Tregtia e “zezë” në veri/ Pas deklaratës së Vuçiqit, paralajmërohen demonstrata nga serbët – ja kush duhet të ndërhyjë

Politika

Tregtia e “zezë” në veri/ Pas deklaratës së Vuçiqit, paralajmërohen demonstrata nga serbët – ja kush duhet të ndërhyjë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 tetor 2021 Në ora: 19:12
Aksioni në veri të Kosovës

Policia dhe Dogana së Kosovës, para pak ditëve realizuan aksion në disa komuna të Kosovës, përfshirë në Mitrovicën e Veriut, kundër kontrabandave me mallra.

Ky aksioni shkaktoi sërish tensione në këtë pjesë të Kosovës, ku turma të mëdha të qytetarëve serbë tentuan të pengojnë aksionin e policisë. Madje, në disa rrugë në komunën e Zveçanit, banorët vendosën kamionë për të bllokuar rrugët.

Gjatë këtyre protestave u lënduan të paktën gjashtë persona.

Lëndimin e 6 personave e konfirmoi drejtori i Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Zllatan Elek.

"Lëndimet janë shkaktuar nga bombat zhurmuese, dhe pacientët aktualisht janë në departamentin e pranimit në kirurgji. Ekzaminimi është duke u zhvilluar, që do të thotë lëndime nga bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës”, bëri të ditur Elek.

Në mesin e të lënduarve kishte edhe policë dhe gazetarë shqiptarë.

Mirëpo, policia njoftoi se të gjitha veprimet janë realizuar me prokuroritë dhe gjykatat.

"Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të të cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Tërnava: Serbia aksionet e Policisë së Kosovë po i përdorë si presion ndaj popullatës serbe

Ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, komentoi situatën në veri të Mitrovicës, pas aksionit kundër kontrabandave.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai u shpreh se kjo pjesë e Kosovës që nga përfundimi i luftës, nuk është udhëhequr siç duhet, madje është anashkaluar nga institucionet e Kosovës. Sipas tij edhe kjo është arsyeja pse krimi ka lëshuar ‘rrënjë’ krimi në veri të Kosovës.

“Situata në ato pjesë të territorit të Kosovës saktësisht në veri, që një kohë të gjatë nga paslufta e deri më tani, është jo mirë, edhe që ajo pjesë asnjëherë nuk është qeverisur ashtu si duhet nga institucionet e Kosovës. Në ato pjesë që nga çlirimi e deri më tani është zhvilluar një tregti në të “zezë” një kontrabandim i mallrave të tëra e që bash në ato pjesë territoriale kufizohen me Serbinë, ajo pjesë ka qenë e anashkaluar dhe e lënë pas dore. Krimi në ato pjesë i ka lëshuar rrënjët e saj dhe me të madhe janë kontrabanduar dhe transportuar mallra të tëra të pa doganuara nga Serbia për në Kosovë, ky lloj i këtij krimi ka qenë i kontrolluar nga krye kokat e krimit, si të atyre serbe dhe atyre shqiptare”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Sipas Tërnavës, tani institucionet e vendit janë angazhuar për ta luftuar krimin e angazhuar në këtë pjesë, prandaj edhe kishte konfrontime në mes qytetarëve dhe policëve, ku disa edhe mbeten të lënduar.

“Për ta eliminuar këtë lloj krimi, institucionet e luftimit të këtij lloji të krimit sikur që janë policia dhe dogana janë angazhuar në luftimin e këtij lloji të këtij krimi, dhe si pasojë gjatë këtij aksioni të intervenimit nga ana e policisë, kishte edhe të lënduar dhe të plagosur nga armët e shkrepura nga qytetarët në ato pjesë, sikur që kishte edhe të lënduar nga ana e qytetarëve në ato përleshje ku kishte edhe përdorim të armëve nga policia, prandaj armët u përdoren nga dy anët, dhe personat e lënduar u detyruan të shtrihen në spitalet për rreth”, nënvizoi ai.

Mirëpo, ish-zëvendësministri i MPB-së mbeti i habitur me zmadhimin e këtyre akteve juridike nga ana e shtetit serb. Ai tha se Serbia po iu del në përkrahje kriminelëve, ndërsa në opinion intervenimin e Policisë së Kosovës po e paraqet si dhunë, ku qëllim ka shpërnguljen e serbëve.

“Është për tu habitur nga ana e popullit serb të atyre pjesëve, e sidomos nga shteti i Serbisë se si iu dalin në përkrahje atyre kriminelëve që dihet se një kohë të gjatë ata merren me këto kontrabandime, e sidomos është për tu habitur pse shteti serb i hiperbolizon këto akte juridike të ndërmarra si intervenime nga ana e Policisë së Kosovës, dhe i paraqet në opinion sikur përdorim dhune nga institucionet e Kosovës ndaj popullit serb, e që e paska qëllimin e shpërnguljeve të serbëve nga ato pjesë të territorit të Kosovës, dhe kërkon nga popullata serbe në Kosovë të protestojnë për këto veprime! Ministri Sveçla i pyetur për këtë intervenim nga ana e policisë, ka thënë se kjo është një pjesë e luftës kundër krimit si në këtë rast kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal”, theksoi Tërnava.

Në vazhdim, ai tha se është pikërisht bashkësia ndërkombëtare që po kërkon me çdo kush luftimin e krimit të organizuar, madje përmendi se ky luftim po bëhet në të gjitha pjesët e territorit të Kosovës dhe jo vetëm në veri të vendit.

Tërnava potencoi se në rast se Serbia do ta përkrahte luftimin e krimit, atëherë intervenimi i policisë do të kryhej në mënyrë të duhur, pa përleshje dhe lëndime.

“Bashkësia evropiane me të madhe po kërkon që të luftohet krimi në përgjithësi në Kosovë, dhe po kërkon që krimi të luftohet seriozisht si kusht që edhe Kosova të lëvizë drejt BE dhe t’i lejohet liberalizimi i vizave. Gjithsesi se ky luftim duhet të shtrihet në të gjitha pjesët e territorit të Kosovës, prandaj edhe këto pjesë ku është bërë ky intervenim i tanishëm, është në përbërje të gjithë territorit të Kosovës. Sikur të ndodhte që Serbia ta përkrahte intervenimin e Policisë së Kosovës si qëllim të luftimit të kontrabandimit, stabiliteti i Kosovës do të ishte shumë stabil dhe nuk do të kishte edhe asnjë incident mes qytetarëve të asaj pjese që në shumicë janë serbë”, tha ndër të tjera ish-zëvendësministri i MPB-së.

Por, sipas tij shteti serb po e përdorë këtë aksion të policisë si qëllim që gjatë bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës, ajo pjesë e territorit t’i bashkëngjitet Serbisë.

“Mjerisht që Serbia këtë aksion të policisë po e përdorë si presion ndaj popullatës serbe, që si qëllim të shqiptarëve po e aktualizon shpërnguljen e serbëve, dhe po e përdor si qëllim që gjatë bisedimeve që janë në proces e sipër mes Serbisë dhe Kosovës, ajo pjesë e territorit t’i bashkëngjitet Serbisë. Dhe, me këtë Vuçiq do t’ia arrinte qëllimit të tij në politikën serbe, që ia arriti qëllimit që atë pjesë t’ia bashkëngjis Serbisë, dhe me këtë edhe në zgjedhje të Serbisë do i fitonte zgjedhjet dhe do të mbetej si patrioti burrështetas i Serbisë”, potencoi Tërnava.

Tutje, eksperti i sigurisë paralajmëroi se në ditët në vijim mund të ketë protesta nga ana e serbëve, e veçanërisht nëse e kërkon këtë gjë politika shtetërore e serbe.

Ai e citoi edhe deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për mbështetjen e Listës Serbë, ku tha se kush nuk e mbështet LS, Serbia nuk do t’i ndihmojë më ata.

“Lidhur me këtë sa i përket zhvillimeve të këtyre ngjarjeve në ato pjesë të veriut për ditët në vijim, mund të ketë pakënaqësi dhe protesta nga ana e serbëve, e sidomos nëse këtë e kërkon nga popullata serbe që jetojnë në Kosovë, politika serbe shtetërore, sikur që para disa ditëve që u deklarua Vuçiq, se kush nuk qëndron prapa Listës Serbe në Kosove, edhe Serbia më nuk do t’i ndihmojë ata, dhe do t’i largoj nga puna që janë kah punojnë, dhe nuk do t’iu jap ndihmat që i marrin pandërprerë. Prandaj, marrë në tërësi pranë këtij qëndrimi dhe politikave të kryetarit të Serbisë, situata në ato pjesë të veriut nga ana e serbëve edhe mund të eskaloj në forma të ndryshme të protestave, e që aty do të intervenoj Policia e Kosovës, si kompetencë dhe obligim ligjor që e ka për të intervenuar, dhe për ta ruajtur rendin dhe qetësinë që e garanton Kushtetuta e Kosovës”, deklaroi ai.

Në fund, Tërnava tha se në qoftë se eskalon situata dhe organizohen protesta qytetare nga serbët, atëherë Policia e Kosovës duhet të intervenojë dhe jo ndonjë polici e shteteve të tjera për rreth.

Madje, ai kërkoi që të vazhdojë përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare për aksionit kundër krimit të organizuar në Kosovë.

“Në këto trazira në forma të demonstratave apo protestave qytetare, kompetencë ligjore për të intervenuar e ka vetëm Policia e Kosovës, e kurrsesi policia e shteteve të tjera për rreth, sikur që është ajo e Serbisë, një intervenim i shtetit serb do të ishte sulm ndaj Kosovës, e kur dihet që kufijtë e territorit të Kosovës i ruajnë KFOR-i me NATO-në.

Me që shumë institucione ndërkombëtare si dhe shtete të ndryshme të BE e përkrahën intervenimin e policisë dhe atë doganor ndaj kontrabandistëve, kjo përkrahje duhet edhe më tutje të qëndrojë pranë shtetit të Kosovës, kjo do të ishte një ndihmë dhe përkrahje publike e shteteve mike, se intervenimi për luftimin e krimeve në përgjithësi është i ligjshëm dhe atë intervenim e përkrahin të gjitha shtetet e botës”, përfundoi Hajrullah Tërnava.

Krasniqi: Nuk ka rrezik në veri, Serbia po provokon që të përfitojë kohë

Image
Islam Krasniqi

Ndërsa, analisti politik, Islam Krasniqi e vlerëson ndryshe situatën e krijuar në veri.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se nuk sheh ndonjë rrezik që të eskalojë situata në këtë pjesë të Kosovës.

“Jo nuk ka asnjë rrezik pasi që ajo u krye, edhe ata e dijnë fuqinë e shtetit, mirëpo e provokojnë gjendjen që të përfitojnë kohë apo që të vendoset çështja e tyre në bisedime”, deklaroi analisti.

Sipas Krasniqit, institucionet e Kosovës duhet të jenë të matura në veprimet e tyre, pasi policia ka kapacitet për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kërkesa këto të bashkësisë ndërkombëtare.

Ai u shpreh se me që kufijtë e Kosovës ruhen nga KFOR-i, atëherë pas çdo tentimi, serbët do t’i kenë përballë ata.

“Ne po duhet të jemi të matur në veprimet tona, policia ka kapacitetet që t’i kryej ato bastisje pa i penguar askush, mirëpo i kanë kursyer këtë herë, pasi që sundimi i ligjit dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit ka qenë kërkesë e kamotshme e bashkësisë ndërkombëtare, e që në jemi të obliguar që ta përmbushim këtë obligim duke e ditur se ka qenë një ndër pengesat më të mëdha për liberalizimin e vizave. Po ashtu, kufijtë tonë i ruan KFOR-i në atë pjesë e që çdo tentim do të ketë përballje me KFOR-in, kështu që nuk do të ketë asnjë incident”, përmbylli Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat