“Albin Kurti nën presion të fuqishëm”/ Paralajmërimi: Këtë nuk duhet ta pranojë kurrë Kosova

Politika

“Albin Kurti nën presion të fuqishëm”/ Paralajmërimi: Këtë nuk duhet ta pranojë kurrë Kosova

Nga: P.R Më: 22 tetor 2021 Në ora: 20:10
Albin Kurti

Raporti i Progresit për vitin 2021 nga Komisioni Evropian, edhe njeherë i ka bërë presion të hapur Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, asociacion të cilin Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli antikushtetues.

“Kur bëhet fjalë për gjendjen e në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara: Gjatë periudhës raportuese, dispozitat e marrëveshjes nuk janë respektuar nga Kosova në një rast; Gjatë periudhës raportuese, nuk ka pasur progres të mëtejshëm në zbatim të Marrëveshjeve të 25 gushtit 2015. Asnjë përparim nuk është bërë në lidhje me Asociacioni/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe Kosovës ende nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në krijimin e tij”, thuhet në Raportin e Progresit.

E lidhur me këto presione që po vijnë për formimin e Asociacionit të Komunave serbe, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Ai e bën fajtor ish presidentin Hashim Thaçi dhe ish kryeministrin Isa Mustafa për nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin.

“Siç dihet tanimë nga mbarë opinioni në Kosovë dhe përfaqësuesit ndërkombëtar në vendin tonë, nënshkrimi dy herë i marrëveshjes për asociacionin një etnik serb, me 19 prill 2013 nga kuislingu Hashim Thaçi dhe më 25 gusht 2015 edhe nga Isa Mustafa, pra i "zajednicës" me kompetenca ekzekutive, ka bërë që pas kërkeses për shqyrtim ligjor të parashtruar nga presidentja e atëhershme e Kosovës zonja Atifete Jahjaga, me vendimin e datës 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese ta hedhë poshtë”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

“Kjo për vet faktin se marrëveshja për asociacionin një etnik serb e nënshkruar me 25 gushtit të vitit 2015, nga Isa Mustafa, thuhet se në mëse 26 nene, bie ndesh me ligjet e vendit dhe nuk është në përputhje me frymën e Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Ndaj edhe kryeministri aktual Albin Kurti, me të drejtë ka deklaruar se jo vetëm që nuk mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza etnike, gjë që e ka përcaktuar me aktvendimin e vitit 2015 edhe vet Gjykatës Kushtetuese, por sipas rendit juridik dhe kushtetues të vendit as që është e mundshme të ketë asociacion një etnik serb, në Kosovën e shpallur nga vet BE, si vend multi-etnik”, shprehet Qarri.

Më tej, Qarri thotë se Hashim Thaçi është fakeqësia më e madhe për Kosovën, pasi ishte pikërisht ai që e shëndrroi Kosovën në një vend me status të pazgjidhur.

“Ndërsa fatkeqësia më e madhe, në gjithë këtë lëmsh juridik, qëndron tek vet aventurat konspirative të kuislingut Hashim Thaçi, i cili ende pa kaluar një vit i plotë nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila vulosi pavarësinë e Kosovës, si organi më i lartë juridik i OKB-së, ai kokë më vete, shfuqizoi këtë vendim duke i vënë shtetësisë së Kosovës fusnotën, me çka shndërroi Kosovën në vend me status të pazgjidhur dhe ktheu praktikishtë shtetin tonë në "krahin" të Serbisë”, shton Qarri.

“Me këtë akt kobëzi, Thaçi bëri që nga atëherë NATO dhe vet BE, të mbajnë qëndrim neutral ndaj pavarësisë së Kosovës, madje duke qen se Kosova edhe në dialogun me Serbinë, në Bruksel,me vendim të Thaçit, ka marrë pjesë me status jo-shtetëror, BE nuk i sheh as aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si akte shtetërore dhe vendos në shkallë më të lartë juridike marrëveshjet e nënshkruara me ndërmjetësimin e saj në Bruksel, kështu që edhe kërkon zbatimin e tyre, sipas parimeve të saj”, shpjegon analisti Qarri për “Bota sot”.

Qarri deklaron se pasojat e vendimeve të marra nga Thaçi dhe Mustafa, Kosova po i sheh tek tani pas kaq 6 vitesh.

“Për aq më tepër, vetëm rreth një vit pas nënshkrimit të kundërligjshëm të asociacionit kundër kushtetues një etnik serb me kompetenca ekzekutive, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, më datën 8 shtator 2016, miratuan edhe grupin e serbëve të caktuar nga krimineli Vuçiq, për formimin e asociacionit kundër kushtetues një etnik, si dhe lejuan që të njëjtin projekt të njëanshëm të përgatitur në format dhe mënyrat më konspirative, pa përshtatjen me Kushtetutën e Kosovës, si dhe pa marrë pëlqimin e ish Qeverisë së udhëhequr nga PDK-LDK, t`ua dorëzojnë përfaqësuesve të BE-së në Bruksel, një dobësi e paprecedent historike për shtetin dhe udhëheqësit e shitur të Kosovës, pasojat e të cilave, më qartë se kurrë po i shohim sot pas 5-6 vitesh”.

Analisti Qarri më tej thotë se këto janë edhe arsyet pse Bashkimi Evropian po kërkon formimin e ASK-së.

“Kështu që bazuar në këto fakte me dëme të papërshkrueshme për Kosovën, Bashkimi Evropian edhe ne raportin më të ri të progresit për Kosovën, kërkon që Kosova ta formojë Asociacionin një etnik të Komunave serbe, duke mbajtur qëndrim mos njohës ndaj shtetit tonë dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosove, me të cilin ka konstatuar se Asociacioni një etnik serb në Kosovën multi-etnike, shkel hapur kushtetutën dhe parimet mbi të cilat vet BE është pajtuar të ndërtohet struktura shtetërore “multi-etnike” e Republikës së Kosovës”, thekson Qarri.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti tani ndodhet nën presion të fuqishëm nga Bashkimi Evropain për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.

“Prandaj megjithëse kryeministri Kurti, mund të ndodhet nën presion të fuqishëm nga BE, Republika e Kosovës tash e mbi 13 vite është shtet i pavarur dhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 duhet respektuar në plotëni, ndaj as që duhet lejuar të hapen bisedime për kurrfarë Asociacioni një etnik qoftë edhe serb, sidomos kur tentohet që ai të ngritët mbi parime të shtetësisë brenda shtetit të Kosovës, përderisa shteti i Kosovës nga vet BE është cilësuar si vend multi-etnik dhe në vend të asociacionit një etnik serb, duhet të kërkohet reciprocitet për të drejtat të barabarta të shqiptarëve nën Serbi me ato të pakicës serbe në Kosovë, që do të ishte zgjidhja më e mirë për të dy palët dhe në përputhje të plotë me parimet e BE-së për barazi”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat