Duhanaj: Vettingu të mos shërbejë për ndikime e kontroll të caktuar politik

Politika

Duhanaj: Vettingu të mos shërbejë për ndikime e kontroll të caktuar politik

Nga: A.Z Më: 24 tetor 2021 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

Qeveria e Kosova duhet të nis një dialog me Bashkimin Evropian për ta bindur se procesi i vettingut është forma më e mirë për të siguruar një performancë më të mirë, transparencë dhe përgjegjshmëri më të lartë nga institucionet e drejtësisë.

Kështu po vlerëson shoqëria civile në Kosovë, e cila thotë se kritikat e Raportit të Progresit për vettingun kanë ardhur për shkak se Kosova ka dështuar t’ia dëshmojë BE-së, se procesi i vettingut është reformë e nevojshme pasi mekanizmat ekzistues nuk kanë funksionuar.

Lidhur me këtë, analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se raporti i progresit i BE-së për Kosovën, ka dozë të madhe të inkorporimit të përceptimit të publikut mbi tema të cakturara.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj tutje është shprehur se procesi i vetingut duhet të shërbejë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Sipas tij, duhet ndërtuar institucione që janë përtej partive politike.

“Kur flasim për raportin e progresit të BE-së në raport me Kosovën, duhet të themi se ka një dozë goxha të madhe të inkorporimit të percepcionit publik mbi temat e caktuara. Ndryshe nuk shpjegohet përsëritja dhe ngjashmëria e raporteve. Megjithatë, në këtë pikë mendoj që Qeveria përpos që ka dështuar ta shpjegojë mënyrën e vettingut si procesin më të mirë për reforma në drejtësi, ka dhënë sinjale edhe të ndikimeve politike në proces. Procesi i vettingut duhet të organizohet dhe të shërbejë në përmirësimin e sistemit të përgjithshëm të drejtësisë, e jo për ndikime e kontroll të caktuar politik. Ne duhet të ndërtojmë institucione që janë përtej partive dhe përtej gjeneratave politike. Në ketë kontekst, duhet edhe të bëhet puna, por edhe të argumentohet para komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat