A mund të ketë rinumërim të votave në Prishtinë? Kush po e kërkon këtë?

Politika

A mund të ketë rinumërim të votave në Prishtinë? Kush po e kërkon këtë?

Nga: A.Z Më: 25 tetor 2021 Në ora: 12:46
Foto ilustrim

Kandidati i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 17 tetorit, Gëzim Mehmeti, ka kërkuar rinumërim të plotë të votave në Prishtinë.

Mehmeti e ka bërë këtë kërkesë, pasi sipas tij ka pasur manipulime me vota duke u dëmtuar kështu partia e tij me 1.2 përqind.

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se rinumërimi është e drejtë ligjore, gjë që këtë kërkesë mund ta bëjë ajo parti që mendojnë se janë manipuluar votat e tyre.

Ai shtoi se nëse Mehmeti ka fakte, duhet domosdoshmërisht të rinumërohen votat.

“Rinumërimi është e drejtë ligjore, kërkesat për rinumërim të votave pjesërisht a në terësi, deri edhe të përsëritja e votimit, janë demokratike dhe të përcaktuara me ligj. Një kërkesë për rinumërim mund të bëjë partia a kandidati që pretendon se iu kanë manipuluar votat. Kuptohet se për të pasur sukses një kërkesë e tillë për rinumërim kërkohet të ketë kërkuesi fakte që t’i paraqet në PZAP, deri edhe në Gjykatën Supreme. Nuk di se z.Mehmeti a ka fakte. Por, nëse ka prova, është e domosdoshme të rinumërohen votat. Ka raste që rinumërohen në tërësi votat në një vendvotim a në një njësi zgjedhore”, tha ai.

Më tej tha se edhe votimi në nivel lokal mund të përsëritet, prandaj ekzistojnë edhe organet për çështjet e tilla, vetëm të ketë dëshmi, madje sipas Kelmendit, ligji parasheh edhe dënime me burg.

“E tëra varet nga dëshmitë që vërtetojnë manipulimet me votat e qytetarëve. Natyrisht se edhe vetë votimi në nivel lokal a të përgjithshëm mund të përsëritet. Kuptohet kur ka fakte manipulative që privojnë veprat e tilla penale. Organet për çështjet e tilla ekzistojnë. Atyre u duhen dëshmi. Ligji parasheh edhe dënime me burg, përveç me gjobë. Ndërsa, z.Mehmeti i dëshiroj suksese në pikësynimet e veta. Gëzimi është një politikan i sinqert, produktiv dhe shumë i angazhuar në çështjet e drejta”, tha Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat