Koalicioni i papritur LVV-PDK!/ Vetëm në këtë mënyrë mund të ndodhë kjo gjë, ja kush e thotë ‘fjalën e fundit’

Politika

Koalicioni i papritur LVV-PDK!/ Vetëm në këtë mënyrë mund të ndodhë kjo gjë, ja kush e thotë ‘fjalën e fundit’

Nga: A.M Më: 26 tetor 2021 Në ora: 20:59
Foto ilustrim

Mund të themi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë ndoshta të vetmet subjekte politike të cilat nuk kanë bashkëpunuar më parë. 

Këto parti politike njihen për kundërshtimet e mëdha që kanë mes vete, të cilat edhe i kanë penguar më parë që të bëjnë ndonjë koalicion eventual. 

Mirëpo, siç duket PDK ka vendosur ta hedh hapin e parë, duke i kërkuar LVV-së koalicion në komunën e Vushtrrisë. 

Kurse, Vetëvendosje ende nuk i ka dhënë një përgjigje përfundimtare kërkesës së PDK-së. 

Profesori universitar, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar mundësinë e koalicionit PDK-LVV dhe ndikimin në elektoratin e tyre. 

Ai u shpreh se ndonëse këto janë koalicione në nivel lokal, ato nuk mund të refuzohen ose pranohen pa miratimin e kryetarëve të partive. 

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi

“Tema e bashkëpunimeve politike në Kosovë është e ndryshme nga tema e këtyre bashkëpunimeve në Shqipëri. Në Shqipëri bashkëpunimi politik në nivel lokal është kompetencë e partive politike në qendër, ndërsa në Kosovë ndodh ndryshe. Atje vendimet për bashkëpunim lokal i marrin strukturat partiake lokale. A ndikon qendra në këtë vendimmarrje të autoriteteve politike lokale, d.m.th a ndikojnë kryetarët e partive në qendër. Sigurisht që po. Do ishte absurde të besosh se kryetari i Vetëvendosjes së Vushtrrisë të merrte vendim pa marrë më parë edhe mendimin e Albin Kurtit dhe e njëjta gjë vlen për të gjithë të tjerët në partitë e tjera”, deklaroi profesori. 

Sipas Bytyçit, koalicionet ndërmjet partive politike në Kosovë, dallojnë dukshëm nga koalicionet në Shqipëri. 

Madje, ai tha se të gjitha partitë politike në Kosovës kanë bashkëpunuar, duke përmendur edhe kohën kur PDK e mbështeti Shpend Ahmetin për kryetar të komunës së Prishtinës dhe doli kundër Isa Mustafës. 

“Megjithatë në Kosovë vendimmarrja është shumë më e decentralizuar sesa në Shqipëri. Në Shqipëri ndikojnë ende fort mendësitë autoritariste të diktaturës komuniste. Në këtë aspekt unë mendoj se të gjitha partitë në nivel lokal në të kaluarën kanë bashkëpunuar. Nëse nuk do të kishte votat e Partisë Demokratike, Shpend Ahmeti, si kandidat i Vetëvendosjes para tetë vitesh nuk do të ishte zgjedhur në balotazh të zgjidhej kryetar i komunës së Prishtinës dhe ta sfidonte Isa Mustafën. Por, aso kohe u bënë bashkë të gjitha partitë pro-Vetëvendosjes dhe kundër Lidhjes Demokratike, sepse donin që zotit Mustafa t'i jepnin një mësim, të mos hiqej si "mbret" i Prishtinës. Edhe qytetarët e patën këtë mesazh”, theksoi ai 

Në vazhdim, profesori tha se ish-presidentit Hashim Thaçi ishte arsyeja kryesore që LVV nuk ka bashkëpunuar asnjëherë me PDK-në në nivel qendror, duke thënë se Vetëvendosja punoi që të bëjë dallimin me të. 

“E dhashë këtë shembull për të thënë se koalicionet politike lokale kanë funksionuar edhe më parë. Në nivel qendror po, nuk ka pasur kurrë bashkëpunime dhe koalicione me Partinë Demokratike, as në opozitë, as në pozitë. Kjo, sepse ish-kreu i saj është konsideruar si e keqja e vendit dhe "njeriut me zgjebë askush nuk i afrohet"! Vetëvendosja madje u identifikua fort pse u përballë me Hashim Thaçin. Edhe Vjosa Osmani u mbështet fort që prej momentit kur ajo nuk pranoi ta votojë Hashim Thaçin për president të vendit. Pra, ish-kreu PDK-së u identifikua si njeriu që pengon zhvillimin e Kosovës dhe kësisoj Vetëvendosja punoi që të bëjë dallimin me të”, nënvizoi Bytyçi. 

Më tej, ai tha se koalicioni PDK mund të ndodhë vetëm nëse kryesia e re e kësaj partie distancohet nga klani Pronto, dhe të gjithë të përfshirët në këtë rast, dënohen nga drejtësia. Por, profesori tha se një bashkëpunim i tillë nuk mund të bëhet në një periudhë afat shkurtër. 

“Në kushtet e sotme bashkëpunimi i të gjitha partive politike me PDK-në varet nga reformimi i saj dhe distancimi që ajo do të bëjë me atë që quhet Klani PRONTO, klan i cili është shpallur si grupacion anti-shtet, anti-sovranitet dhe kundër interesave të Kosovës e të qytetarëve të saj. Nëse aferat e këtij klani shkojnë në gjyq dhe ndëshkohen nga drejtësia, atëherë i hapet rruga koalicioneve politike edhe në qendër, madje midis Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike, gjithashtu. Por, pa këtë distancim dhe ndëshkim është vështirë të paramendohet që dy lëvizjet që përbëjnë qeverisjen të kenë ndonjë bashkëpunim me PDK-në, së paku në një periudhë afat shkurtër”, shpjegoi profesori 

Ndërsa, sa i përket ofertës për koalicion në komunën e Vushtrrisë, Bytyçi hodhi dyshime se edhe VV do t’i kërkoi bashkëpunim PDK-së në Prishtinë. Megjithatë, ai u shpreh skeptik nëse PDK mund ta bëjë një gjë të tillë. 

“Oferta për bashkëpunim në Vushtrri me Lëvizjen Vetëvendosje me siguri që bashkëshoqërohet me një ofertë tjetër nga ana e kësaj të fundit. Nëse VV bashkëpunon në Vushtrri, atëherë ajo do të kërkojë bashkëpunimin e PDK-së në një komunë tjetër të rëndësishme, ndoshta në Prishtinë. A do të jetë PDK e gatshme ta bëjë këtë? Këtu vihen në balancë përfitimet e PDK-së dhe jo parimet e saj. Nuk besoj se dikush ka vija të kuqe në Kosovë. Edhe nëse dikush përmend se ka vija të kuqe, këtë e shoh thjesht si një mashtrim të rastit, por që nuk mund të shkojë pa fund në kohë. Në fund të fundit jetojmë në një rend demokratik dhe në përgjithësi politika në rendet demokratike nuk vendos vija të kuqe. Aq më pak të përhershme ose afatgjata”, tha ndër të tjera ai. 

Në fund, profesori kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje t’i shqyrtojë ofertat për bashkëpunim me të gjitha partitë politike, përfshirë edhe PDK-në. 

Gjithashtu, ai i paralajmëroi këto dy subjekte se koalicioni mund të ndikojë në elektorat dhe rivalët e tyre politik mund ta shfrytëzojnë për të keq. 

“Shkurt, çdo parti politike i studion ofertat për bashkëpunim, përcakton favoret e përparësitë për veten e saj, më pas vendos kushtet e bashkëpunimit ose e refuzon atë. Unë mendoj se Vetëvendosja nuk është në situatën kur mund të refuzojë ndonjë ofertë bashkëpunimi të asnjë subjekti politik. Ajo është në balotazh në 12 komuna dhe për pasojë synon që shumicën prej tyre t'i fitojë. Nëse dëshmohet kryeneçe dhe e mbyllur për bashkëpunim, qoftë dhe me Partinë Demokratike, atëherë ajo mund të humbasë në një ose më shumë komuna. Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit fitohen zgjedhjet elektorale, kur ato kanë përfunduar në balotazh. Nuk ka ndonjë formulë tjetër. 

Por a mund të ndikojë kjo në elektoratin e Vetëvendosjes dhe kandidatët rivalë të saj ta shfrytëzojnë këtë për sulme kundër kësaj partie? Mund të ndodhë. Është detyrë e politikës të kalkulojë se sa humbet e sa fiton në rastin e krijimit të koalicioneve në këtë periudhë në balotazhin e mesit të nëntorit në Kosovë!”, përfundoi profesor Enver Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat