Prapaskena/ Pse Vuçiq kërcënoi me luftë, e Borell sulmoi Kosovën? Ky është paralajmërimi për Albin Kurtin

Politika

Prapaskena/ Pse Vuçiq kërcënoi me luftë, e Borell sulmoi Kosovën? Ky është paralajmërimi për Albin Kurtin

Nga: P.R Më: 14 tetor 2021 Në ora: 20:31
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Edhe pse Njësia Speciale e Policisë së Kosovës shkoi në veri të Kosovës për një operacion që kishte për qëllim luftimin e kontrabandës, ky aksion nxiti rragamin e shtetit serb dhe presidentit të tyre, Aleksandër Vuçiq.

Madje Vuçiq si jo rrallë herë, kërcënoi me luftë Kosovën. Në mbështetje Kosovës i dolën SHBA, Gjermania dhe NATO. Ndërkohë i Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, kritikoi Kosovën për dërgimin e Policisë në veri të Kosovës.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, shkroi Borrell në një postim në “Tëitter”.

E për ta analizuar aksionin e Policisë së Kosovës dhe reagimet që pati, gazeta “Bota sot” ka folur me profesor, doktor Enver Bytyçin.

“Dje policia e Kosovës ushtroi kontrolle ligjore për luftën kundër trafiqeve e kontrabandës në Prishtinë, në Pejë, Mitrovicën e Jugut e të Veriut si dhe Leposaviç. Në fakt në Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviç dështoi, sepse policia kontrolloi vetëm një lokacion, nga tetë gjithsej të planifikuar për kontroll. Dështoi, sepse aksioni u dekonspirua dhe serbët patën kohë të reagonin. Madje dua të them se më në befasi reaguan serbët, sesa ishte vetë operacioni anti-kontrabandë i policisë. Kjo ngjarje u shfrytëzua nga serbët e Kosovës dhe nga presidenti i Serbisë për të reaguar në mënyrë arrogante dhe kërcënuar për luftë. Vuçiq tha se ishte i gatshëm të ndërhynte ushtarakisht për atë që ai e quan "mbrojtjen e serbëve në Kosovë"! Rakiq foli për natën e kristaltë, duke e krahasuar ngjarjen me natën kur nazistët gjermanë sulmuan në vitin 1938 bizneset, shtëpitë botuese, gazetat dhe gjithçka tjetër që kishin në dorë hebrenjtë në Gjermani. Taktizimi për ta bërë situatën tragjike është i njohur tashmë te serbët”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Vuçiq është në përpjekje për të vendosur kontrollin serb në komunat e veriut të Kosovës, ndërkohë Albin Kurti po tenton të vendosë kontrollin e shtetit të Kosovës në veri të vendit.

“Vendosja e kontrollit nga ana e tij de facto e bën atë të fuqishëm në dialogun me Kosovën. Presidenti i Serbisë është në presion të madh për t'i dhënë fund këtij konflikti. Pra për të nënshkruar paqen përfundimtare me Kosovën dhe për ta njohur atë si shtet të pavarur. Ndaj ai ngutet që ta shfrytëzojë situatën në favor të tij, me qëllim kontrollin jo vetëm të serbëve, por edhe të territorit të veriut të Mitrovicës. Të njëjtën politikë ndjek Albin Kurti. Edhe ai kërkon dhe tenton të vendosë kontrollin e shtetit të Kosovës në veri të vendit, me qëllim që të evitojë krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Ky është thelbi i dy aksioneve policore në veri, për vendosjen e reciprocitetit të targave dhe për luftën kundër krimit të organizuar”, shprehet më tej Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Më tej, profesor Bytyçi kritikon qasjen e opozitës në Kosovë karshi veprimeve të Qeverisë Kurti.

“Fatkeqësisht një pjesë e opozitës së Kosovës me ose pa qëllim të keq, është vënë në shërbim të synimeve të Serbisë dhe i kundërvihet aksioneve policore të Kosovës për të vendosur kontroll të plotë në këtë pjesë të vendit. Në vend të përkrahjes dhe solidaritetit me aksionet e policisë dhe vendimet e qeverisë, shohim një degradim të debatit dhe përçudnim të qëndrimeve që mbajnë analistë dhe opozitarë të ngurtë kundër këtyre masave”.

Profesor Bytyçi deklaron se gjithçka që luhet në veri të Kosovës, bëhet si përpjekje për kontroll të territorit në veri të Kosovës.

“Në këtë kuadër do të ketë edhe në të ardhmen e afërt përsëri ngjarje të tilla. Aleksandër Vuçiq do të përpiqet të kërcënojë. Mund ta sjellë edhe ushtrinë në kufi me Kosovën, pavarësisht se asaj nuk i lejohet të afrohet më shumë se 5 km, sipas rezolutës 1244. Mund të provokojë vrasje dhe trazira në veri. Mund të risjellë kamionë të ngarkuar me zhavorrin e nxjerrë nga varrezat masive të shqiptarëve të masakruar në Rashkë. Mund të provokojë edhe ndonjë sulm të vogël kaçakësh me një batare krismash në kufi. Mund të armatosë serbët e veriut në mënyrë ilegale. Ngjarja e djeshme dëshmoi se armët dhe granatat luftarake janë tashmë në duart e disa serbëve ekstremistë të paguar nga Beogradi”, shpjegon më tej profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet më mirë për të tjerat aksione policore dhe politikat që do të ndjekë për të shtrirë plotësisht autoritetin dhe sovranitetin e shtetit edhe në veri të vendit.

“Rasti i djeshëm dëshmoi se përkrahja e SHBA-ve, Gjermanisë, NATO-s dhe KFOR-it është e plotë për këtë. Është kohë e guximtarëve. Nuk ka vend për panik dhe frikë. Sllobodani i sotëm i Beogradit nuk e ka as guximin e Milosheviçit të parë, as mbështetjen e duhur për të ndërmarrë ndonjë akt agresioni ndaj Kosovës. Presidenti serb e pranon vetë se KFOR-i është aty me mandat të Këshillit të Sigurimit për të ruajtur sigurinë në Kosovë. Çdo akt sulmi apo ataku ndaj Kosovës, edhe në veri, e sidomos në veri të saj, do të jetë përballje me KFOR-in, d.m.th me NATO-n, d.m.th me SHBA-të”, thekson Bytyçi.

“Por për të evituar çdo lloj konflikti, Shtëpia e Bardhë po mendon për një diplomaci imponuese të tipit çfarë ishte kjo diplomaci në vitet 1998-1999. Për këtë arsye vjen si ambasador i SHBA-ve në Serbi Christofer Hill. Edhe shkuarja e zonjës Osmani në Këshillin e Sigurimit në cilësinë e presidentes të Republikës së Kosovës ka një domethënie të madhe. Është akt, me të cilin miqtë e Kosovës dhe drejtuesit e institucioneve të saj duan të afirmojnë të drejtën e ushtrimit të sovranitetit në të të gjithë territorin”, nënvizon profesor Bytyçi.

Bytyçi ka treguar arsyen, që sipas tij, Borell kritikoi Kosovën për aksionin në veri të vendit.

“Nga qëndrimet e ndërkombëtarëve gjykoj se reagimi i ambasadës amerikane, i KFOR-it, NATO-s dhe ambasadorit gjerman ishin në përkrahje të hapur dhe të plotë të të drejtës së Kosovës dhe qeverisë së saj për sovranitet e kontroll në të gjithë territorin e vendit. Kjo është shumë e rëndësishme. Por në Evropë ka forca kundër këtyre përpjekjeve të shtetit të Kosovës. Borrell ishte ndër ta që reagoi, duke qortuar qeverinë e Kosovës. Vuçiq tha se për herë të parë fajësohet vetëm Kosova dhe jo Serbia. Megjithatë qëndrimi i Borrell mund të jetë gjithashtu diplomatik, sepse një qëndrim i tij i ashpër me Serbinë, mund të çojë në mospjesëmarrjen e saj në dialog. Për Borrell është e rëndësishme kjo pjesëmarrje. Për Kosovën dhe për shqiptarët është krejt e parëndësishme”, thotë ai.

Për fund, Bytyçi shprehet se në vendet e Bashkimit Evropian ka segmente dhe qeveri që nuk e përkrahin Kosovën.

“Shihni si e bllokon Franca atë për liberalizimin e vizave. Gjithë qëllimi I saj është që liberalizimin e vizave ta përdor si presion ndaj qeverisë së Kosovës për të bërë lëshime në dialogun me Serbinë. Megjithatë qeveria e Kosovës duhet të rezistojë dhe duhet të punojë me të gjithë kapacitetet e saj për të vendosur kontrollin e saj në veri të vendit, me profesionalizëm dhe pa nxit debate politike. Askush nuk mund t'ia mohojë asaj këtë të drejtë. Vetëm në këtë mënyrë Kosova do të evitojë ndarjen e vendit dhe krijimin e Asociacionit serb”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat