Besiana Kadare hap rrugën e Kosovës për në OKB dhe UNESCO?

Politika

Besiana Kadare hap rrugën e Kosovës për në OKB dhe UNESCO?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 26 tetor 2021 Në ora: 13:21
Besiana Kadare

Presidenti Ilir Meta, me propozim të Kryeministrit, ka dekretuar lirimin nga detyra të 4 Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë në shtete të tjera dhe organizata ndërkombëtare si dhe emërimin e 3 ambasadorëve

Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit Ismail Kadare nga ambasadore e Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara u emërua në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident.

Kadare ishte shefe e misionit shqiptar në këtë organizatë në vitin 2015, kur Kosova kërkoi të anëtarësohet atje.

Lidhur me atë se sa mund t`i ndihmojë Kadare, Kosovës për t`u anëtarësuar ne UNESCO dhe si mund të injorohet propaganda serbe që veçse ka filluar në këtë drejtim, për gazetën “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Me Kadaren, arsyeja më e madhe për pranimin në UNESCO”

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se me ndërhyrjen zyrtare të Shqipërisë, u vendos në rend dite kërkesa për anëtarësim nga Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s.

Image
Gani Qarri

Qarri thekson se Kadare ka përvojë të gjatë, madje ajo u zgjodh edhe nënkryetare e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në fakt edhe herën e kaluar, me ndërhyrjen zyrtare të Shqipërisë, Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s, vendosi në rend dite kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë të rëndësishme të OKB-së, madje më 2015, Kosova mori 92 vota dhe i munguan vetëm tri sosh, nga dy-të tretat, prej sa është e paraparë me rregullore, që vendi ynë të pranohej në këtë organizatë të rëndësishme të arsimit dhe kulturës ndërkombëtare. Siç dihet zonja Besiana Kadare, ka një përvojë mjaft të gjatë dhe njohuri të një spektri të gjerë diplomatësh ndërkombëtar, e cila nga 2005 ishte e angazhuar në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ndërsa, nga 2008 ambasadore në Parisë, nga viti 2011 deri më 2015, ishte përfaqësuese e Shqipërisë në UNESCO, kurse nga viti 2016 ,ambasadore e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, përderisa vitin e kaluar, ajo u zgjodh edhe nënkryetare e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndaj dhe është njëra nga diplomatet më të shquara kombëtare në diplomaci”, theksoi Qarri.

Tutje, ai ka potencuar se ky lajm për diplomaten shqiptare, padyshim do të jetë ndihmesë e madhe për Republikën e Kosovës, madje sipas Qarrit, me përfaqësimin e Kadare tani kemi rastin ideal për paraqitjen e kërkesës sërish për pranim në organizata të rëndësishme.

Ai ka shtuar se me ndihmën e Kadaresë, Kosova tani ka arsye më të mëdha për ta kurorëzuar me sukses pranimin në UNESCO.

Kështu që lajmi se një diplomate kaq e shquar shqiptare, me përvojë të gjatë e njohuri të gjera, nga shtati ynë amë Shqipëria, që njeh dhe shumë diplomat ndërkombëtar dhe pas pesë vitesh të kaluara në selinë e OKB-së, serish do të kthehet në UNESCO, padyshim që do të jetë një kumt mjaft i mirë dhe ndihmës tejet e madhe edhe për Republikën e Kosovës, ndaj Qeveria e vendit tonë, me përfaqësimin e Shqipërisë me një diplomate të shquar si Besiana Kadare, ka rastin ideal që ta paraqes serish kërkesën për pranim në këtë organizatë të rëndësishme. Madje sidomos tani kur Besiana Kadare, pasi ka kaluar edhe plot pesë vite në selinë e OKB-së, e cila me një gamë edhe më të gjerë eksperience, lidhjesh e njohurish diplomatike, do të kthehet serish në UNESCO, me ndihmën e saj, Kosova ka arsye edhe më të fortë dhe një motiv edhe më të fuqishëm për ta kurorëzuar me sukses sprovën e nisur që më 2015, për pranimin përfundimtar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO)”, shtoi ai.

Më tej, ai ka thënë se Kadare ka mundësi ta përfundojë në këtë mandat anëtarësimin e Kosovës që e kishte nisur vite më parë, kështu duke e injoruar edhe propagandën serbe, pra të dalim fitimtarë përballë shtetit serb, do të ishte edhe një nga të arriturat më të mëdha të Kadaresë.

Me mbështetjen e pa rezervë të bijës së shkrimtarit tonë të madh mbarëkombëtar Ismail Kadaresë dhe ambasadores së Shqipërisë në këtë organizatë Besiana Kadare, që do të ishte një sukses edhe për vet ambasadoren e Shqipërisë. Zonja Kadare, e cila ishte shefe e misionit shqiptar në këtë organizatë edhe në vitin 2015, kur Kosova kërkoi të anëtarësohet atje, punën e nisur në atë vit ka mundësi ta përfundoi me sukses në këtë mandat duke i ndihmuar Republikës së Kosovës për t`u anëtarësuar, përfundimisht në UNESCO dhe injoruar propagandën e shfrenuar serbe që sapo ka filluar në këtë drejtim, me punë, profesionalizëm e përkushtim maksimal diplomatik, që Kosova, përkundër propagandës së çmendur serbe, të anëtarësohet përfundimisht në UNESCO dhe bashkë me shtetin amë Shqipërinë, të dalin fitimtare, në përballje me Serbinë shoviniste, që do të ishte edhe një shkëlqim më tepër dhe e arritur e madhe edhe për vet zonjën Besiana Kadare dhe shtetin tonë amë-Shqipërinë”, përfundoi Qarri.

“Për anëtarësim kërkohet angazhim më thelbësor”

Ndërsa, analisti dhe juristi Blerim Burjani, ka shtuar se pa angazhimin e miqve është i vështirë anëtarësimi, sepse sipas tij, kërkohet angazhim shumë më thelbësor, madje edhe votat për t’i bërë duhet më shumë punë politike.

Image
Blerim Burjani

Burjani theksoi më tej se kush është ambasadore e Shqipërisë ka rëndësi pak, rëndësi ka se sa lobon Shqipëria për anëtarësim.

Varet shumë nga lobimi i Kosovës me miqtë e saj, pa angazhimin e miqve tanë është i vështirë anëtarësimi. Dështimi i Kosovës më herët për anëtarësim, ka ndodhur për shkak të mos angazhimit të Kosovës në mënyrën e duhur, edhe pse herën e parë ishte shumë afër anëtarësimit, mirëpo kjo nuk ndodhi. Pra, kërkohet angazhim shumë më i qartë dhe më thelbësor, pasi që anëtarësimi bëhet përmes votimit, pra duhet bërë votat, për t’i bërë votat duhet më shumë punë politike. Edhe pse ka të bëjë me kulturën UNESCO, fatkeqësisht edhe kultura është e politizuara, po sikur Interpol që është çështje e luftimit të krimit ndërkombëtar. Pak ka rëndësi kush është ambasadore e Shqipërisë, rëndësi ka sa lobon Shqipëria për anëtarësim, te disa si fjetur shkon diplomacia kosovare, tash e shumë vite kërkohet angazhim më i madh”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat