‘Frika’ nga formimi i asociacionit – analistët zbulojnë ‘lojërat politike’ të LDK-së ndaj kryeministrit Kurti

Politika

‘Frika’ nga formimi i asociacionit – analistët zbulojnë ‘lojërat politike’ të LDK-së ndaj kryeministrit Kurti

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 tetor 2021 Në ora: 08:35
Albin Kurti dhe Isa Mustafa - Foto ilustrim "Bota sot"

Tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është rikthyer në qendër të diskutimeve, pas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel lidhur me reciprocitetin.

Madje, Lidhja Demokratike e Kosovës ditë më parë u shpreh e frikësuar se Qeveria e Kosovës mund të pranojë themelimin e asociacionit të komunave serbe, sidomos pas marrëveshjes për targat dhe kërkesave të vazhdueshme nga BE-ja dhe Serbia për implementimin e marrëveshjes së vitit 2015.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se asociacioni me fuqi ekzekutive duhet të jetë i papranueshëm për Kosovën, por sipas tij, me Qeverinë Kurti rrezikohet themelimi i tij.

“Kjo qeveri po bënë hapa prapa sepse thoshte se marrëveshjet e kaluara nuk janë të mira, do t’i rishqyrtonte, tash po i realizon dhe madje po bënë hapa prapa. Unë kam drojë se me këtë lloj qeverie të papërgjegjshme dhe pa zonjë në punët e jashtme mund të rrezikojmë një asociacion me fuqi ekzekutive. Gjithsesi është i pa pranueshëm dhe cenon rregullimin kushtetues të Kosovës dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thotë ai.

Mirëpo, ky qëndrim i LDK-së nxiti reagime të shumta, pasi dihet se ishte vetë ish-kryetari i saj, Isa Mustafa, që e nënshkroi këtë marrëveshje.

Prandaj, edhe reagimi i kësaj partie ishte jo i arsyeshëm.

Analistët për gazetën “Bota sot” u shprehën se këto deklarata se gjoja LDK po frikësohet për formimin e Asociacionit janë vetëm për qëllime politike në prag të zgjedhjeve lokale.

Mulliqi: LDK po lëshon zëra për shfajësim, ja pse po e fajëson kryeministrin Kurti

Image
Analisti politik, Skënder Mulliqi

E lidhur me këtë, analisti politik, Skënder Mulliqi u shpreh se përmes kësaj deklarate lidhur me Asociacionin, LDK po tenton ta shfajësoi ish-kryetarin e tyre, Isa Mustafa.

Ai në prononcimin për gazetën “Bota sot”, ka thënë se përmes ‘frikës’ së tyre po tentohet që veprimet e kryeministrit Albin Kurti të shpërfaqen si të nxituara.

“Tash kur vazhdimi i bisedimeve me Serbinë po arrin ndoshta edhe fazën finale, kur po shtohet trysnia mbi Kosovën nga përfaqësuesit e BE-së, në këto bisedime, Lajçak dhe Borrell që Asociacioni të vihet mbi tavolinë, nga LDK po lëshohen zëra për shfajësim, se ish-kryetari i tyre, Isa Mustafa gjoja nuk e ka nënshkruar Asociacionin më kompetenca ekzekutive! Përmes një komunikate disa ditë më parë, LDK-ja fajin për nënshkrimin e kësaj marrëveshje ia atribuoi ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit. Dhe, tutje thuhet në komunikatë se kryeministri, Albin Kurti po e rrezikon shtetësinë e Kosovës më veprimet e tij të nxituara. Kemi dëgjuar edhe Isa Mustafën tash se Asociacioni nuk është në favor të Kosovës, dhe paraqitjen tjetër në opinion se, ai gjoja nuk e ka nënshkruar marrëveshjen në fjalë”, ka deklaruar ai.

Sipas Mulliqit, këto deklarime po bëhen me qëllim në kohë të zgjedhjeve lokale, me synim që të marrin më shumë vota elektorale.

Mirëpo, krahas kësaj ai përmendi edhe dëmin që i është bërë Kosovës me vendosjen e nënshkrimeve të Mustafës dhe Thaçit, për Asociacionin.

“Të gjitha këto deklarime nga ana e LDK-së dhe veçanërisht të Mustafës po bëhen tash, kur po afrohet data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, për të fituar më shumë vota. Dihet se çfarë dëmi i është bërë Kosovës me firmosjen e Asociacionit në Bruksel, së pari nga Thaçi dhe së fundi vulë marrëveshjes i dha Isa Mustafa. Edhe Thaçi edhe Mustafa tjera deklarime kanë pasur atëherë lidhur më Asociacionin, duke e arsyetuar se gjoja nuk e prek statusin politik të Kosovës. Dihet se sa i kanë dhënë zjarr që të dytë para kësaj, lidhur më vijën e Demarkacionit me Mal të Zi, duke arsyetuar nënshkrimet e tyre, edhe pse e dinë fortë mirë së i kanë falur 8200 hektarë tokë këtij shteti fqinj”, ka theksuar analisti.

Duke u nisur nga argumentet e lartpërmendura, ai tha se me këtë vërtetohet se ky nuk është gabimi i parë i Mustafës.

Sipas analistit, me këtë metodë po tentohet të mbulohet faji i Mustafës dhe kjo gjë t’i faturohet kryeministrit Kurti.

“Do të thotë se “Zajedinca” nuk ka qenë gabimi i parë i Mustafës, për t’ia faturuar tash Kurtit fajin se gjoja po nxitohet. Ky është një tentim i mbulimit të fajit shumë të madh të Isa Mustafës, që Kosovën me Asociacionin e ka sjellë para aktit të kryer, kur dihet se çdo marrëveshje e nënshkruar merr karakter ndërkombëtar. Këtë gjë e dinë mirë Mustafa dhe LDK-ja, por edhe PDK-ja, të cilët keq qeverisën me vendin për shumë vite, duke i cenuar me disa marrëveshje te nënshkruara interesat e Kosovës. Të përdoret kjo temë shumë e ndjeshme dhe e interesit madhor, për fushatë elektorale është pafytyrësi e llojit të vet. Kjo temë nuk është e asnjë personi apo partie të caktuar politike, kjo temë është e të gjitha subjekteve politike dhe shqiptarëve përgjithësisht”, ka nënvizuar Mulliqi.

Në vazhdim, analisti tha se ish-pushtetarët e kaluar në vend që të reflektojnë, ata po vazhdojnë me avazin e vjetër dhe lojërat e tyre politike.

Ai tha se Asociacion do të thotë ndarje e Kosovës mbi bazat etnike.

“Ata që nuk punuan mirë për Kosovën në të kaluarën, në vend që të pësojnë katarsis pozitive, po vazhdojnë me avazin e vjetër të lojërave politike për t’i arritur synimet partiake dhe synimet pushtetare. Implementimi i marrëveshjes së Asociacionit si është nënshkruar në Bruksel, do të thotë ndarje të Kosovës mbi bazat etnike apo formim i një “Republike Srpska” të re por tash në Kosovë. Qeveria e re është e përkushtuar lidhur me këtë temë që ajo mos të gjejë zbatim në këtë formë, e cila Kosovën e bën shtet jo funksional. Dihet se edhe Kushtetuta e Kosovës e kishte hedhur poshtë në shumë nene si të tillë”, ka potencuar ai.

Në fund, Mulliqi tha se duhet të bëhet një punë jashtëzakonisht e madhe për ta zhvlerësuar marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por nëse nuk arrihet të bëhet një gjë e tillë, atëherë përgjegjës kryesor do të jenë nënshkruesit e saj dhe jo kryeministri Kurti.

“Por, e thashë edhe më lart se duhet punë e madhe, për ta zhvlerësuar një marrëveshje e cila ka marrë formën ndërkombëtare, e për çka Kurti, edhe nëse ndodhë ndonjë e papritur e madhe, nuk bart përgjegjësi. Përgjegjësi mbajnë nënshkruesit e Asociacionit me disa kompetenca ekzekutive, mbajnë përgjegjësi edhe ata deputetët që i patën ngritur lartë gishtat në Kuvend për ta bërë faktike”, ka deklaruar analisti Skënder Mulliqi për gazetën “Bota sot”.

Ahmeti: Retorika politike e LDK-së lidhur me Asociacionin është në kontekstin e fushatës zgjedhore

Image
Analisti politik, Hidajet Ahmeti

Kurse, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti, vlerësoi se ky qëndrim i Lidhjes Demokratike të Kosovës më shumë është për fushatë zgjedhore dhe jo qëndrimet e vërteta të kësaj partie.

“Retorika politike e LDK-së më shumë është në kontekstin e fushatës zgjedhore e jo ajo që proklamohet nga ky subjekt”, është shprehur ai.

Ahmeti në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” e përmendi faktin se këtë marrëveshje e ka kundërshtuar në vazhdimësi LVV sa ishte në opozitë dhe pikërisht ishte ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ai që e nënshkroi këtë marrëveshje.

“Marrëveshja në fjalë është nënshkruar nga ish-kryetari i LDK-së, zoti Mustafa dhe ka qenë Vetëvendosje si parti opozitare në atë kohë, e cila në vazhdimësi ka bërë presion përmes formave demokratike që marrëveshja në fjalë të bie poshtë, por fatmirësisht versioni interpretues nga Gjykata Kushtetuese e shpall si antikushtetuese, pasi nuk ishte në frymën kushtetuese dhe bie ndesh me 23 nene të Kushtetutës”, përmbylli Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat