“Ndodhën lëshime të mëdha dhe të pariparueshme”, avokati Halilaj flet për atentatin ndaj tij ku akuzohen Lushtaku dhe Zeqiri

Politika

“Ndodhën lëshime të mëdha dhe të pariparueshme”, avokati Halilaj flet për atentatin ndaj tij ku akuzohen Lushtaku dhe Zeqiri

Nga: A.ZH Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 22:03
Atentati ndaj avokatit Gazmend Halilaj

Avokati Gazmend Halilaj, ka folur për atentatin ndaj tij, që iu bë më 14 prill 2020. Ai ishte plagosur me armë zjarri nga dy persona në Drenas. Në këtë rast akuzohen Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri.

Halilaj në një intervistë për gazetën “Bota sot” se tani procesi i gjykimit është në shqyrtimin kryesor, në ballafaqim me dëshmitarët dhe ekspertët.

“Lidhur me atentatin që mu bë me datën 14 prill 2020, tani jemi në shqyrtim kryesor, në ballafaqim me dëshmitarët, ekspertët dhe betejën tonë, ku unë dhe prokurori jemi në një anë, derisa të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre në anën tjetër”, ka thënë avokati.

Por, ai ka theksuar se kanë ndodhur lëshime të mëdha në këtë proces gjyqësor, megjithëse ka shprehur bindjen se do të dal fitimtar në fund të tij.

“Ajo që mund të theksoj është fakti që kanë ndodhur disa lëshime të mëdha dhe thuajse të pariparueshme në këtë proces. Por, kemi bindjen që ende ka gjasa që do të mund t’ia dalim. Fjala është lidhur me identifikimin dhe kapjen e personave tjerë të përfshirë në këtë vepër. Detaje tjera për këtë pikë, tani për tani nuk mund të japim”, ka shtuar avokati Gazmend Halilaj.

Atentati ndaj Halilajt, kishte ndodhur dy ditë pasi ai i kishte reaguar Sami Lushtakut për ndihmat e shpërndara në Komunën e Skenderajt në emër të PDK-së.

“Sami Lushtaku ndihmat që i dha, ndoshta i bëri me një pjesë të 1 milion e 400 mijë markave gjermane të mërgimtarëve tanë që i ndanë për UÇK-në, që i mori në Tërdec të Drenasit në ora 05:00 të mëngjesit në qershor të vitit 1999 me Jeset Lushtakun, e që ato para më nuk është ditur nga kanë shkuar”, kishte thënë avokati.

Pas këtij reagimi, Halilaj në profilin e tij në Facebook, kishte shkruar se kishte marrë një telefonatë nga Lushtaku. Përmes këtij postimi, avokati Halilaj thoshte se kryetari i PDK-së në Skenderaj, ishte nisur për tek ai. “Miq, Sami Lushtaku më kanosi dhe sipas tij u nis në drejtim timin”, kishte shkruar Halilaj. Por përveç këtij njoftimi, Halilaj e ka sfiduar Lushtakun duke i thënë “Hajde”. “O Sami Lushtaku je vetëm një leckë për mua, hajde”, kishte shkruar tutje Halilaj.

Në qershor të këtij viti, Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin me 2 mijë euro gjobë ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, për rastin e kanosjes së avokatit Halilaj. Në vendim thuhej se kjo gjykatë e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Lushtakut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat