Qëllimi i Vuçiqit ta përçajë politikën shqiptare

Politika

Qëllimi i Vuçiqit ta përçajë politikën shqiptare

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 8 nëntor 2021 Në ora: 19:30
Pamje nga takimi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama para pak ditësh ishte për vizitë zyrtare në Beograd, në kuadër të takimeve për nismën rajonale “Open Balkan”.

Rama atje foli për iniciativën “Open Balkan” dhe refuzimin e pjesëmarrjes së Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës në këtë nismë, marrëdhëniet Kosovë-Serbi, dialogun dhe çështjen e kërkim-faljes.

Kryeministri i Shqipërisë tha se arsyet e refuzimit të pjesëmarrjes së Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës në këtë nismë nuk kanë kuptim.

“Arsyet pse tjerët janë skeptik ose refuzues ndaj Ballkanit të hapur i kam dëgjuar arsyet e të gjithëve dhe i konsideroj arsye të mos arsyes”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur edhe për kërkim-faljen nga Serbia.

Ai tha se kërkim falja e Serbisë për Kosovën vjen pasi të përfundojë dialogu mes dy shteteve.

 “Ju keni dëgjuar që është thënë se Serbia duhet të kërkoj falje, dhe jam shumë dakord, dhe mendoj se është kapaku që i duhet vënë përfundimisht një dialogu që duhet të zgjidh të gjitha çështjet dhe t’i japi zgjidhje njohjes së Kosovës nga Serbia”, tha Rama.

“Deklarata e Ramës më shumë i ndihmon Serbisë sesa Kosovës”

Image
Sulejman Mehazi

Kjo deklaratë e tij ngjalli reagime të shumta, kështu analisti politik Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se deklarata e Ramës e ka kuptimin e dyfytyrësisë së tij, madje sipas tij, kjo deklaratë më shumë i ndihmon Serbisë se Kosovës, gjë që ndodhë vetëm për ta ngarkuar Qeverinë e Kosovës.

“Deklarata e Edi Ramës në Beograd, se, Serbia duhet të kërkojë falje jo para dialogut, por në fund të dialogut janë blofe të njohura politike të tij, që e kanë kuptimin e dyfytyrësisë që sa më shumë të zgjatet dialogu, sa më shumë të kalojë kohë e aq më shumë freskitë e gjenocideve serbe të skadohen e të harrohen në Kosovë. Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, më shumë i ndihmon Serbisë sesa Kosovës, është deklaratë për të mos hidhëruar presidentin e saj Vuçiq e për të ngarkuar Qeverinë e Kosovës, që të lëshojë pe para kërkesave gjenocidale serbe në Kosovë”, tha ai.

Tutje ka shtuar se qëllimi i Ramës është që Serbia ta ripërtërijë dialogun nga fillimi për shkak të kërkesave të Kosovës. Qëllim tjetër i tij është që, të mos arrihet marrëveshje me Serbinë në këtë formë të dialogut.

 “Serbia nuk e ka ndërmend ta njoh Kosovën e jo të kërkojë falje për vrasjet makabre në Kosovë. Edi Rama kërkon që para marrëveshjes me Serbinë, Kosova të kushtëzojë Serbinë për falje mu në fund të dialogut që Serbia të ripërsërisë nga fillimi dialogun për shkak kërkesave kosovare. Edi Rama i Shqipërisë me deklaratën e faljes së gjenocideve serbe në fund të dialogut është për t'u mos u marrë vesh kurrë me Serbinë për njohje reciproke, për Ramën çdo fund i dialogut të jetë fillim, e çdo fillim fund i dialogut, riciklime dialogjesh nga fillimi në fund e nga fundi në fillim. Thëniet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës në Beograd janë të dëmshme që të zgjatet dialogu në pafundësi për t'u harruar gjenocidet serbe në Kosovë”, shtoi Mehazi.

“Rama t’i vë kushte Serbisë”

Image
Skender Mulliqi

Ndërsa, analisti Skënder Mulliqi, ka potencuar se nëse Serbisë do t’iu kishin vënë kushte, atëherë nuk do të kishim as marrëveshje në dëm të Kosovës, përfshirë edhe asociacionin.

Sipas tij, shumë më herët ishte dashur që gjatë bisedimeve me Serbinë, të këmbëngulnin se nuk do të ketë zhvillim të bisedimeve, pa kërkuar falje për gjenocid.

“Dihet se çfarë gjendje prodhuan në Kosovë pas luftës bisedimet maratonike me palën serbe, kur nuk iu vu asnjë kusht dhe as kushti për kërkim falje për gjenocid. Sikur Serbisë t’i ishin vu kushte sigurisht se nuk do t’i kishim gjithë ato marrëveshje në dëm të Kosovës. Nuk do ta kishim as Asociacionin me kompetenca ekzekutive, që tash po na nxjerrë telashe të mëdha. Pikërisht me Asociacionin që na lanë barrë të rëndë, Thaçi dhe Mustafa, edhe janë duke na kërcënuar Serbia e Vuçiqit me luftë për ta bërë faktike atë. Serbisë gjatë bisedimeve jo vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit, por edhe shumë më herët, është dashur të këmbëngulë se nuk do të ketë asnjë zhvillim të bisedimeve, nëse nuk kërkojnë falje për gjenocid”, potencoi Mulliqi.

Më tej deklaroi se kusht tjetër është dashur të jetë pranimi i pavarësisë, e pastaj të fillojnë bisedimet.

Mulliqi shtoi se të gjitha këto lëshime, e faktorizuan Serbinë dhe e afruan në rrugën e integrimit në BE, madje edhe për faktin se njerëzit tanë u treguan të pa përgatitur profesionalisht në ballafaqim me shtetin serb.

“Kushti tjetër do të duhet të ishte për të pranuar pavarësinë e Kosovës, e tek pastaj të fillohen bisedimet teknike, e jo politike si u zhvilluan deri më sot, e të cilat po prekin edhe statusin politik të vendit. Nuk u bë nga drejtuesit e shtetit tonë as padi për gjenocid pranë TPI-së në Hagë, dhe të gjitha këto lëshime dhe shumë lëshime të tjera e faktorizuan Serbinë në rajon dhe e afruan atë nga struktura e BE-së, e Kosova mbeti e izoluar dhe e pa inkuadruar në shumë organizma relevant ndërkombëtare. Të gjitha këto lëshime na ndodhën për faktin se njerëzit tanë të politikës u treguan shumë të pa përgatitur profesionalisht dhe moralisht në ballafaqimin me palën serbe”, shtoi ai.

Më tej ka potencuar se deklarata e Ramës është e pa menduar mirë, sepse sipas Mulliqit, kjo fund do të thotë kur Serbia i arrinë të gjitha objektivat.

Mulliqi shtoi se nëse Serbia deklaron se nuk do e njohë Kosovën asnjëherë, çfarë do të thotë atëherë “Fundi” i Ramës, apo në rastin kur Serbia e sheh kushtetuesen e Kosovës si pjesën e saj, madje, edhe atëherë kur Serbia nuk jep asnjë sinjal për kërkim falje për viktimat e luftës në Kosovë.

“Kur bëhet fjalë për deklarimin e Edi Ramës se Serbia bën të kërkojë falje në fund dhe jo tash, është deklaratë e pa menduar mirë, mos të them deklaratë skandaloze politike. Çfarë efekti do të ketë kërkim falja në fund, e që shumica nuk e kanë të qartë, atë fund të cilin e ka potencuar Edi Rama. Ose është ai fund kur Serbia i arrin të gjitha objektivat e saj politike, edhe me “Open Balkan” nëse realizohet. Çka do të thotë kjo kërkim falje e Ramës në “Fund”, nëse Serbia e Vuçiqit deklaron se kurrë nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Çfarë kuptimi politik dhe çfarëdo tjetër ka kërkim falja në fund, kur Serbia nuk po e heq nga preambula e saj kushtetuese Kosovën si pjesë përbërëse të saj? Çka nënkupton Edi Rama me atë deklarim kur Serbia kurrë nuk ka dhënë sinjal për kërkim falje për viktimat e luftës në Kosovë? Dhe çfarë domethënie ka kërkim falja në Fund të bëhet, kur dihet se Serbia se ka pranuar as gjenocidin në Bosnjë dhe as masakrën më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore, atë të Srebrenicës”, ka theksuar ai.

Tutje ka deklaruar se deklarata e Ramës i dëmton bisedimet në vazhdimësi, dhe se Rama është dashur t’i vë kushte Serbisë.

Mulliqi shtoi më tej se Serbia po bënë lojë të dyfishtë, karshi perëndimit dhe Rusisë, sepse Vuçiqi ka për qëllim përçarjen e politikës shqiptare, vetë për t’i arritur objektivat e tyre hegjemoniste në rajon.

“Kryeministri i Shqipërisë e dinë mirë se cili ishte agresori dhe cili ishte viktima e luftës. Dhe, një deklaratë e tillë i dëmton bisedimet në vazhdim me palën serbe. Kryeministri i Shqipërisë ishte dashur edhe ai t’i vë kushte Serbisë, e mos të bënë takime me Vuçiqin për Open Ballkan. Po të ishin rrethanat tjera kohore e me njerëz të tjerë në Serbi, integrimet rajonale do të kishin kuptim. Por, nuk kanë kuptim sot kur dihet për planet hegjomoniste ruso- serbe ndaj tokave shqiptare në përgjithësi, e ndaj Kosovës në veçanti, duke na kërcënuar në mënyrë permanente me luftë. Serbia është duke e bërë lojën e dyfishtë mashtruese përfituese politike karshi Perëndimit dhe lojën me Rusinë në anën tjetër. Sigurisht se Vuçiqi donë që ta përçajë sa më shumë faktorin politikë shqiptarë, për t’i arritur pastaj Serbia objektivat e saj hegjemoniste në rajon. Nuk do të na falet kurrë, nëse biem në kurthe të politikave serbomëdha serbe”, ka përfunduar Skënder Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat