Situata në veri të Kosovës/Eksperti i sigurisë ka një paralajmërim

Politika

Situata në veri të Kosovës/Eksperti i sigurisë ka një paralajmërim

Nga: M.H. Më: 13 tetor 2021 Në ora: 15:03
Foto nga vendi i ngjarjes

Gjatë ditës së sotme policia e Kosovës ka ndërmarrë aksione kundër kontrabandës në katër rajone të Kosovës, përfshirë në Mitrovicën e Veriut.

E në këtë të fundit, operacioni arriti të sjellë tensione, derisa serbët e kundërshtuan këtë veprim të Policisë dhe dogjën një veturë, sulmuan policinë dhe gazetarët.

Policia e Kosovës më pas bëri me dije që gjatë këtij operacioni janë arrestuar 8 persona, ndërsa në kërkim janë shpallur pesë persona.

Në lidhje me këtë temë, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Armend Halimi, i cili u shpreh se në veri të vendit gjithmonë janë të pranishme këto raste të dhunës.

Sipas tij, Policia e Kosovës dhe KFOR kanë kërkuar leje të lëvizë të kryejë këtë operacion dhe në këtë rast, faji bie tek politikat ndërkombëtare dhe nënshtrimi i pushteteve të kaluara, pasi trajtojnë atë pjesë të vendit de facto nën menaxhimin e këtyre grupeve.

Image
Armend Halimi

Situata në veri gjithherë do të përballet me këto raste të dhunës nga ana e grupeve kriminale dhe terroriste, gjersa institucionet e sigurisë i tolerojnë. Në fakt është absurditet çka ka ndodhë deri më tani. Sikur asnjë vend tjetër, institucionet e sigurisë PK dhe KFOR kanë kërkuar leje nga grupet e tilla kriminale për lëvizje në atë pjesë. Sigurisht këtu faji ka një adrese: politikat ndërkombëtare dhe nënshtrimi i pushteteve të kaluara, duke e trajtuar atë pjesë de facto nën menaxhimin e këtyre grupeve, ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, ai shton se kjo protestë e serbëve nuk mund të quhet protestë sepse nuk po kërkojnë të drejta, përkundrazi është kryengritje për të ndarë vendin.

Eksperti i sigurisë apelon të institucionet e sigurisë që të përdorin forcën e nevojshme për të realizuar punën e tyre.

“Çka duhet njëherë e mirë të kuptohet është se këto grupe kriminale dhe terroriste nuk duhet cilësuar protestë qytetare, ngase kryengritja e tyre asnjëherë nuk ka pasur bazë të kërkimit të ndonjë të drejte të mohuar, përkundrazi ato të drejta të ofruara dhe i kanë luftuar. Gjë që ky fakt i ka demaskuar dhe identifikuar kryekëput si dorë e zgjatur e Serbisë dhe Rusisë, qëllimi i të cilave është kriza në atë pjesë, për të ardhur në shprehje ndarja. Andaj, institucionet politike duhet ngritur këtë çështje si agresion të jashtëm, jo revoltë të brendshme si dhe institucionet e sigurisë të përdorin forcën në proporcion me nevojën për realizimin e mandatit të tyre”, përfundoi Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat