“Thaçi dhe Mustafa rrezikuan Kosovën”, vjen paralajmërimi për Asociacionin - kështu do të veprojnë Kurti e Osmani

Politika

“Thaçi dhe Mustafa rrezikuan Kosovën”, vjen paralajmërimi për Asociacionin - kështu do të veprojnë Kurti e Osmani

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 tetor 2021 Në ora: 13:40
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Vite më parë formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu një gjë të tillë e ka kundërshtuar fuqishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në vazhdimësi ka thënë se një gjë ë tillë nuk ka për të ndodhur.

Madje për asociacionin ka folur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke thënë se do ta zbatojmë vetëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese", duke "goditur" ish-kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, se“. A e ka ditur Isa Mustafa se po e nënshkruan një dokument që është ndesh me Kushtetutën, dhe kësisoj ka theksuar hajt se ndoshta Gjykata Kushtetuese e rrëzon”.

Por nga ana tjetër kemi deklarata nga shteti serb se një gjë e tillë do të bëhet, madje sipas tyre në fund të këtij viti.

Kurse, për këtë analistët thonë që vendimin final e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, që nuk do të ketë asociacion te komunave me shumicë serbe.

Peçani: Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e kemi shteg kah duhet shkuar dhe si duhet vepruar me Asociacionin

Image
Ruzhdi Peçani

Lidhur me këtë, analisti Ruzhdi Peçani thotë se presidentja Osmani me të drejtë konstaton që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa e kanë rrezikuar Kosovën dhe raportet me miqtë ndërkombëtarë kur e nënshkruan Asociacionin.

"Qëndron e gjitha që kishte thënë Presidentja e Kosovës znj.Vjosa Osmani – Sadriu, duke konstatuar faktin, atë që ka ndodhur në Bruksel në 2013 dhe 2015, lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Me plotë të drejtë edhe konstaton, se Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa e kanë rrezikuar Kosovën dhe raportet me miqtë ndërkombëtarë kur e nënshkruan Asociacionin. Qëndron dhe ajo se lidershipi në të kaluarën kishin vendosur në tavolinë sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Se çfarë do të bëjë Kosova me Asociacionin? Presidentja, pa u hamendur, e kishte thënë qartë:

Lidhur me Asociacionin ajo ka thënë se do ta zbatojë vendimin e Kushtetueses. Gjykata Kushtetuese , më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, të datës 25 gusht 2015 nënshkruar nga Isa Mustafa, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës", ka thënë analisti.

Ai madje thotë se të gjitha ngjarjet që ndodhën në veri kanë lidhje me marrëveshjet që janë bërë gjatë vitit 2013 dhe 1015.

"Asociacioni i komunave me shumicë serbe, buron nga Marrëveshja e Parë e Parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013, që kishte nënshkruar Hashim Thaçi. Marrëveshje shumë e dëmshme kjo për Kosovën, që po i rri Kosovës dhe sot, si “shpatë Demokleu”. Këtë e kishte bërë ish kryeministri Isa Mustafa, së paku para pak kohësh ishte prononcuar se “ishte një gabim i madh”. Që nga 20 shtatori, kur Kosova vendosi reciprocitetin për targa, që ndodhi edhe rebelimi i serbëve lokal në veri të Kosovës. Vënia e ushtrisë në gjendje gatishmërie luftarake nga Serbia. Më pastaj aksioni i policisë së Kosovës në luftimin e kontrabandimit të mallrave, ku sërish serbët u rebeluan me vendosjen e barrikadave, ku nuk munguan edhe hedhjet e gazit lotsjellës po dhe përdorim edhe të granatave ushtarake. Të gjitha këto veprime janë si rrjedhë e marrëveshjeve 2013 dhe 2015. Pra një presion lidhur me formimin e Asociacionit të komunave serbe. Kjo paraqet dëmin që sollën këto marrëveshje edhe pas shtatë viteve në kontinuitet", shprehet tutje ai.

Derisa deklaratën e ministrit Goran Rakiq, se Kryeministri mund të formojë asociacionin, apo të nënshkruajë një marrëveshje të dëmshme, për Kosovën, ashtu si bëri opozita, e quan më shumë se hipokrite dhe irracionale.

"Javën e kaluar, ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, ka paralajmëruar se do të largohen nga institucionet në të gjitha nivelet, në rast se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk themelohet deri në fund të këtij viti. Të shprehet skepticizëm dhe drojën “se Kryeministri mund të formojë asociacionin, apo të nënshkruajë një marrëveshje të dëmshme, për Kosovën”, ashtu si bëri opozita, është më shumë se hipokrizi. Kjo është skajshmërish irracionale dhe hipokrizi, kur edhe vije nga partitë si LDK dhe PDK, po ata që kishin votuar ratifikimin e kësaj marrëveshje në parlament, të nënshkruar nga liderët e tyre", deklaron Peçani.

Mirëpo, sot Kurti dhe Osmani e kanë top-prioritet mbrojtjen e shtetësisë dhe sovranitetin e Kosovës, duke qëndruar fuqishëm në qëndrimet e tyre.

Ai thotë se asociacioni vazhdon të jetë pika më e fortë ndarëse në dialogun Kosovë-Serbi.

"Dhe, tani Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe Kryeministri Albin Kurti e kanë sot e gjithë ditën, top prioritet mbrojtjen e shtetësisë dhe sovranitetin e Kosovës, duke qëndruar fuqishëm në qëndrimet e tyre, e që ishin cenuar nga ish liderët Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Dhe këtë e kishte thënë kryeministri Kurti: “…se nuk mund të ketë Asociacion të Komunave mbi baza etnike”, dhe sipas tij kjo është përcaktuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Kështu çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë pika më e fortë ndarëse në dialogun Kosovë-Serbi. Serbia insiston në formimin e Asociacionit, por kjo refuzohet në mënyrë kategorike nga z. Albin Kurti", shprehet ai.

Ai ngre pikëpyetje duke thënë se pse një marrëveshje e tillë nuk u ratifikua në Parlamentin serb nëse ishte ndërkombëtare, po vetëm në Parlament të Kosovës?

"Dhe kur Marrëveshja për “Asociacionin e komunave me shumicë serbe” në 2013, se ishte një veprim i gabuar, nga politikan injorant, por ishte gabuar edhe ratifikimi i saj në Parlamentin e Kosovës. Ishte trajtuar, po dhe sot si një marrëveshje ndërkombëtare. Mund të shtrohej pyetja përse “ndërkombëtare” dhe pse duhej ratifikuar? Kjo marrëveshje kishte shkaktuar edhe huti. Nuk mund të trajtohet si bilaterale apo multiraterale. Ishte një marrëveshje mes dy shteteve të cilat nuk njohin njëra tjetrën. Si një marrëveshje e zakonshme mund të kishte peshën edhe me nënshkrimin, pa shkuar fare në parlament për ratifikim. Nga kjo, edhe shtrohet pyetja pse Parlamenti i Serbisë nuk e ratifikoi – ngase Gjykata Kushtetuese e tyre dha vlerësimin se nuk është objekt shqyrtimi për Gjykatën. Kështu që atëherë kurrë nuk u dha shpjegim pse u bë ratifikimi i kësaj marrëveshje nga Parlamenti i Kosovës. A mund të ishte një heshtje se “ishte kafshuar karremi”? Po tanimë kjo veç ka ndodhur", shpjegon ai.

Në fund si zgjidhje të kësaj e sheh Gjykatën Kushtetuese, për të cilën thotë se duhet shikuar si duhet vepruar me Asociacionin.

“Dhe cili do ishte hapi i veprimit tani? Përgjigja do ishte, e thënë në mënyrë eksplicite: Formimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive nuk duhet lejuar dhe pranuar, për çfarëdo çmimi. Kjo si shumë e rrezikshme, mu si një “Republika Srpska” në Bosnjë. Kjo si shumë e dëmshme që do çonte Kosovën si një shtet jofunksional dhe drejtë zhbërjes. Mendoj, se kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e kemi shtegun kah duhet shkuar dhe si duhet vepruar me Asociacionin dhe nuk guxohet të dilet jashtë kësaj konture", përfundon analisti Ruzhdi Peçani.

Ahmeti: Mustafa dhe Thaçi, do të mbesin e kaluar dhe do të gjykohen nga historia

Image
Hidajet Ahmeti

Edhe analisti Hidajet Ahmeti mendon se qeveria e keqe që kemi pasur me vite ka dhënë njëkohësisht marrëveshjet e dëmshme në raport me Serbinë kanë zbehur imazhin e shtetit të Kosovës në rendin ndërkombëtar.

"Qeveria e keqe për dy dekada ka prodhuar një realitet të pajtueshëm në Kosovë. Por njëkohësisht marrëveshjet e dëmshme në raport me Serbinë kanë zbehur imazhin e shtetit të Kosovës në rendin ndërkombëtar. Në këtë realitet të pajetueshëm aktorët kanë qenë ata të cilët kanë keq qeverisur, kurse qytetarët kanë qenë spektator, e të cilët mllefin e tyre e treguan me votën e tyre në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit", ka thënë analisti.

Sipas tij, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, por edhe shumë të tjerë të cilët kanë qenë pjesë e kësaj loje do të mbesin e kaluar dhe do të gjykohen nga historia.

"Mendoj se dëmet që ja kanë bërë shtetit të Kosovës do të kenë pasoja të mëdha afatgjate edhe në realitetin e brendshëm social, ekonomik e politik, por edhe në rendin ndërkombëtar. Mendoj se zoti Mustafa e zoti Thaçi, por edhe shumë të tjerë të cilët kanë qenë pjesë e kësaj loje do të mbesin e kaluar dhe do të gjykohen nga historia, por pasojat do t’i kemi për një kohë të gjatë në shumë dimensione të jetës", përfundon analisti Hidajet Ahmeti për "Bota sot".

Burjani: Për Kurtin kjo temë është e mbyllur, s’ka diskutim

Image
Blerim Burjani

Edhe njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, ka thënë se pa marrë parasysh se çfarë thonë nga bashkësia ndërkombëtare apo opozita, kjo temë është e mbyllur.

“Zonja Osmani thotë se qëndron pas kësaj teme sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, por Kurti është pikëpyetje edhe atë ta pranojë, pra është vështirë që të dialogohet apo të bisedohet për temën e asociacionit. Për Kurtin kjo temë është e mbyllur pa marrë parasysh se çka thotë opozita apo bashkësia ndërkombëtare", përmbylli Blerim Burjani për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat