Përplasja me Kurtin, kritika të ashpra ndaj Haradinajt - analistët zbulojnë arsyet e sulmeve ndaj kryeministrit

Politika

Përplasja me Kurtin, kritika të ashpra ndaj Haradinajt - analistët zbulojnë arsyet e sulmeve ndaj kryeministrit

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 24 tetor 2021 Në ora: 08:22
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Këtë javë Kuvendi i Kosovës u karakterizua me përplasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, temat e diskutimit ishin operacioni policor në veri të vendit dhe tërheqja e qeverisë nga ndërtimi i një tubacioni gazi që ka mbështetjen e Amerikës.

Haradinaj e ka kritikuar Kurtin për operacionet e zhvilluara në veri të vendit.

“Gjatë periudhës që shkoj kemi parë dy operacione policore në veriun e vendit. Pas këtyre dy operacioneve, ka ndodhur përkeqësimi i gjendjes së rendit, dhe ligjit për siguri dhe dobësim i shtetit ligjor. Besoj se të gjitha ata që janë të fushës, mund ta japin këtë vlerësim.”, ka deklaruar Haradinaj.

Pas këtyre kritikave, Kurti i është kundër përgjigjur Haradinajt, duke thënë se në veri të vendit ka më shumë rend e ligj se sa kurdo herë tjetër që nga shpallja e pavarësisë.

“Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj, e priste në zyrë kriminelin Milan Radojqiç. Rreziku ka qenë nga marrëveshjet xhentelmene me kriminel. Nuk e rrezikon veriun policia, atë e rrezikojnë kriminelët dhe bashkëpunimi I tyre me politikanët e të gjitha ngjyrave dhe përkatësive. Kjo ka ndodhur publikisht në korrik të vitit 2018, pra atëherë është rrezikuar veriu, jo tash”, ka thënë Kurti gjatë debatit.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike e kanë komentuar debatin e Kurtit me Haradinajn.

Opinionisti Ruzhdi Peçani, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se pse kryeministri Kurti i ka reaguar Haradinajt.

“Përplasja e Ramush Haradinajt me kryeministrin Albin Kurti nuk përmban lajm, kjo ishte e pritshme ngase ka gjenezën e vetë. Nuk ishte pra ky fillimi i një përplasje, ishte një vazhdimësi dhe se z.Haradinaj nuk do ndalet me kaq. Përndryshe kjo ishte përplasja e parë mes kryeministrit Kurti dhe Ramush Haradinajt, pra hera e parë që z.Kurti  i reagon Haradinajt për sulmet që ia bën. Sikur Haradinaj mbushi kupën me akuza të pabaza dhe paargumentuara – fjalë denigrimi dhe shpifje”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Ruzhdi Peçani

 Më tej, Peçani ka rikujtuar një deklaratë të Haradinajt që e kishte bërë vite më parë për Kurtin.

“Të kujtojmë këtë deklarim, më 24 gusht 2018, të Ramush Haradinajt për Albin Kurtin: “Do që po e mbrojnë ligjin si rasti i Albinit i cili se ka hup asnjë shans për me e ofendu rendin dhe ligjin, ai nuk ka respektuar gjykatë e lërë më prokurorë dhe tash po e mbron një prokuror i cili i ka dhënë një goditje sistemit të cilin Albini po e mbron e të cilin e ka refuzuar. Sa është hajn Albini, ai është hajn, ai është një mashtrues, ai është një ordiner, ai i ka mashtruar njerëzit e vet deri sa e kanë marrë vesh dhe sot s`janë me to. Nuk mundet një njeri si ai dhe disa njerëz që po dalin në rrugë me ndal Kosovën , mund të kenë edhe agjenda tjera”.  Kjo ka qenë deklarata me plot sulme e kryeministrit, Ramsuh Haradinaj ndaj liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti. Haradinaj e kishte quajtur ish prokurorin Elez Blakajn, pishpirik e hajn! Haradinaj, 20 maj 2021, kishte shpërthyer ndaj Kurtit: “Je rekrutuar nga shërbimet serbe?””, ka deklaruar Peçani.

Gjithashtu, ai ka komentuar edhe deklaratat tjera të Haradinajt, ndërkaq i ka parashtruar një pyetje në lidhje me reagimet e kreut të AAK-së.

“Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj shpërtheu në parlament ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke vënë në dyshim përkushtimin e tij ndaj vendit. Në seancën e ngarkuar me akuza e kundërpërgjigje, Haradinaj iu drejtua hapur Kurtit, duke e pyetur nëse është agjent serb?! “Fol Albin për kë punon, mos t’rekrutoi Serbia n’burg?”

Ramush Haradinaj-Albin Kurtit: A më e mirë Amerika a Rusi? Haradinaj gjithashtu e ka konsideruar Kurtin si primitiv, duke thënë se ai del në deklarata të kota. Ditë më pare, duke ia përsëritur shumë hera, si kryeministër i vendit, që ishte, Ramush Haradinaj e quante Albin Kurtin hajn e mashtrues ordiner.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë̈ e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, më 6 maj të këtij viti i ka dërguar letër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Në këtë letër, Haradinaj shpreh shqetësimet e tij dhe të Aleancës për dialogun Kosovë-Serbi, ku sipas kësaj letre thuhet që roli i BE-së duket i paqartë dhe se adresa e vetme për sa i përket dialogut Kosovë Serbi është Uashingtoni zyrtar.

Po ashtu siç thuhet në letrën e Haradinajt, Aleanca pret njohje reciproke, me marrëveshje obligative ligjore, në kufijtë ekzistues. Kjo një e shkruar me elokuencë, ashtu si i shkon një ish kryeministri dhe tani lider partie. Atëherë ku qëndron problemi me z.Haradainaj, përse i mungon kjo elokuencë edhe në foltoren e parlamentit, në debate?”, ka theksuar ai.

Përse është i paarsyeshëm, denigrues po edhe vulgar?

Sipas Peçanit, janë brengosëse këto deklarata të  ish kryeministri Haradinaj.

“Është shumë brengosëse, po edhe trishtuese ato çfarë deklaron ish kryeministri Haradinaj. Ne fakt kjo është një seri  deklaratash naive dhe me qellim të keq. Kryeministri Albin Kurti, gjer në seancën e 15 tetorit ishte treguar i përmbajtur duke injoruar sulmet që i bëheshin nga opozita. Po, ja që dhe kjo ka një limit durimi. Apo Ramush Haradinaj provokoi  veten që bëri  kryeministrin t´i thotë: “… se veriu ka qenë i rrezikuar kur Haradinaj ka pritur në takim në zyrë kriminelin Radojçiq”, ka thënë ai.

Përse kjo përplasje me kryeministrin Kurti?

Ndërkaq, ai ka shpjeguar se përse i bënë Haradinaj këto deklarata për Kurtin, kurse shprehet se lideri i AAK-së tregohet  si politikan  i pa denjë. 

“Kjo që bërë Haradinaj, është për teke dhe inate personale provinciale të ulëta, si kryeministër që ishte tregon për një mungesë ndjenje e përgjegjësisë, kulturës politike po dhe ajo shtetërore. Po tregohet si politikan i pa denjë”, ka thënë ai.

Peçani ka theksuar se Kurtin nuk po e sulmon vetëm Haradinaj, por edhe e gjithë opozita vendore.

“Qysh nga zgjedhja e Albin Kurtit kryeministër, mu brenda parlamentit, kishin filluar sulmet me tendencë denigrimi të personalitetit të tij dhe jo vetëm nga z.Haradinaj, po e gjithë opozita. E gjitha kjo nuk ka të bëjë me opozitarizëm por me një aversion të skajshëm  – animozitet.E gjitha qëndron në personale.

 Ramush Haradinaj dhe të tjerët, ndaj çfarëdo veprimi të kryeministrit si për targat, intervenimin e policisë, reciprocitetin dhe dialogun nuk duan t´ia dinë, sillen si miop politik, miopi kjo nga urrejtja. Një aversion edhe ndaj presidentes  znj.Vjosa Osmani – Sadriu, kështu e gjithë kjo ngase z.Haradinaj kalkulimet për president vendi i dështuan. 

Pra edhe në këtë seancë partitë opozitare PDK, AAK dhe L.Srpska kishin një ex pacto et convento që kësaj seance do i bëjnë obstrukcion, duke mos respektuar obligimet kushtetuese se janë të obliguar të marrin pjesë në seancë, absurd në vete kjo. Kur nga ana tjetër thirreshin  se këta janë për shtetin dhe qytetarët, popullzim ky!”, ka deklaruar ai për “Bota sot. 

Sulmi drejt kryeministrin për veriun – një absurd dhe anakronizëm

Edhe njëherë Peçani i ka përmendur deklaratat e Haradinajt dhe Kurtit, duke thënë se deputeti i AAK-së duhet të jepte shpjegim për takimin e tij me Radojçiqin.

“Frikën e kam te ti kryeministër, që ti qëllimshëm i ke marrë dy veprime me dorëzua veriun. Unë besoj që skenari yt me marr dy veprime mu forcuar kriminelët i ke bë qëllimshëm”, tha Haradinaj.

z. Kurti i është përgjigj akuzave të Haradinajt: “Asnjë barrikada nuk ka në veri. Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Milan Radojeçiq. Nuk e rrezikon veriun Policia, por kriminelët dhe bashkëpunimi i tyre me politikanët”. Ai u shpreh se në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj sot se sa ndonjëherë tjetër që nga shpallja e pavarësisë. Kurti tha se ajo pjesë ka qenë e rrezikuar kur Haradinaj e priste në zyrë Milan Radojçiqin.

Për këtë akuzë që i bëhet se kishte kontakte dhe e kishte pritur Radojçiq në zyrën e tij, z.Haradinaj duhet të jepte shpjegim, në parlament, po dhe për opinion e gjerë”, ka shpjeguar ai.

Sipas Peçanit, mes opozitës dhe pozitës mbretëron gjendje tejet e tendosur dhe jashtë racionales.

“Këtu qëndron hipokrizia e z. Haradinaj dhe gjithë opozitës. Kjo e gjitha qëndron si një luftë politike kundër qeverisë. Një opozitë jo se i bënë opozitë qeverisë – i  bëjnë opozitë shtetit.

Mes opozitës dhe pozitës mbretëron gjendje tejet e tendosur, e pakuptimtë,jashtë racionales. Rrethanat ku gjendemi kërkojnë që sa më shpejt t´i lënë zënkat dhe përçarjet,të bëhen tok duke ofruar opsionet që do na shpinin drejtë zgjidhjes. Një dialog është i domosdoshëm për interesin e shtetit”, ka thënë ai.

Në fund, Peçani i ka bërë thirrje pozitës dhe opozitës, duke thënë se interesi i shtetit është mbi partitë.

“T´i lënë veset e pasionet naive si egoizmin, inatet, xhelozitë bajraktarizmin. Interesi i shtetit është mbi partitë, me këso veprime sikur po tregojmë se ne asgjë, mu asgjë nuk mësuam nga historia e jonë e hidhur. Duke qëndruar kështu të përçarë po i krijohet hapësira djallëzisë serbe që të vazhdoj të na atakoj në kontinentet shtetësinë e Kosovës dhe qenien tonë kombëtare.

Nëse me zgjedhjet e 17 tetorit përçuam një mesazh shembulli të mirë rajonit dhe Evropës, padyshim se kemi një opozitë destruktive, ku pushteti mund të sulmohet në mënyrën më të ashpër dhe vulgare, qëndron si mesazh shumë i keç për rajonin dhe jo vetëm. Kjo është shëmti! Gjurmët e shëmtimit do mbesin në arkivin e shtetit për shume mote!”, ka përfunduar Peçani për “Bota sot”.

Krasniqi: Qeveria e Kurtit nuk mund të shantazhohet

Në anën tjetër, analisti Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka përmendur varësit e ish qeverive, duke e përfshirë edhe të Haradinajt, në Listën Serbe.

Gjithashtu, ai ka thënë se ato kanë mbajtur raporte të mira me bosët e krimit dhe korrupsionit duke i ftuar edhe në zyrat e qeverisë.

Image
Islam Krasniqi

“Mos të harrojmë së qeveritë e kaluara kanë qenë shumë të rezervuara me pjesën veriore dhe kanë heshtur përkundër që është zhvilluar krimi i organizuar dhe korrupsioni në atë pjesë, pasi që në koalicion kanë pasur edhe Listën Serbe e që shpeshherë kanë qenë të varura nga ajo. E që pjesë e Listës Serbe kanë qenë edhe bosët e krimit dhe korrupsionit, e që qeveritë i kanë mbajtur raportet e mira me ta, duke i ftuar edhe në zyrat e qeverisë, por që e metë ka qenë së  nuk i kanë pasur numrat ta mbajnë qeverinë në këmbë ku Listën serbe e kanë përkëdhelur por janë frikësuar edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare pasi që kanë mundur të jenë edhe të shantazhuar”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Krasniqi ka treguar se çfarë shembulli ka dhënë kryeministri Kurti, duke cekur se ai ka qeveri stabile të cilën nuk mund ta  shantazhojnë.

“Kurti ju ka dhënë shembull të tjerëve duke e lënë jashtë koalicionit Listën Serbe por edhe duke ja shuar apetitin ku nga dy ministri që kishin ju dha vetëm një. Kryeministri Kurti është më i fortë si në aspektin personal por ka edhe qeveri stabile sepse askush s'mund  ta shantazhojë, pasi që e kaluara e tij është e  pastër dhe për interesat nacionale, hyn në veri sa herë që e sheh të nevojshme pa e pyetur askënd”, ka theksuar ai.

Në fund, ai ka komentuar edhe deklaratat e Haradinajt, duke theksuar se ai flet  pa e ditur së çfarë po thotë.

“Deklarata e z. Haradinaj është false dhe flet pa e ditur së çfarë po thotë, sepse veriu ndahet duke e lenë të lirë krimin e organizuar dhe korrupsionin të lulëzojë e duke e goditur gjarprin në kokë”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat