Tri arsyet pse Franca po e bllokon Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

Politika

Tri arsyet pse Franca po e bllokon Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

Nga: P.R Më: 8 tetor 2021 Në ora: 21:07
Emmanuel Macron

Pas Samitit BE-Ballkan që u mbajt të mërkurën në Slloveni, eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor Bodo Weber, e ka fajësuar presidentin e Francës Emmanuel Macron për mos liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe mos zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ka mosmarrëveshje serioze mes vendeve anëtare për të ardhmen e zgjerimit. Presidenti francez Macron është seriozisht kundër zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian por që nuk e thotë me zë të lartë. Madje ai po ndikon edhe te shtetet tjera që të bllokojë zgjerimin e mëtejmë të BE-së. Qeveria e re gjermane do të ketë një sfidë të vështirë me Macronin, pasi që nëse nuk gjendet një marrëveshje me Parisin për të zhbllokuar zgjerimin e BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, zgjerimi do të jetë përfundimisht i vdekur për vitin e ardhshëm”, deklaroi Weber.

Por pse Franca po e bllokon liberalizimin e vizave për Kosovën dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor? Lidhur më këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, sipas të cilit bllokimi i Ballkanit Perëndimor nga Franca bëhet për tri arsye.

Image
Gurakuç Kuçi

“E para, ka të bëjë më çështje gjeopolitike. Franca po kërkon një vend si forcë globale të krahasueshme me SHBA-në, Rusinë, Kinën dhe Britaninë e Madhe, andaj po bënë veprime të cilat e dëmtojnë vijën gjeopolitike të SHBA-së me një presion sa kjo e fundit të ofrojë më shumë sovranitet dhe kompromis për Evropën në koordinimin strategjik”, thotë Kuçi.

Si arsye të dytë, Kuçi shprehet se ka të bëjë me çështjen e civilizimit.

“Ballkani Perëndimor në të vërtetë nuk shihet si Evropë, por si një fantazmë që vërtitët në kulturën perëndimore dhe kushdo që ndërmerr hapa më tutje do ndëshkohet në zgjedhje në Evropë por edhe do shkaktojë përçarja të cilat nuk janë edhe aq të rëndësishme por që opinioni i turmës nga fryma populiste mund t’i japë zjarr”, shton Gurakuç Kuçi për gazetën “Bota sot”.

Më tej, arsyeja e tretë sipas Kuçit është ajo e respektimit të demokracisë dhe sundimi i ligjit.

“E treta, ka të bëjë me ato ideologjike ku hyjnë çështjet e demokracisë, korrupsionit, sundimit të ligjit, paqes, etj. Pra, vendet e BP kanë probleme të mëdha mes vete dhe pa i rregulluar problemet mes vete nuk ka BE për Ballkanin Perëndimor. Problemi më i theksuar dhe që do zgjidhte edhe mosmarrëveshjet tjera në Ballkanin Perëndimor është ai ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shprehet Kuçi.

Për fund, Kuçi thekson se kjo qasje e Francës ndaj Ballkanit Perëndimor po e lejon infiltrimin e Rusisë dhe Kinës.

“Sidoqoftë kjo qasje jo e drejtë për BP-në lejon infiltrimin e faktorëve tjerë si Rusia dhe Kina gjë që dëmton gjithë gjeopolitikën e Perëndimit, andaj me të drejtë konsiderohet se BE nuk po vepron me drejtësi për Kosovën së pari dhe vendet tjera”, përfundon doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat