Bashkimi i Mitrovicës, përralla të vjetëruara fushate, ja pse nuk mund të bëhet

Politika

Bashkimi i Mitrovicës, përralla të vjetëruara fushate, ja pse nuk mund të bëhet

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 11 tetor 2021 Në ora: 17:33
Mitrovica e Veriut

Zgjidhja e problemit të qytetit të Mitrovicës është përmendur tani në fushatë zgjedhore. Është përmendur mundësia e organizimit të një peticioni për bashkimin e qytetit.

Një kandidate për asambleiste nga PDK-ja, ka deklaruar se nëse është nevoja do t’i mbledhin edhe 30 mijë nënshkrime të qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës.

Njohësit e ҫështjeve politike e vlerësuan këtë iniciativë të kësaj kandidate, duke i parë si të pamundura përpjekjet për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Madje sipas tyre kjo është vetëm një fushatë zgjedhore që është bërë edhe më parë, por realisht bashkimi nuk ka ndodhur.

Barani: Gjatë fushatës dëgjohen shumë e shumë gjëra apo mrekullira që do t'na ndodhin shumë shpejt

Image
Kryetari i Këshillit rajonal për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Komunën e Mitrovicës, Halit Barani,

Kështu, Kryetari i Këshillit rajonal për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Komunën e Mitrovicës, Halit Barani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar përpjekjet e PDK-së për bashkimin e këtij qyteti, duke e quajtur si një përrallë të stërvjetruar, në kohë fushate.

“Është kjo një përrallë e stërvjetruar tashmë, tani gjatë fushatës dëgjohen shumë e shumë gjëra apo mrekulli që do të na ndodhin shumë shpejt. Këto mrekulli ndodhin nëpër tubime të ndryshme por vetëm deri më 16 tetor kur përfundon fushata zgjedhore, mandej nuk kemi me dëgju kësi mrekullish sepse këta asambleistë harrojnë”, thotë Barani.

Ai nuk e beson mundësinë e grumbullimit të 30 mijë nënshkrimeve.

“Ka kaluar koha kur ka qenë mundësia me marrë, grumbullua dikush 30 mijë nënshkrime”, thekson ai.

Mulliqi: Problemi i veriut të Mitrovicës është aq i madh sa deklaratat mund të bëhen vetëm në fushata zgjedhore

Image
Analisti politik, Skender Mulliqi

Po ashtu edhe analisti politik, Skender Mulliqi, në një përgjigje të tij për këtë iniciativë thotë se problemi i veriut të Mitrovicës është aq i madh sa deklaratat mund të bëhen vetëm në fushata zgjedhore.

“Problemi i veriut të Mitrovicës është problem i madh, se sa deklaratat që mund të bëhen për bashkim të qytetit, gjatë fushatave elektorale, siç është edhe kjo e 17 tetorit të zgjedhjeve lokale. Dihet se në veriun e Mitrovicës kurrë nuk u bë ushtrimi i ndikimit deri në fund të organeve tona të shtetit. Mbi urën e lumit Ibër, për shumë kohësh u vunë barrikada , duke e ndarë qytetit në dy pjesë. Strukturat kriminale paralele në veri, si rojat e urës dhe strukturat dhe shërbimet sekrete serbe, e bënë ligjin sipas kutive të tyre më gjithë ikonografinë kriminale millosheviqiane”, vlerëson Mulliqi.

Ai thotë tutje se kësaj gjendjeje në veri të mos ushtrimit të sovranitetit i paraprinë edhe pushtetet tona të shtetit, të cilat nuk treguan zotësi që të shtrijnë ndikimin e organeve në çdo cep të Kosovës.

“Pse veriu kurrë deri më sot nuk funksionoi ashtu siç duhet në kuadër të tërësisë territoriale të Kosovës, e bartin edhe përfaqësuesit e KFOR-it të Francës, të cilët ishin pozicionuar pas luftës në veri të Mitrovicës. Nuk u lejua që shqiptarët të kalojnë në veri edhe pse i kishin shtëpitë dhe pronat e tyre. Konsiderohet se në veri të vendit kanë mbetur rreth 3000 mijë shqiptarë. Strukturat paralele kriminale serbe rojat e urës, shpesh rrahën shqiptarë dhe madje edhe ndërkombëtarë dhe kjo sikur u tolerua. Këto incidente dhe hedhja që kishim bërë më bomba, bëheshin për destabilizimin e Kosovës”, thekson Mulliqi.

Ai thotë se edhe tash Serbia e Vuҫiqit, sikurse regjimet serbe para tij, po shkaktojnë incidente dhe kërcënime me luftë, për të bërë faktike ndarjen e veriut mbi baza etnike.

“Firmosja e “Zajednicës” në Bruksel nga Thaҫi dhe Mustafa, po shihet se Kosovës dhe organeve të reja të shtetit, u ka mbetur barrë e rëndë mbi supe, që zor do të jetë të anulohet si e tillë, e dihet së Asociacioni ka kompetenca ekzekutive . Synimi i Vuçiqit është që të bëjë faktike “Zajednicën”, e cila në një të ardhme jo të largët do të shndërrohet në një “Republika Serpska”, por tash në Kosovë. Regjimi kriminal i Vuçiqit, së fundi kur Qeveria e Kosovës, vendosi masat e reciprocitetit për targat serbe , e kërcënojë Kosovën më luftë , duke sjellë në kufij ushtrinë dhe mjete të rënda luftarake”, thekson ai.

Mulliqi thotë tutje se, kjo krizë u tejkalua, me arritjen e marrëveshjes së Brukselit. Dihet se Vuçiqi bëri këto kërcënime më luftë për ta forcuar edhe pozitën në vazhdimin e bisedimeve më palën shqiptare.

“Organizimet e peticioneve dhe tubimi i 30 mijë nënshkrimeve nga kandidatja për asambleiste të PDK-së, është një vullnet i mirë, por asgjë më shumë, kur bëhet fjalë për bashkimin e Mitrovicës. Problemi i ushtrimit të sovranitetit dhe territorialitetit është bërë më problematik pas nënshkrimit të marrëveshjes nga pala jonë në bisedimet e zhvilluara në Bruksel, sepse çdo marrëveshje që është nënshkruar ka marrë karakter ndërkombëtar, dhe si të tilla është vështirë të anulohen. Qeverisë i mbetet punë e madhe për ta anuluar “Zajednicën” si të tillë, në vazhdimin e dialogut më palën serbe”, përfundon Mulliqi.

Ndryshe edhe kryetari aktual Mitrovicë, Agim Bahtiri në vitin 2018 kishte nisur një iniciativë për të mbledhur nënshkrime për peticionin për inicimin e procedurës për ndryshim - plotësimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim të bashkimit të komunës së Mitrovicës Veriore me atë jugore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat