Gara e ashpër për Gjakovën/Analistët japin parashikimet, tregojnë rrezikun – kështu duhet të veprojë Kusari-Lila

Politika

Gara e ashpër për Gjakovën/Analistët japin parashikimet, tregojnë rrezikun – kështu duhet të veprojë Kusari-Lila

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 27 tetor 2021 Në ora: 10:15
Ardian Gjini dhe Mimoza Kusari-Lila

Më 14 nëntor qytetarët do t’iu drejtohen përsëri kutive të votimit.

Gjithsej 21 komuna janë në balotazh, mes tyre edhe komuna e Gjakovës.

Kjo për shkak se asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur të fitojë në raundin e parë të mbajtur më 17 tetor.

Rezultati tepër i ngushtë i dy kandidatëve, mes Ardian Gjinit(AAK) dhe Mimoza Kusarit (LVV) e bën garën të jetë edhe më interesante.

Por, cilat janë pritjet për rezultatin e 14 nëntorit, në përballjen e të dyve në balotazh?

Qarri: Në Gjakovë do të rikrijohet PAN-i kundër Kusarit

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, ka thënë se votat nga diaspora ishin për LVV-në si në Gjakovë ashtu edhe në shumë komuna të tjera të Kosovës.

"Zgjedhjet lokale të 17 tetorit, njëjtë si në komunat tjera edhe në Gjakovë nuk nxorën një kandidat fitues, ndërsa dy partitë, me më së shumti vota dolën AAK e Ramush Haradinajt dhe VV, gjegjësisht Mimoza Kusari-Lila, e cila do të shkojë në balotazh me kryetarin e deritanishëm të komunës. Kurse, ajo që medoemos duhet të theksohet me këtë rast, është fakti se shumica e votave të mërgatës, ishin për VV-në edhe në Gjakovë, ashtu si në të gjitha komunat e Kosovës, për arsyen e shëndoshë se pas ardhjes në pushtet, VV ka filluar t`ua lehtësojë barrën dhe heq sanksionet e vëna ndaj mërgimtarëve, nga partitë e inkriminuara, që nga pagesat në kufi e deri te homologimet absurde të makinave, për ta pasuruar kompaninë mafioze të Devollëve, e cila përflitet se ka qenë e detyruar, që këtë lloj fitimi të paligjshëm, ta ndajë me padronët politikë në krye të shtetit", deklaron Qarri.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, te përqindja e votave të Ardian Gjinit të AAK-së, ka ardhur si pasojë e rikrijimit të PAN-it, të cilët kanë votuar për Gjinin, e madje e njëjta situatë mund të ndodhë edhe në balotazh.

"Madje, siç shprehet edhe vet shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, deri te përqindja aktuale e votave në favor të Gjinit, erdhi me rikrijimin e PAN-it në Gjakovë, për të cilin sipas zonjës Kusari, kanë votuar edhe një pjesë e elektoratit të PDK-së dhe NISMA-s qysh në raundin e parë. Kjo nënkupton se e njëjta procedurë e rikrijimit të PAN-it, padyshim që do të ndodhë edhe me 14 nëntor, kur pritet jo vetëm në Gjakovë, por në dhjetëra komuna tjera të Kosovës, të mbahen votimet për balotazh", potencon ai.

Qarri hedh kritika ndaj Gjinit i cili sipas tij po luan ping-pong edhe me historinë, duke ndarë kështu mirënjohje e tituj "heronjsh" dhe fatkeqësisht jo vetëm atyre që do duhej dhe që e meritojnë, por edhe bashkëpunëtorëve të Serbisë.

Ai deklaron që këtë veprim duhet ta ndalojë urgjentisht.

"Për aq më tepër, sipas informatave nga Gjakova me rrethinë, kryetari që tanimë po përfundon mandatin dhe kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Gjakovës, ka filluar të luajë ping-pong edhe me historinë, dhe pas stërfryrjes së numrit të veteranëve nga shefi i tij, ai për para të majme e numër të konsideruar votash, ka filluar të shes edhe mirënjohje e tituj "heronjsh" dhe fatkeqësisht jo vetëm atyre që do duhej dhe që e meritojnë, por edhe bashkëpunëtorëve të Serbisë. Ndaj, ky keqpërdorim flagrant antiligjor duhet të ndalojë urgjentisht, në mënyrë që pas zhvatjes e përvetësimit të çdo gjëje të këtij vendi, nga partitë e inkriminuara, të mos lejojmë të na bastardohet edhe historia, që nesër fëmijëve të Kosovës pa fajin e tyre tu imponohet si e “vërtetë”, gjë që është në kundërshtim me çdo normë morale, etike e kombëtare dhe e dënueshme edhe me ligj", ka thënë analisti.

Qarri shprehet pesimist se në Gjakovë në votimet e balotazhit PAN të rigrupohet, sikur edhe në komunat tjera.

"Kështu që, megjithëse kur është në pyetje pushteti, zhvatja dhe përfitimi monetar, partitë e inkriminuara kanë të njëjtin mision e ideal dhe përdorin çdo mjet e mënyrë, për të qëndruar sa më gjatë në pozita e rikthyer sa më parë në pushtet, ndaj veçanërisht, për votimet në balotazh, përveç në Gjakovë, PAN pritet të rigrupohet edhe në komunat e tjera të vendit, që nuk janë pak, por mbi 21 sosh, në gjithë Kosovën. Prandaj duke pasur parasysh faktin se, pa kaluar shumë kohë, Serbia mund t’i hap arkivat, ku mund të vërtetohet se heronjtë e shpallur për vota dhe para, mund të na dalin njerëz të dyshimtë, e bashkëpunëtor të vet shtetit okupator serb, për çka një ditë personat përgjegjës duhet të përgjigjen edhe para ligjit, do të ishte mirë që në Gjakovë të ndodhë sa më parë një rotacion partiak dhe qeverisës, në mënyrë që përveç manipulimeve tjera, edhe mirënjohjet dhe titujt që shiten për para, të konfirmohen me argumente e trajtohen sa më parë ligjërisht, si dhe përfundimisht edhe në Gjakovë, të qeveriset me duar të pastra", ka thënë analisti Gani Qarri "Bota sot".

Mehmeti: LDK përcaktuese në Gjakovë, mes AAK-së dhe VV-së

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti thotë që gara në Gjakovë është shumë e fortë, por që përcaktuese do të jetë LDK-ja në këtë mes.

"Në Gjakovë është garë shumë e fortë, në fakt të tillë e kam parashikuar. Faktor shumë i rëndësishëm do të jetë koalicioni që pritet të bëjnë VV dhe AAK, LDK pritet të jetë përcaktuese në këtë aspekt. Edhe pse mendoj se Gjini është në avantazh dhe me gjasa më të mëdha për të fituar edhe një mandat, megjithatë s’duhet harruar Mimoza Kusarin që mund të bëjë kthim të paparashikuar ne fund. Kështu që pres që të jetë garë e fortë për Gjakovën", është shprehur ai.

Sipas Mehmetit, nëse Kusari bën koalicion me LDK-në dhe me votat e mërgatës, ka shumë mundësi që të mposhtë Gjinin.

"Në gjykimin dhe parashikimin tim, Ardian Gjini do të jetë prapë kryetar, edhe pse po them s’duhet harruar Mimoza Kusarin që në rast se bën koalicion me LDK dhe me votat e mërgatës ka shumë mundësi që të mposhtë Gjinin. Thënë të drejtën, edhe Mimoza edhe Ardiani nuk janë shquar shumë të mirë në Gjakovë, do të fitojë ai që ka bërë më pak gabime në udhëheqjen e tyre katër vjeçare", përfundon analisti Faton Mehmeti për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat