Ligji i vettingut dhe deklaratat shqetësuese të Albulena Haxhiut: Kush është kundër spastrimit të veprimtarive kriminale?

Politika

Ligji i vettingut dhe deklaratat shqetësuese të Albulena Haxhiut: Kush është kundër spastrimit të veprimtarive kriminale?

Nga: N. Sh. Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 23:07
Albulena Haxhiu

Procesi i vettingut në Kosovë po duket më i vështirë se sa që është parashikuar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ditë më parë është shprehur se për reformat në drejtësi e kanë ditur që do të përballen me sfida.

Ajo ka theksuar se vettingu ka qenë premtim zgjedhor dhe sipas saj, nëse nuk do ta realizonin një premtim të tillë, do të ndëshkoheshin nga qytetarët.

 “Ka individë në sistemin e drejtësisë që janë komod në pozicionet e tyre dhe çdo iniciativë lëkund pozicionet e tyre. Vettingu është tashmë një kërkesë shoqërore që e duan qytetarët e jo vetëm politika. Jam e shqetësuar me bojkotin që institucionet e drejtësisë i bëjnë këtij procesi. Ata mendojnë se vettingu duhet të bëhet me ndryshime ligjore, derisa ne duam që procesi të bëhet me ndryshime kushtetuese”, është shprehur Haxhiu.

E këto deklarata të minsitres Haxhiu, sipas ish-zëvendësminsitrit të MPB-së, Hajrullah Tërnavës janë shqetësuese pasi nuk duan bashkëpunim dhe po bojkotohet grupi punues i hartimit të këtij ligji nga përfaqësuesit e KPK-së dhe KGJK-së.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava shprehet se kjo është tendencë për bllokimin e këti procesi, dhe një shqetësim të tillë duhet ta ketë i gjithë populli, pasi që ligji vetting është shpresa e vetme për spastrimin nga veprimtaritë kriminale të institucioneve të Kosovës.

Ai më tej thotë se, institucionet e Kosovës, janë ngulfatur me njerëz të koruptuar dhe të inkriminuar, prandaj shton se, vetingu është shpresa e vetme që Kosovës t’i hapen rrugët për liberalizimin e vizave dhe rrugëtimin e saj drejt BE-së.

“Populli po pret që me miratimin e këtij ligji, kjo shoqëri të spastrohet nga ata njerëz të kriminalizuar që qëndrojnë një kohë të gjatë nëpër institucionet e Kosovës, e sidomos të institucioneve juridike dhe të rendit e ligjit, sikur që janë: Gjyqësia, Prokuroria, Policia, AKI etj, prandaj Haxhiu është deklaruar se është e shqetësuar me bojkotin që institucionet e drejtësisë po i bëjnë vettingut, pavarësisht që të gjitha vlerësimet e ekspertëve dhe të organizatave kredibile vendore e ndërkombëtare flasin se prej vitesh në Kosovë kemi sistem të brishtë dhe jo funksional të sundimit të ligjit, dhe se tash kur Qeveria Kurti filloi hartimin e pakos ligjore, kanë filluar të shfaqin rezistenca dhe refuzim për bashkëpunim”, thotë ai.

Ai e përfolë edhe deklaratën e ministres Haxhiu e cila ka deklaruar se e kanë ditur që me reforma do të ketë sfida dhe se nuk do të përqafohet nga të gjithë me lehtësi, por nuk është pritur që kjo rezistencë të jetë kaq e ashpër dhe nga ata që janë të thirrur ta zbatojnë atë.

“Se Kosova duhet ta bëjë pa vonesë reformën në sistemin e drejtësisë, për ta luftuar më me efikasitet krimin dhe korrupsionin e ka theksuar dhe kërkuar edhe Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Romeo Franz, në sesionin e dytë të punës në takimin e shtatë të Komisionit parlamentar për Stabilizim-Asocim BE-Kosovë, ku tha se Kosova është në fazë të hershme të luftimit të korrupsionit dhe kjo po e pengon zhvillimin ekonomik të vendit, prandaj edhe ka apeluar që qeveria që të dëshmojë vullnetin për reforma, në mënyrë që të kthejë besimin e qytetarëve të institucionet”, potencon Tërnava.

Ai shton se, Qeveria duhet ta dëshmojë vullnetin për reforma, pasi që kjo është mundësia e vetme që të kthehet besimi i qytetarëve në shtetin e tyre dhe në institucionet e shtetit.

“Me jetësimin e ligjit të vetting, do të spastrohen institucionet shtetërore nga të gjitha krimet, dhe Kosovës do t’i hapen rrugët drejtë BE-së, dhe vetëm atëherë Kosova do të përngjajë si një shtet ku dominon drejtësia, dhe do të anëtarësohet edhe në institucione ndërkombëtare që deri më tani nuk ka mundur as të hap dialog serioz për përafrim, e lëre për anëtarësim në NATO, UNESKO, INTERPOL etj.”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat