Bashkimi Kosovë-Shqipëri/Ky është skenari që pritet të ndodhë

Politika

Bashkimi Kosovë-Shqipëri/Ky është skenari që pritet të ndodhë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 tetor 2021 Në ora: 22:09
Foto ilustrim

Një ndër temat më të përfolura këto ditë ka qenë mundësia e bashkimit Kosovë-Shqipëri.

Kjo mundësi u përfol së fundmi nga kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama, i cili u shpreh se do të ndodhë një bashkim i tillë mes dy vendeve.

E kjo ide padyshim që shkaktoi debate të mëdha duke revoltuar edhe Serbinë.

Lidhur me këtë ide të bashkimit të dy vendeve, është deklaruar edhe akademiku Rexhep Qosja, i cili u shpreh se një bashkim i tillë do të ndodhë.

Duke përmendur tri data të rëndësishme për historinë e shqiptarëve, Qosja shtoi se e katërta dhe më e rëndësishme do të jetë dita e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën.

Por, sa është i mundshëm realizimi i kësaj ideje tani dhe a duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria në një shtet të vetëm?

Kryeministri Rama bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë e ka përmendur edhe më herët mirëpo që e njëjta sipas analistëve do të merr kohë deri të ndodhë.

Sipas tyre duhet kohë dhe punë për realizimin e kësaj ide.

Zeqa: Bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, larg të ndodhë

Në lidhje me këtë temë ka folur analisti politik, Florim Zeqa, i cili u shpreh se këto deklarata që Rama dhe Qosja po japin, nuk janë asgjë përveç fjalë boshe.

Sipas tij, të dy flasin ndryshe e veprojnë ndryshe dhe se ky bashkim varet në fuqinë që mund të krijojmë nga ana ekonomike dhe ushtarake.

Image
Florim Zeqa

Që nga “Shqipëria londineze” apo Shqipëria e 1912-s e deri më sot nuk kanë reshtur përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar. Sa e sa gjenerata kanë ikur nga kjo botë me ëndrrën e këtij bashkimi të cilin nuk po e arrijmë dot që 109 vjet rresht! Më mirë do të ishte sikur të mos ndalem fare në deklaratat e personaliteteve të sipër përmendura, për shkak se, sikurse njëri (Edi Rama) ashtu dhe tjetri (Rexhep Qosja), ndryshe thonë e ndryshe veprojnë! Janë një numër faktorësh që ndikojnë në realizimin e idesë së bashkimit kombëtarë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 është një hap i madh në rrugën e bashkimit kombëtarë. Sesa do të jetë e gjatë apo e shkurtër rruga e këtij bashkimi, në radhë të parë varet nga ne, sa do të arrijmë në kohë me bërjen e dy shteteve tona (Shqipërisë dhe Kosovës) të fuqishme në aspektin ekonomik dhe ushtarak. E thashë pikërisht kështu për faktin se, bashkimi kombëtar nuk bëhet me fjalë të mëdha dhe punë të vogla”, u shpreh ai.

Më tej, ai shton se do të duhej të punonin më shumë rreth kësaj teme e më pak të flitej për të, pasi së pari duhet të ndërrohet qasja e politik bërjes e të dy shteteve tona.

Ndër të tjera, ai ka thënë se për ata që mendojnë të arrijnë më shpejt deri tek realizimi i idesë së bashkimit kombëtar, le të punojnë dhe të veprojnë.

Sikur të punonim më shumë e të flisnim më pak rreth kësaj ideje, nuk do të prisnim një shekull e më gjatë se kaq. Bashkimi kombëtar është një proces natyral, të cilin nuk mund ta ndalë dhe ta pengojë askush. Por, sa më parë dhe më shpejt duhet të ndërrojë qasja e politik-bërjes në dy shtetet tona, me heqjen e barrierave artificiale mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke filluar nga heqja e pikave kufitare, liberalizimi i tregut (pa tarifa ndërshtetërore) aq më shpejtë do të vije edhe deri te unifikimi politik si një shtet i vetëm shqiptar në Ballkan. Kjo do t’i përshpejtonte proceset e çlirimit të shqiptarëve edhe në pjesët tjera të pushtuara nga serbo-malazezët dhe greko-maqedonasit. Ndryshe, për ata që mendojnë të arrijnë më shpejt deri te realizimi i idesë së bashkimit kombëtar, le të punojnë dhe të veprojnë, por gjithnjë duke na bindur me vepra dhe jo më fjalë”, ka vlerësuar analisti.

Ndër faktorët që sipas tij ndikojnë në bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, është ideja e BE-së dhe Mini Shengeni, pasi këto projekte iu hapin rrugë serbëve dhe rusëve e jo qytetarëve të Kosovës.

Për rrahagjokësit që mendojnë ndryshe, hapi i parë drejt bashkimit kombëtar është bashkimi i Mitrovicës, qytetit të ndarë 22 vite më parë, bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën e kështu më radhë deri në Tivar e Ulqin, deri në Nish e të Molla e Kuqe, pa e harruar asnjëherë Çamërinë dhe Çakorrin e falur pak vite më parë! Ndër faktorët që i pengojnë integrimet kombëtare apo idenë e bashkimit kombëtar është ideja e Bashkimit Evropian dhe Mini Shengeni apo siç po i thonë së fundmi Ballkani i hapur, i cili s’është gjë tjetër veçse shtrirje dhe dominim i interesave ruso-serbe në Ballkan. Largimi nga projektet e sipërpërmendura ruso-serbe e lë të hapur rrugën e bashkimit kombëtar, në të kundërtën, me dorën tonë do ta mbyllim derën e madhe të bashkimit kombëtar”, theksoi ndër të tjera Zeqa për “Bota sot”.

Kelmendi: Bashkimi kombëtar është aspiratë historike e kombit shqiptar

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se bashkimi kombëtar do të ndodhë mirëpo që është vetëm në pyetje koha.

Ai ka vlerësuar se kjo deklaratë është bërë edhe dy herë tjera dhe se të dy shtetet shqiptare tashmë kanë shumë vise shqiptare dhe obligohet bashkimi kombëtar.

Image
Muhamet Kelmendi

Nuk ka dilemë se bashkimi kombëtar do të realizohet. Në pyetje është koha. Asgjë tjetër. Në kuadër të kësaj qëndron mendimi i shfaqur i kombit shqiptar. Dy herë është deklaruar kombi shqiptar për shtet kombëtar. Së pari, është në vitin 1978 nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e ku morën pjesë 26 delegacione nga tërë hapësira shqiptare dhe së dyti, në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë më 1912, e ku ishin gjithashtu prezent përfaqësuesit e mbarë kombit shqiptar. Deklarata për pavarësi u nënshkrua nga të gjithë të pranishmit. Tash kemi dy shtete shqiptare. Natyrisht se ka edhe shumë territore shqiptare jashtë këtyre shteteve. Kemi territore në Jug të Serbisë, në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak, janë viset shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Greqi, territoret çame. Dy shtetet shqiptare janë të rrethuara me territore shqiptare. Kjo e obligon kombin në bashkim kombëtar”, potencoi profesori.

Nga ana tjetër, ai tregon dy mënyra të realizimit të bashkimit kombëtar, e para sipas tij është me luftë të armatosur çlirimtare dhe e dyta me marrëveshje midis shteteve dhe pjesëve të ndara.

Gjithashtu, profesori shton se Rama ka diskutuar në lidhje me këtë temë edhe më herët.

Natyrisht se bashkimi realizohet në dy mënyra: 1. Me luftë të armatosur çlirimtare për bashkim kombëtar dhe 2. Më marrëveshjen midis shteteve dhe pjesëve të ndara. E përbashkëta është se bashkimi kërkon një veprim të duhur dhe të mundshëm. E këtu kërkohet të bashkohen dy shtetet shqiptare. Këtej kemi bazë juridiko-politike reale të bashkimit. Diskutimi i z Rama për aspiratën kombëtare është çështje e kahmotshme. Ai vetëm sjell në TV aspiratën si person në çështjen kombëtare. Nuk ka shqiptar që nuk e ka këtë aspiratë. Ajo është e çdo njeriut që flet shqip. Nuk buron nga ndonjë anë politike, por buron nga vetëdija kombëtare shqiptare. Mbi këtë vetëdije u ndërtua aspiratë kombëtare shqiptare. Vetëdijen e tillë nuk duhet kuptuar si luftë ndaj shteteve tjera të Ballkanit”, tha ai.

Politikisht sipas Kelmendit bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është i domosdoshëm mirëpo që kundër kësaj ide është Serbia mirëpo që ky bashkim të ndodhë është vetëm çështje kohe.

Në fakt, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia kërkohet të jenë të qarta se kanë aneksuar territore shqiptare dhe se ato territore nuk u takojnë atyre. Ky përkufizim politik si aspiratë po gjen përkrahje gjithnjë e më shumë në botë. Ende ka vështirësi. Mirëpo, me integrime në UE do të korri suksese parimi i Vetëvendosjes dhe kombi do të bashkohen në një shtet. Ajo që sot është e domosdoshme dhe politikisht e kapshme është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria i kanë mekanizmat vendosës për bashkim. Kuvendët e të dy shteteve janë kompetente të vendosin për bashkim. Kundër do të jetë Serbia. Serbinë e ndal vetëm forca. Beogradi nuk ndalet nga politika dhe nga marrëveshjet. Ai ndalet nga forca. Kur e sheh humbjen se mund të vijë nga konfliktet, Serbia fare nuk hyn në konflikte. E pranon gjendjen reale dhe bashkëpunon. Por, po kthehem te ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipëri. Kjo është e qëlluar dhe nuk mendoj se ka forcë që mund të ndali. Duhet vetëm pjekuri politike në realizimin e bashkimit kombëtar në një shtet”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat