqohemi, ata mjerisht mendonin dhe vepronin si të pasurohen për veten e tyre sikur që ja arritën qëllimit, prandaj edhe investitor nga shtetet e ndryshme kur donin të investonin në Kosovë, të mëdhenjtë e shtetit iu kërkonin tallin-përfitimin e tyre, prandaj ata investitorë kur i dëgjonin këto kërkesa, u tërhiqeshin nga këto investime, prandaj s’është çudi tani që gjendemi në këtë situatë të pa shpresë. Nëse trendi i zbrazjes vazhdon tani sikur që po ndodhë, atëherë Kosova në një kohë jo të largët do të zbrazet dhe këtu do të mbesin vetëm moshat e pleqve, prandaj Serbia i ka të gjitha këto ndodhi parasysh dhe asaj kjo situatë i shkon përshtati”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat