Balotazhi dhe shanset e mëdha të LDK-së për fitore ‘madhështore’

Politika

Balotazhi dhe shanset e mëdha të LDK-së për fitore ‘madhështore’

Nga: A.Z Më: 20 tetor 2021 Në ora: 22:56
Foto ilustrim

Komuna e Podujevës është njëra ndër komunat e cila do t’i nënshtrohet përsëri zgjedhjeve.

Për koalicionet e mundshme para mbajtjes së zgjedhjeve të cilat pritet të mbahen më 14 nëntor, ka folur kandidati për kryetar nga radhët e LDK-së, Ekrem Hyseni.

Ai ka thënë se koalicioni i vetëm do të jetë me qytetarët e kësaj komune.

“Ajo çka mundem me thënë është që ne veç kemi marrëveshje parazgjedhore për herën e parë me qytetarin dhe prapë do ta vazhdojmë këtë marrëveshje me qytetarin dhe marrëveshja jonë është me këta njerëz dhe me këta do ta vazhdojmë fushatën, me këta do ta festojmë fitoren”, ka deklaruar Hyseni.

Lidhur me këtë deklaratë si dhe me partitë tjera që kanë mbetur në balotazh, analisti Gani Qarri, ka deklaruar se sipas rezultatit të zgjedhjeve, bëhen të patejkalueshme koalicionet për balotazh, andaj nëse koordinohen si duhet mes vete, pritet të fitojnë partitë opozitare.

Qarri shtoi se atmosfera politike e zgjedhjeve, do të bëj që të krijojnë marrëveshje për koalicione ndërmjet partive në pozitë apo në opozitë.

Sipas tij, nëse PDK dhe LDK, duan të fuqizohen, si asnjëherë më pare tani e kanë rastin t’i vinë në ndihmë njëra tjetrës.

“Vet fakti se pas votimeve të 17 tetorit, sipas rezultatit të zgjedhjeve, mese gjysma e komunave do të shkojnë në balotazh, pa marrë parasysh raportet ndërmjet pozitës dhe opozitës në nivelin qendror, rezultati i votimeve preliminare në nivelin komunal, i bënë të patejkalueshme koalicionet për balotazh, ku shumicën prej tyre, nëse arrijnë të koordinohen si duhet, ndërmjet veti paraprakisht, pritet ta fitojnë partitë opozitare. Madje duke marrë parasysh faktin se fitorja e kandidatëve për kryetar komunash, medoemos që do të ndikojë shumë edhe në atmosferën e përgjithshme politike, për zgjedhjet e ardhshme nacionale në vend, ky realitet imponon doemos edhe krijimin e marrëveshjeve për koalicione të nivelit lokal ndërmjet partive në pozitë dhe opozitë. Por, ajo që duhet theksuar gjithsesi me këtë rast, është fakti se nëse dy partitë kryesore opozitare, si PDK dhe LDK, vërtetë duan të fuqizohen, fillimisht në dy qendrat më të rëndësishme të nivelit lokal, kurrë nuk kanë pasur rastin më ideal se tani, që t'i vijnë në ndihmë njëra tjetrës, me dy koalicione ndërpartiake, të cilat jo vetëm se do tu siguronin, kandidatëve të secilës parti fitoren për njërën nga komunat më të mëdha në zgjedhje, por edhe do të udhëhiqnin me dy komunat kryesore dhe më me rëndësi në vend, si Prishtina dhe Prizreni, të cilat janë determinuese edhe për fitoren në zgjedhjet nacionale”, potencoi Qarri.

Tutje shtoi se për mos ta humbur këtë mundësi, PDK duhet ta mbështesë LDK-në në Prishtinë, si dhe në Prizren LDK ta mbështesë PDK.

Madje ai theksoi se sa do që fitorja e kandidatëve është e fuqishme, manipulimet si dhe ndikimet politike janë aq të fuqishme, sa që nuk do mjaftonte vetëm koalicioni.

“Kështu që, për të mos lejuar që tu ik nga dora ky sukses i pa imagjinueshëm për të dy këto subjekte, PDK duhet ta mbështes kandidatin e LDK-së në Prishtinë z. Luan Ramën që të fitoi pozitën e të parit të kryeqytetit të vendit, ndërsa LDK në kundërshpërblim, duhet ta mbështes kandidatin e PDK-së në Prizren, z. Shaqir Totaj, që të fitojë pozitën e të parit të Prizrenit, ish kryeqytetit të Lidhjes Shqiptare, të cilat edhe janë qendrat kryesore ekonomike, kulturore dhe politike në Kosovë. Për aq më tepër, sado që secila komunë dhe fitore e kandidatit partiak, për pozitën e të parit të saj, e ka rëndësinë e vet, manipulimet dhe ndikimet politike janë aq të fuqishme, sa që për të siguruar fitoren, nuk mjafton më vetëm koalicioni i ashtuquajtur me qytetarët, siç shprehet kandidati i LDK-së, për komunën e Podujevës, gjë që e dëshmoi më së miri edhe rasti i Bekim Jasharit në Skenderaj të Drenicës”, shtoi ai.

Më tej ka potencuar se PDK dhe LDK, në Prishtinë dhe Prizren, nuk duhet të bazohen në koalicion me qytetarët, por duhet ta shfrytëzojnë shancet që u ka ardhë, andaj sipas Qarrit, për të fituar në qendra e mëdha, duhet të formojnë koalicion dhe ta mbështesin njëra tjetrën.

“Kështu që, kur është parasysh fakti se Prishtina dhe Prizreni janë dy qendrat kryesore, politike, kulturore dhe ekonomike në vend, PDK dhe LDK, nuk do duhej për asnjë çmim, të bazohen vetëm në koalicionin me qytetarët, por ta marrin me seriozitet rastin e ofruar dhe të mos e neglizhojnë këtë shansë e mundësi, e cila, njëherë u ka ardhë nga dera dhe vështirë se mund të përsëritet së shpejti, në këtë mënyrë kaq ideale si këtë herë, për të dy subjektet politike në fjalë, ndaj për të fituar kandidatët e tyre, me 14 nëntor, pozitën e kryetarëve të dy qendrave më të mëdha në vend, të cilat janë edhe qendrat determinuese të politikbërjes dhe zhvillimin ekonomikë e kulturor të gjithë Kosovës,ato duhet të formojnë koalicione dhe mbështesin njëra tjetrën”, tha Qarri.

Ai tutje theksoi se nëse PDK dhe LDK, në këto zgjedhje duan të fuqizohen, tani e kanë rasti t’i vijnë në ndihmë njëra tjetrës, madje edhe do të udhëheqnin komunat më të mëdha në vend.

“Prandaj, e përsërisë edhe një herë se nëse, në votimet për balotazh të cilat pritet të mbahen më 14 nëntor, të dy partitë kryesore opozitare PDK dhe LDK, vërtetë duan të fuqizohen, jo vetëm në nivelin lokal, por edhe në atë qendrore dhe parapërgatiten për zgjedhjet e ardhshme nacionale, kurrë nuk kanë pasur rastin më ideal se tani, që t’i vijnë në ndihmë njëra tjetrës, me dy koalicione komunale të cilat jo vetëm se do tu siguronin, secilës parti për kandidatët e tyre, fitoren në zgjedhje, por edhe do të udhëhiqnin me dy komunat kryesore dhe më të mëdhatë në vend, si Prishtina dhe Prizreni, të cilat kanë rëndësi të veçantë politike dhe ndikojnë shumë edhe në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve të ardhshme nacionale në gjithë vendin", përfundoi ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat