Parashikimi për fituesit në balotazh/Kaq komuna pritet t’i fitojë VV – ky është mesazhi për liderët e partive

Politika

Parashikimi për fituesit në balotazh/Kaq komuna pritet t’i fitojë VV – ky është mesazhi për liderët e partive

Nga: G.B Më: 20 tetor 2021 Në ora: 19:09
Kryetari i VV-së Albin Kurti

Të dielën në Kosovë janë mbajtur zgjedhje lokale 2021.

Shumë prej komunave kanë shkuar në balotazh, më saktë 21 prej tyre do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahet pas një muaji.

Nga rezultatet pati befasi të shumta nëpër komuna, me fitues e kandidatë që shkuan në balotazh.

Image
Enver Bytyçi

Për rezultatin e zgjedhjeve lokale, fitoret e rëniet dhe pritjet nga balotazhi, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se ishin zgjedhje të rëndësishme dhe është e vështirë që të analizosh humbësit dhe fituesit, pasi fitoret mund të kenë qenë dhe për shkak të kandidatëve që kanë qenë në farë.

“Kosova votoi të dielën e kaluar për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunalë. Ishin zgjedhje të rëndësishme, por ishin gjithsesi zgjedhje lokale. Çfarë dua të them me këtë? Në zgjedhjet lokale është vështirë të analizosh fituesit dhe humbësit. Ato parti politike që duken fitues, mund ta kenë arritur këtë për shkak të kandidatit dhe jo të partisë. Si dhe e kundërta, mund ta kenë arritur fitoren për shkak të projektit politik të partisë dhe jo të kandidatit”, është shprehur ai.

Sipas Bytyçit, PDK ka qenë favorite me katër komuna të fituara, LDK me dy, AAK po ashtu me dy, ndërsa që ai fitues e sheh atë që i fiton komunat e mëdha.

“Nuk ka në zgjedhje lokale asnjëherë fitues realë dhe humbës realë. Gjithçka është relative. Megjithatë në zgjedhjet e të dielës së kaluar në Kosovë ka tashmë një rezultat të pjesshëm, i cili duket se favorizon Partinë Demokratike të Kosovës. PDK ka fituar katër komuna dhe është favorite edhe në disa të tjera që shkojnë në balotazh. Po ashtu Lidhja Demokratike ka fituar dy komuna dhe AAK po ashtu dy të tjera. Unë rezultatin e këtyre partive e shoh te Mitrovica, Peja dhe Ferizaj, tri qytete këto shumë të rëndësishme të Kosovës. Edhe Lista Srpska ka fituar nëntë komuna, por të gjitha këto komuna së bashku nuk bëjnë sa njëra prej atyre tri komunave që përmenda më lart. Kështu që nuk e përcakton fituesin numri i komunave. Përcaktues është numri i përgjithshëm i votave dhe fitorja në komuna të mëdha. Nëse PDK p.sh do të fitojë edhe Prizrenin, unë do ta konsideroj si fitore të përgjithshme të kësaj partie. Kjo edhe mund të ndodhë. Por asnjëherë nuk i dihet”, ka vlerësuar profesori.

Ai ka shtuar se VV dhe Lista Guxo nuk kanë fituar në asnjë komunë që është interpretuar si humbje por që sipas tij për këtë duhet një analizë më e thellë.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja Guxo nuk kanë fituar asnjë komunë në raundin e parë. Kjo është interpretuar si humbje, madje e thellë e Vetëvendosjes. Shumë analistë, sidomos kundërshtarët politikë, e trajtojnë këtë rezultat si dështim të qeverisjes së zotit Kurti. Në fakt duhet bërë një analizë më e thellë dhe më e thjeshtë. Vetëvendosje dhe Guxo nuk bënë fushatë. Vetë Kurti nuk u angazhua në fushatën lokale. Zonja Osmani për shkak të funksionit, nuk mund të dilte e të bënte fushatë për Lëvizjen guxo. Kjo pati kosto. Nga ana tjetër Vetëvendosja nuk zgjodhi kandidatë, përveç zotit Vitia e ndonjë tjetri, të përshtatshëm e me reputacion për drejtimin e komunave. Ndërkaq zoti Krasniqi dhe zoti Abdixhiku punuan më mirë për përzgjedhjen e kandidatëve”, ka theksuar ai.

Sipas Bytyçit, rëndësi të madhe ka performanca dhe imazhi i kandidatit, derisa tregon arsyet pse pati rënie për VV-në.

“Unë mendoj se performanca dhe imazhi i kandidatit ka shumë rëndësi në zgjedhjet lokale. Është e provuar se zgjedhësit reagojnë në këto zgjedhje sa për partinë edhe për kandidatin. Prandaj dhe ky aspekt ka luajtur rol të caktuar. Rënia e votave për Vetëvendosjen dhe koalicionin e saj ka rënë për arsyet e mësipërme, por edhe për shkak se pritshmëritë e qeverisjes Kurti-Osmani për militantët e tyre nuk u plotësuan. Në Kosovë, në Shqipëri e në rajon tashmë votohet edhe për interesa e privilegje të caktuara dhe me këtë motiv mobilizohen shumë anëtarë dhe simpatizantë të partive në fushata elektorale. Qeveria Kurti nuk mbajti parasysh, ose së paku u përpoq shumë më pak se PDK e LDK për të shpërblyer militantët e anëtarët e saj për kontributin e dhënë në zgjedhjet e përgjithshme. Kjo bëri që një pjesë prej tyre të mos votonin më për partitë në pushtet”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se qeverisja Kurti nuk i ka plotësuar pritjet e zgjedhësve por që kjo nuk është arsyeja e votave për VV-në dhe se shkaqet kryesore lidhen me shumë faktorë të tjerë.

“Është e vërtetë se qeverisja Kurti gjithashtu nuk ka plotësuar pritshmëritë e zgjedhësve në shkallë të caktuar. Dhe kjo do të duhej nominuar si shkak i mungesës së votave të 14 shkurtit. Por nuk është kjo arsyeja kryesore e rrjedhjes së votave të Vetëvendosjes dhe Listës Guxo. Shkaqet kryesore lidhen me shumë faktorë të tjerë. Askush në Kosovë nuk ka pritur që në tetë muaj qeverisja e re të bënte mrekulli. Disa nga premtimet janë plotësuar. Disa të tjera janë në proces. Të tjera akoma do të plotësohen më vonë...Dhe mundet që ndonjë premtim të mos realizohet kurrë. Por unë mendoj se performanca në qeverisjen lokale ka më shumë rëndësi në zgjedhjet e komunave”, ka potencuar profesori.

Krejt në fund, ai ka thënë se VV nëse fiton edhe këtë herë në Prishtinë, do ta realizojë objektivin e saj në pushtetin lokal, derisa ka shtuar se nga 12 komuna në balotazh, VV do t’i fitojë së paku një të tretën e tyre.

Ai po ashtu ka deklaruar se mesazhi është për katër liderët e rinj, Osmanin, Kurtin, Abdixhikun dhe Krasniqin që të bashkëpunojnë në çështjet strategjik dhe nëse ata bashkohen, fati i Kosovës do të jetë në duar të sigurta.

“Vetëvendosja ka fituar dy mandate në Prishtinë. Mandati i tretë është më afër saj sesa Lidhjes Demokratike. Megjithatë asgjë nuk është e sigurt për rezultatin e balotazhit. Por nëse kjo parti merr për herë të tretë Prishtinën, mendoj se e ka realizuar objektivin e saj edhe në pushtetin lokal. Me siguri që nga 12 komuna në balotazh me Vetëvendosjen, së paku një e treta do të jenë të kësaj force politike. Nëse fitohet edhe Prishtina, atëherë krijohet një balancë me partitë e tjera politike në vend. Por unë do ta lexoj rezultatin e zgjedhjeve lokale si një mesazh të qytetarëve të Kosovës. mesazhi është ky: Katër liderët e rinj politikë të vendit, përkatësisht Vjosa Osmani, Albin Kurti, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi, duhet të bashkëpunojnë, duhet të koordinohen, duhet të bashkëveprojnë në çështjet strategjike të Kosovës, sidomos sa i përket raporteve me Serbinë. Nëse bashkohen këta katër liderë të rinj, pa hipotekë të së kaluarës, fati i Kosovës do të jetë në duar të sigurta. Këtë dëshiron të thotë qytetari i Kosovës me votën e tij të 17 tetorit”, ka përfunduar Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare nga KQZ, në raundin e parë fitore janë shënuar në: Deçan (AAK), Mitrovica e Jugut (PDK), Leposaviq (Lista Serbe), Lipjan (LDK), Novobërda (Lista Serbe), Peja (LDK), Shtërpca (Lista Serbe), Suhareka (AAK), Ferizaji (PDK), Zubin Potoku (Lista Serbe), Zveçani (Lista Serbe), Hani i Elezit (PDK), Graçanica (Lista Serbe), Ranillugu (Lista Serbe), Parteshi (Lista Serbe), dhe Mitrovica e Veriut (Lista Serbe), Skenderaj (PDK).

Ndërkaq, në balotazh do të jenë: Gjakova (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (PSD-LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitija (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK) dhe Mamusha (KDTP-KATP), Gllogovc (PDK-DD), Kllokot (Lista Serbe-GI SNS), Istog (LDK-AAK), Shtime (PDK-LVV), Rahovec (AAK-LVV), Fushë Kosova (LDK-LVV), Obiliqi (IQO-LVV) dhe Kaçanik (PDK-LVV).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat