“E turpshme”/Kritika të ashpra ndaj Borrell që qortoi Kosovën – analistët tregojnë cili është qëllimi i tij

Politika

“E turpshme”/Kritika të ashpra ndaj Borrell që qortoi Kosovën – analistët tregojnë cili është qëllimi i tij

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 14 tetor 2021 Në ora: 10:42
Josep Borrell

Policia e Kosovës të mërkurën ka zhvilluar një operacion kundër mallrave të kontrabanduara.

Ky aksion është zhvilluar në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë dhe në Mitrovicën e Veriut. Gjatë zhvillimit të aksionit në Mitrovicën e Veriut, Policia ka hasur në rezistencë nga serbët lokalë, të cilët kanë bllokuar rrugët dhe gjithashtu kanë sulmuar pjesëtarët e policisë me gurë, madje edhe duke përdorur bombola gazi, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri e granata dore.

Shefi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka reaguar lidhur me këtë incidente në veri të Mitrovicës.

Borrell përmes një reagimi në Twitter ka shkruar se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borrell.

Reagime të shumta kundër Borrell-it ka pasur pas kësaj deklarate, pasi ai është shprehur kundër Kosovës, duke e qortuar këtë të fundit, për aksione të policisë për ta luftuar krimin dhe kontrabandën, një kërkesë kjo e vazhdueshme e BE-së.

E njohësit e çështjeve politike, derisa e kanë komentuar deklaratën e Borrell, për gazetën “Bota sot” kanë thënë se ajo është e turpshme.

“E turpshme për Borrellin të përkrahë pasigurinë e Kosovës”

Analisti Sulejman Mehazi, ka potencuar se deklarata e Borrellit nuk na çudit aspak, duke e pasur parasysh që ai vjen nga një shtet i cili nuk e ka njohur Kosovën.

Madje, Mehazi thotë se nëse Borrell është kundër këtyre aksioneve policore, atëherë kjo do të thotë se ai dhe BE-ja i kanë krijuar këto banda kriminale.

“Nuk na çudit fare deklarata e përfaqësuesit evropian për Siguri, Josip Borrell, që është kundër aksioneve të drejta e kushtetuese të policisë së Kosovës në disa komuna të Kosovës, ndaj bandave kriminale që dëmtojnë rëndë Qeverinë e Kosovës. Dihet se ai është nga Spanja që nuk e njeh Kosovën, normale që është kundër veprimeve policore të Kosovës. Cili shtet evropian i pavarur pyet Borrellin për të eliminuar bandat kriminele që tejkalojnë kushtetutën e shtetit?. Nëse Josip Borrelli është kundër aksioneve policore të Kosovës në Prishtinë, Pejë e në Veri të Kosovës, atëherë mund të themi se vetë ai dhe BE-ja kanë krijuar këto banda kriminele e ju kanë dhënë leje të destabilizojnë e dobësojnë qeverinë e Kurtit. Nëse BE-ja e Borrelli janë kundër aksioneve të arsyeshme të policisë së Kosovës ndaj gjëmave kontrabandiste, atëherë nuk na duhet ky lloj Borrelli së bashku me BE-në”, ka thënë Mehazi.

Tutje, ai ka theksuar se nëse janë të papranueshme këto veprime për Borrellin, atëherë le të tregojë se cilat veprime sipas tij janë të pranueshme.

Profesori po ashtu ka thënë se është e turpshme për Borrellin që e përkrahë pasigurinë e Kosovës, se ai së bashku me BE-në duhet t’i përkrahin këto aksione, e jo të jenë kundër tyre.

“Nëse për përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrell, janë të papranueshme veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të policisë së Kosovës ndaj bandave korruptive kriminele me BE-në, atëherë le të urdhërojë se cilat veprime policore janë të pranueshme e të koordinuara për të, mos veprimet policore serbe brenda Kosovës? E pyesim përfaqësuesin Borrell të Spanjës se shteti i tij gjatë aksioneve policore spanjolle ndaj këtyre llojeve bandash të rrezikshme a e pyet BE-në apo reagon njëanshëm ndaj grupe banditeske spanjolle. Është e turpshme për Borrelin si përfaqësues i lartë i Sigurisë Evropiane të përkrah pa sigurinë e Kosovës nga këto banda kriminelë që prishin sigurinë që do ai. Borrelli e BE-ja në vend që të falënderojnë e përkrahin aksionet e sotshme policore të Kosovës, bëjnë të kundërtën”, ka deklaruar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

“Deklarata e z Borrell, tipike antievropiane”

Në anën tjetër, profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi, ka deklaruar se veprimet e Lajçak dhe Borell duhet t’i ndalojë UE, madje e dëmshmja e kësaj është se të dy po deklarojnë në emër të UE.

Sipas Kelmendit, Borrell e dëshiron veriun të shkëputur nga Kosova.

“UE duhet të ndalë z.Borrell dhe z.Lajçak nga veprimet e njëanshme në raport me Kosovën. Tashmë dihen qëndrimet e z Borrell dhe të z Lajçak për çështjen Kosovë-Serbi. E dëmshmja është se të dytë po deklarojnë dhe po punojnë në emër të UE. Deklarata e z Borrell është tipike antievropiane. Z. Borrell është i vetëdijshëm se krimi dhe kriminaliteti luftohet kudo. Edhe në Spanjën e tij, nga vjen ai, ka aksione të policisë. Natyrisht se edhe aksione të gjera që kërkojnë intervenime policore të ligjshme. Mirëpo, z.Borrell e do veriun e Kosovës jashtë kontrollit të Republikës së Kosovës, të pavarur dhe që donë të shkëputet nga Kosova. Është e çuditshme dy anshmëria e Z.Borell”, është shprehur ai.

Tutje, ai ka shtuar se Spanja po e kërkon pavarësinë e saj, madje baskët bënë referendum të ndahen nga Spanja, e në këtë rast Spanja burgosi shumë veta, e Borell i quan të papranueshme veprimet e Kosovës.

Andaj, sipas Kelmendit, deklarata e Borrell nënkupton dyanshmërinë e tij, duke e ditur se Mitrovica është territor i Kosovës.

“Në Spanjë është një komb që kërkon pavarësinë dhe shtetin e vetë. Janë basket që edhe bënë referendum për tu ndarë nga Spanja. Por, Spanja shkeli këtë me mjete policore dhe kapi e burgosi shumë veta, madje edhe udhëheqësit e këtij populli. Ndërsa, udhëheqësi, z. Puschdemon, iku jashtë vendit. Po ku z.Borrell tregon "se janë të papranueshme veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuar në Kosovë". Kjo deklaratë tregon dyanshmërinë e z. Borrell. Në Kosovë nuk duhet të luftohet krimi dhe kriminaliteti, ndërsa në Spanjë, përpjekjet demokratike të baskeve për liri shtypen. Dhe po kështu: Me kënd duhet të koordinohen aksionet e policisë kundër krimit? Z. Borrell e di se Mitrovica është territori i Kosovës”, ka shtuar Kelmendi.

Më tej, ai theksoi se Borrell gjithashtu Veriun po e konsideron si territor asnjëjës, gjë që e rrezikon sigurinë, madje edhe njëanshmëria e rrezikon paqen, duke e forcuar krimin në njërën anë.

Kelmendi ka shtuar se UE nuk duhet të lejojë shkatërrimin e paqes, andaj duhet të ndalojë Borrellin dhe Lajçakun për veprimet e tyre të pamatura.

“E këtu aksionet kundër krimit, si çdo kund, kryhen nga policia. Ata nuk pyesin politikën. Por veprojnë. Dhe së dyti, z.Borrell po e konsideron Veriun e Kosovës në territor asnjëjës e që duhet të dialogohet me shtetin serb. Kjo e rrezikon shumë sigurinë dhe paqen në tërë Ballkanin. Është e dëmshme dyanshmëria në qëndrime dhe njëanshmëria në kuadër te aksionet të policisë kundër krimit. Njëra palë që është demokratike luftohet dhe pala tjetër pse vepron policia kundër krimit mbrohet. Këtë nuk e ka nga UE. Me siguri vetëm për vetëm ka vepruar. Kjo e rrezikon paqen, sepse e forcon krimin në këtë ane. UE duhet të ndaloj z.Borrell dhe z.Lajçak nga këto veprime të pamatura dhe të rrezikshme për rajonin. Shumë është investuar nga UE për paqen dhe lirin e popujve në këto anë të Ballkanit perëndimor dhe tash nuk duhet që UE të lejojë shkatërrimin”, përfundoi Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat