Publicisti Zeqiraj vjen me detaje të padëgjuara për Thaçin e Pacollin

Politika

Publicisti Zeqiraj vjen me detaje të padëgjuara për Thaçin e Pacollin

Nga: M.H. Më: 20 tetor 2021 Në ora: 14:57
Behgjet Pacolli dhe Hashim Thaçi, foto arkiv

Që nga koha kur ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi është dërguar në Hagë për krime të luftës, përveç partisë së tij, ai gjeti mbështetje edhe te kryetarit i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Thaçi dhe Pacolli njihen për miqësinë e tyre dhe bashkëpunimet që kanë pasur ndër vite.

Së fundmi, kryetari i AKR-së vizitoi Thaçin në burg të Hagës, duke u shprehur se koha e tij nuk ka mbaruar.

Përveç kësaj, Pacolli tha se koha e Thaçit nuk ka përfunduar dhe se Kosova ka nevojë për të.

Në lidhje me këtë, ka folur publicisti, Idriz Zeqiraj, i cili për “Bota sot” u shpreh se AKR-në e ka themeluar Thaçi.

Sipas tij, Pacolli nuk mundi të gjejë muhabet me Rugovën dhe u bë së bashku me Thaçin për të vepruar në bandën PAN.

Image
Idriz Zeqiraj

Behgjet Pacollit "nuk i shkonte muhabeti" me Presidentin Rugova, sepse Ai nuk ishte njeri i kulisave, i pazareve. Ai nuk i ofroi as politikanët e elitës komuniste, siç vepruan partitë-banda të PAN-it, duke i bërë këshilltarë. Prandaj, Pacolli zgjodhi sojin e tij, Hashim dallaveren”, u shpreh ai.

Sipas tij, nuk ka asnjë pikëpyetje se AKR është krijuar me urdhrin e Thaçit vetëm për thyer bastionet e LDK-së që ishin në kohë të Rugovës.

“Tashmë nuk përbën asnjë sekret se AKR-ja e Pacollit u krijua me urdhrin e Hashim Thaçit. Qëllimi ishte i lexueshëm: Llapi dhe Gollaku ishin bastione të LDK-së, madje, edhe ma masive se sa Istogu, vendlindje e Dr. Rugovës. Duke e vënë pareliun Pacolli, në krye të AKR-së, me premtime e mundësi punësimi, pak në Kosovë dhe më shumë në botë, dobësonte, në një masë, LDK-në”, thekson publicisti.

Zeqiraj thotë se Thaçi përfitonte nga Pacolli për PDK-së dhe këtë dinakëri e përdori mjaft mirë ish-presidenti.

Thaçi përfitonte për PDK-në dhe bëhej hisedar intim, në disa biznese me Pacollin. Dhe, ashtu ndodhi. Thaçi është dinak. Po ta përdorte dinakërinë e tij, për mirësi të Kosovës, do të ishte hero i saj. Por, duke e përdorur dinakërinë për poshtërsi, përfundoi në hiç, në zero”, shprehet analisti.

Në bisedë e sipër, publicisti thotë që vizita e Pacollit në Hagë tregon edhe njëhere që AKR është krijuar nga Thaçi dhe se Pacolli ishte një xhoker për ish-presidentin e vendit.

Edhe pse Gjykata Speciale në Hagë, i ka vizitat e përcaktuara, për klientët në hetim, për krime lufte, Behxhet Pacolli e "theu bllokadën" dhe takoi Hashim Thaçin, me shokë. Vizitën e justifikoi si mik i Hashimit, por, edhe në cilësinë e ish-presidentit, i cili, realisht, nuk mund të thirret në atë titull, meqë ka qenë i paligjshëm. Kjo dëshmohet edhe me shkarkimin e tij të shpejtë. Hashimi, përveç se e themeloi, qëllimshëm, AKR-në, ai u kujdes edhe për kontrabandimin e Pacollit president dhe ministër të Punëve të Jashtme, duke e përdorur si "xhoker" në kalkulimet politike, për të marrë edhe 4 (katër) ministri, për dy deputetë”, thotë ai.

Ndërsa për deklaratën e Pacollit që Thaçi ka çliruar vendin, publicisti thotë se ai nuk ka luftuar dhe këtë e ka pranuar vetë Thaçi.

Vizita e Pacollit në Hagë dhe deklarata e tij, ishte një provokim i poshtër, sepse lëndoi qindra familje, të cilave u janë ekzekutuar njerëzit e tyre, për motive politike, për çka akuzohen Hashimi me shokë. "Hashimi ishte njeriu që udhëhoqi luftën për çlirimin e vendit", thotë Pacolli. Realisht, Hashimi nuk ka udhëhequr luftën dhe nuk ka qenë fare pjesë e luftës. Këtë e ka pranuar vet Hashimi, se "unë kam qenë larg frontit të luftës". Dhe, këtu e thotë të vërtetën”, shton Zeqiraj.

Nga ana tjetër, analisti thotë se Thaçi nuk ka kontribuar në pavarësinë e vendit dhe edhe leximi i deklaratës ishte i dhunshëm sepse nuk i takonte atij.

Pacolli vazhdon në panegjerizmin për shefin e tij, Hashimin: "Ai ishte personi kyç në të gjitha proceset e shtet-ndërtimit dhe shpalljes së pavarësisë". Vërtet, si agjent i konfirmuar, i Shërbimit Informativ francez, DGSE, ai u imponua, falsifikueshëm, si "Drejtor Politik i UÇK-së", edhe pse shokët e tij të afërt e mohojnë, madje, kategorikisht, se "askush nuk e ka zgjedhur Hashimin në këtë pozitë!" Megjithatë, me veprimet e tij konspirative, në koordinim me Sigurimsat e Enverit dhe, përmes tyre, në pajtim me Serbinë, sabotoi luftën për çlirim dhe liri. Edhe leximi i deklaratës të pavarësisë, ishte i dhunshëm, sepse nuk i takonte atij, meqë nuk pavarësohej qeveria, por, shteti i Kosovës. Dhe, para Hashimit, i takonte deklaratën ta lexonte Presidenti ose Kryetari i Kuvendit të Kosovës”, shprehet analisti.

Zeqiraj tutje thotë se thirrja e Pacollit se “Kosova të merr përgjegjësinë, të mbrojmë historinë tonë, luftëtarët tanë të lirisë”, është lehje në hënë.

"Në Hagë është duke u luftuar kundër akuzave të pabaza dhe të motivuara politikisht, nga qarqet që nuk e duan vendin tonë të lirë dhe të pavarur”,- deklaron Pacolli! Por, ai "harron" se kjo gjykatë është themeluar nga Parlamenti i Kosovës. Dhe, nevojen e krijimit të saj e diktuan qindra viktima, anekënd Kosovës, si krime të pazbuluara dhe vazhdimi i krimeve, me vrasjen e dëshmitarëve të Hagës. I fundit i vrarë dhe i kallur në veturën e tij, në një fshat të Pejës, në shkurtin e këtij viti, 2021. Thirrja e Pacollit se "Kosova të merr përgjegjësinë, të mbrojmë historinë tonë, luftëtarët tanë të lirisë",- është lehje në hënë. Krimet kanë ndodhur dhe shtimi i jetimëve në Kosovë, ka vazhduar edhe pas përzënies të soldateskës sllave të Millosheviçit. Dhe, ato kanë autorësi faktike”, potencon publicist.

Nga ana tjetër Zeqiraj thotë se të akuzuarit në Hagë nuk janë pjesë e UÇK-së, përkundrazi ata kanë keqpërdorur uniformën e saj dhe më pas sabotuar e dështuar atë.

"Kosova të merr si shembull Kroacinë, se si i mbron luftëtarët e saj", - thotë Pacolli, duke "harruar" se gjenerali Gotovina, me luftëtarët e tij, nuk ka vrarë bashkëkombës kroatë, por, armiq serbë, të cilët provuan pushtimin e territorit kroat. Në Hagë nuk janë individët e akuzuar, por UÇK dhe misioni i saj, për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran",- falsifikon Pacolli. Të paktën, tre nga të akuzuarit kryesorë në Hagë, nuk janë pjesë e UÇK-së, por kanë abuzuar në emër të saj, rrjedhimisht, qëllimshëm, kanë sabotuar dhe dështuar "UÇK-në e LPK-së", duke e bllokuar angazhimin e saj, me formacione të organizuara, në luftën e Kosovës”, tha analisti.

Pacolli me deklaratat e tij të pamenduara, po vranë për të dytën herë familjet e dëshmorëve

Duke vazhduar më tej, publicist thotë se gjuha dhe deklaratat që Pacolli vazhdimisht lëshon po rivret qindra familjarë e ushtarë.

Pacolli rivrau ushtarakët luftë bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së, thotë tutje ai.

Thonë se "gjuha, fjala vret më shumë se pushka". Dhe, gjuha gjarpër e Behgjet Pacollit, rivrau viktimat dhe vrau shumë qindra familje, që komandantët, të etur për pushtet e pasuri, ua vranë, tinëzisht e në pusira, bijat e bijtë e tyre. Me deklarimet e poshtra dhe skajshëm provokative, në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve! Pacolli rivrau ushtarakët luftë bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së. Ai, me rehabilitimin apriori, të akuzuarve për krime lufte, u bë pjesë e krimit. Dhe, si i tillë, nuk është më i lirë, sepse ka hyrë në borxh-gjaku. Dhe, këtë duhet ta këtë "vathë në vesh”, shprehet Zeqiraj.

Analisti thotë se është shumë herët të garantohet pafajësia e tyre dhe absurde t´i mbrosh ata.

Është marrëzi të nismosh çfarëdo mbrojtje, për njerëzit që akuzohen, nga një Gjykatë Speciale, të miratuar në Parlamentin e Kosovës! Është shumë herët të garantohet pafajësia e tyre dhe absurde t´i mbrosh ata, apriori, pa një vendim gjyqësor të pafajësisë. Madje, një deklaratë, qoftë ajo edhe e shpalljes të pavarësisë, e lexuar, dhunshëm, nuk të bënë autor real të pavarësisë”, thotë ai.

Sipas publicistit këta ish-ushtarë të UÇK-së edhe mund të kthehen një ditë në vend pasi edhe po paguajnë avokatë me miliona mirëpo krenari e kryelartësi, me liri të blerë, nuk mund të kenë, sepse varret janë këtu, kudo në Kosovë

"Do të vjen dita kur ata krenarë dhe kryelartë, do të kthehen në Kosovë",- një prognozë sa e guximshme, aq edhe e marrëzishme e paushalle, e Pacollit të papërgjegjshëm e paradoksal! "Pafajësi" edhe mund të marrin, sepse me kot nuk kanë angazhuar edhe nga 5 (pesë) avokatë. Dhe, ndonjëri syresh, do ta korruptojë, mitosë gjyqtarin e çështjes, t`i ndajnë milionat bashkë. Por, "krenari e kryelartësi", me liri të blerë, nuk mund të kenë, sepse varret janë këtu, kudo në Kosovë”, përfundon Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat