Kërkesa për marrëveshje finale, analistët kritika ndaj Hotit - ja çfarë i kujtojnë

Politika

Kërkesa për marrëveshje finale, analistët kritika ndaj Hotit - ja çfarë i kujtojnë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 tetor 2021 Në ora: 10:41
Avdullah Hoti, Albin Kurti

Dialogu Kosovë-Serbi mbetet ende një çështje e pazgjedhur në mes të dy vendeve.

Bisedimet që kanë filluar prej vitesh ende nuk kanë sjellë një marrëveshje finale dhe kjo natyrisht po shoqërohet me kritika nga opozita.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve, por e njëjta nuk po arrihet pasi nuk ka pajtueshmëri në mes tyre.

Aktualisht dialogu po udhëhiqet nga kryeministri Kurti.

Së fundmi në lidhje me dialogun është deklaruar edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës tha se Qeveria e Kosovës duhet ta mbajë fokusin te marrëveshja finale për njohje reciproke dhe të mos rrëshqas në dialog teknik.

Ai tha se me veprimet e qeverisë aktuale, dialogu po kthehet në teknik.

Këtë reagim Hoti e bëri pas takimit të grupeve punuese për çështjen e targave në Bruksel.

“Fatkeqësisht, me veprimet e qeverisë aktuale, siç është takimi i sotëm në Bruksel, po kthehemi prapa në dialog teknik. Për targat nuk ka asgjë çfarë të dialogohet. Marrëveshja për targat ka skaduar më 15 shtator 2021. Një vit më parë, në shtator 2020, në zbatim të marrëveshjes së Brukselit, ish Ministri i Brendshëm Veliu e ka anuluar udhëzimin administrativ për të pamundësuar regjistrimin e automjeteve më tutje bazuar në marrëveshjen e vitit 2016, në mënyrë që përtej datës 15 shtator 2021 të mos ketë në qarkullim automjete të regjistruara sipas marrëveshjes së Brukselit”, ka shkruar ai.

Kësisoj, sipas tij, dialogu me qeverinë aktuale është duke u zhvendosur nga fokusi për marrëveshje finale me njohje reciproke, në dialog për çështje teknike.

“Me këtë qasje të qeverisë aktuale po zhvendoset fokusi i dialogut nga “marrëveshja finale për njohje reciproke” në dialog për “çështje teknike”. Ky lloj dialogu, jo vetëm që e prolongon arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke, por krijon pritje të tjera tek partnerët ndërkombëtarë sa i përket pozicionit të Kosovës për natyrën e marrëveshjes finale”, ka shkruar më tutje ai.

Ndërsa analistët politikë për gazetën “Bota sot”, thonë se një marrëveshje finale duhet të ndodhë sa më shpejt, mirëpo qeveritë e kaluara kanë lëshuar shumë marrëveshje dhe kjo tashmë po sjell vonimin e një marrëveshje finale.

Mehazi: Hoti i paarsyeshëm me kerkësat për dialogun

Në lidhje me këtë temë ka folur për “Bota sot”, profesori Sulejman Mehazi, i cili u shpreh se qeveria e Kosovës duhet të bisedojë për çështje madhore të cilat dërgojnë në marrëveshje finale e jo për ato teknike.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, qeveritë e kaluara të Kosovës i kanë lënë plagë të rënda vendit dhe se nuk mund t'i përfundojë të bëmat e tyre, kryeministri Kurti.

“Plotësisht pajtohem me deklaratën e ish-kryeministrit të Kosovës, njëkohësisht deputetin Avdullah Hotin, se Qeveria e Kosovës në Bruksel të fokusohet për një marrëveshje finale e njohje reciproke e kurrsesi të mos bisedohet për çështje teknike minore të llojeve të tagrave serbe të skaduara para disa muajve, mirëpo kemi edhe vërejtet ndaj Hotit, se, pse ai sa ishte kryeministër nuk fokusohej për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, po merrej me shumë me çështje dialoguese teknike sekondare e jo me çështjen primare e kryesore të dialogut përfundimtar me Serbinë. Problemi i Kosovës me Serbinë nuk është i lehtë, por plagë shumë e rëndë e trashëguar nga qeveritë inferiore të mëparshme të Kosovës që nga Thaçi, Mustafa, Haradinaj, Hoti e deri te Kryeministri i tanishëm Albin Kurti. Këto plagë të shtuara dialoguese teknike dhjetëvjeçare nga qeveritë e papërgjegjshme të mëparshme nuk mundet kryeministri Albin Kurti t'i mbledh tog, t'i zhduk e t'i transformojë në dialog primar për njohje reciprore”, u shpreh ai.

Profesori shton më tej se Hoti nuk mund të kërkojë këtë gjë pasi që ai ka qenë në dialog me Serbinë dhe nuk ka arritur të sjellë asnjë marrëveshje.

Kërkesa e deputetit Avdullav Hotit më shumë anon nga Serbia, shton më tej Mehazi.

“Plagën e asociacioneve serbe nënshkruar nga Isa Mustafa nuk mund ta shërojë aq lehtë qeveria e Albin Kurtit, Kosova nuk mund të pajtohet me asociacionet politike serbe brenda Kosovës, nuk mund të përfundojë dialogu Kosovë-Serbi sipas dëshirave serbe e në dëm të Kosovës. Mos do ish-kryministri Hoti që qeveria e Kosovës për hir të njohjeve reciproke të tolerojë e lejojë asociacionet serbe në Kosovë? Kërkesa e deputetit Avdullah Hoti më shumë anon nga Serbia, e cila në moment e njeh Kosovën nëse Albin Kurti pajtohet me asociacionet e qyteteve serbe brenda Kosovës, mos do Hoti që Kryeministri i Kosovës të nënshkruajë marreveshje përfundimtare me Vuçiqin sipas kërkesave politike të një mini-republike serbe në Kosovë”, tha Mehazi për “Bota sot”.

Kelmendi: Kosova të kërkojë llogari për pagjeturit në dialogun me Serbinë

Image
Muhamet Kelmendi

Më tej, për këtë temë i pyetur nga “Bota sot”, ka folur edhe profesori Muhamet Kelmendi, i cili thotë se këto kërkesa dhe mendime mund t'i jap çdo qytetar i vendit. Mirëpo që ajo se çfarë në fakt duhet të bëhet, është të bisedohet në tavolinë të bisedimeve për çështje që sjellin marrëveshjen finale.

“Mendime dhe propozime për të dialoguar Kosova me shtetin serb mund të jap çdo qytetar i Republikës. Mendime dhe analiza bëjnë edhe jashtë Kosovës. Në këtë kontekst, çdo deputet, parti a politikan mund të jap mendime. Mendime dhe analiza bëjnë të gjithë ish-kryeministrat e kaluar të Republikës. Këtë e bënë edhe z.Ramush Haradinaj, z. Avdullahh Hoti, deri edhe qeveritarët e tjerë të ish-qeverive të Republikës. Dhe, në fakt, dialogu nuk ka fare kuptim pa marrëveshje finale për njohje reciproke”, thekson profesori.

Në bisedë e sipër, ai shton se një nga temat kryesore që duhet të bisedohet është të pagjeturit e më pas të ndodhë njohja reciproke, mirëpo të varrosurit në varre masive në Serbi duhet qeveria t'i kërkojë.

“Këtu duhet të mbahen tehu i dialogimit. Natyrisht se pastaj dialogohen dëmet e luftës, përgjegjësia penale e shtetit serb, sikurse edhe çështjet tjera esenciale. E para së gjithash duhet të gjenden të vrarët dhe të varrosurit nëpër varre masive në Serbi. Temat e tilla janë evidente Por, pa njohje reciproke, nuk ka fare sukses çështje me shtetin serb. Këtë duhet Qeveria e Kosovës të avansojë si temë kryesore”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat