Samiti i Demokracisë/ Amerika nuk e ka braktisur Kosovën – ja çfarë iu bë e qartë opozitës

Politika

Samiti i Demokracisë/ Amerika nuk e ka braktisur Kosovën – ja çfarë iu bë e qartë opozitës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 nëntor 2021 Në ora: 11:05
Presidenti amerikan, Joe Biden

Kosova do të marrë pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi se Kosova është e ftuar nga SHBA-ja në Samitin e Demokracisë.

Ajo ka publikuar ftesën e presidentit të SHBA-së, Joe Biden ku e fton Kosovën që të marr pjesë në këtë Samit.

Presidentja në një postim në Facebook tha se Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci.

“Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan ajo.

Kujtojmë se ditë më parë, në atë listë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ishin përfshirë Kosova, Serbia dhe Bosnja, ndërsa të ftuara ishin Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Mos ftesa e Kosovës në këtë samit kishte nxitur reagime të një pjese të opozitës dhe vëzhguesve të pavarur që e vlerësuan këtë si të dëmshme për Kosovën.

Megjithatë, kjo u hedhë poshtë, pasi Amerika edhe zyrtarisht e ftoi Kosovën.

Pula: Kosova nuk ka aleat më dashamirës e të besueshëm se ShBA-në

Image
Shqiprim Pula

Njohësi i çështjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula ka komentuar ftesën e Kosovës për në Samitin e Demokracisë në Amerikë. Fillimisht, ai tha se të bërit politikë shkakton kundërshti ndërmjet grupeve, ku specifikisht ndahen në dy grupe.

"Qenësia politike në realitet, ngërthen në vete kundërshti politike. Të bërit politikë në realitetin tonë, pashmangshëm të krijon dhe kundërshtar politikë, e kundërshtarët politikë janë të shumëllojshëm, por specifikisht ndahen në dy grupe e ata janë të tillët që kundërshtimin e ndërtojnë mbi argumentet politike dhe të tillët që të etiketojnë politikisht!”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Pula vlerësoi se ftesa për Samitin e Demokracisë nënkupton riafrimin e Kosovës me Amerikën, mbi marrëdhëniet dhe vlerat e përbashkëta në mes dy vendeve.

“Të qenit i ftuar në Samitin e Demokracisë, para së gjithash, nënkupton bindje politike mbi riafirmimin e angazhimit afatgjatë të dy vendeve tona mbi partneritetin dhe vlerat e përbashkëta. Republika e Kosovës nuk ka aleat më dashamirës e të besueshëm se ShBA-ja në angazhimin e përbashkët lidhur me vlerat e demokracisë që kontribuojnë për demokracinë dhe paqen në rajon dhe botë”, theksoi ai.

Në fund, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare potencoi se raportet Kosovë-ShBA nuk janë vënë në dyshim asnjëherë. Madje, ai tha se administrata amerikane e presidentit Biden ka dyfishuar përkushtimin ndaj partneritetit me Kosovën.

“Që nga vitet e ‘90-ta, asnjëherë nuk janë vënë në mëdyshje marrëdhëniet Kosovë-ShBA, sikur më parë, edhe me këtë rast, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka dyfishuar përkushtimin amerikan për të punuar me aleatë dhe partnerë si Kosova në Ballkanin Perëndimor që të avancojnë rrugën e vlerave perëndimore të cilat përfaqësohen nga ShBA-ja”, përfundoi Shqiprim Pula për “Bota sot”.

Krasniqi: Qeveria Kurti nuk është e braktisur nga Amerika!

Image
Islam Krasniqi

Analisti politik, Islam Krasniqi në prononcimin e tij për “Bota sot” ftesën e Kosovës në Samitin e Demokracisë e cilësoi një vendim të rëndësishëm. 

Po ashtu, ai tha se kjo është edhe një goditje për opozitën dhe disa media që e sulmuan Qeverinë Kurti, kur u raportua se Kosova nuk do të ftohet në këtë samit.

“Është një veprim shumë i mirë për republikën tonë, duke e ditur se kjo ftesë e SHBA-ve ia mbylli gojën opozitës dhe mediave, të cilat po shpifin dhe po informojnë qytetarët me gënjeshtra, sepse qeveria ia këputi financimin e kundërligjshëm të gjithë atyre mediave që u financuan nga posta apo nga qeveria për reklama të cilat nuk sollën asnjë rezultat”, deklaroi Krasniqi.

Tutje, analisti u shpreh se edhe nëse Amerika nuk do t’i kishte bërë ftesë Kosovës, marrëdhëniet mes tyre nuk do të ishin luhatur, pasi SHBA-të nuk e harrojnë vendin tonë.

“SHBA-të janë të palëkundura ndaj Republikës së Kosovës, të cilat edhe nëse ne nuk jemi pjesëmarrës në një tryezë ndërkombëtare, ata nuk na harrojnë dhe e mbrojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës, siç ishte rasti i njohjes së Izraelit, kur të gjithë akuzuam apo menduam se po bëjmë gabim, SHBA na solli një njohje shumë të rëndësishme”, theksoi ai.

Krejt në fund, Krasniqi tha se Amerika përmes ftesës në Samitin e Demokracisë iu tregoi të korruptuarve dhe shkurtpamësve se Qeveria Kurti nuk është anti-amerikane.

“Mos të harrojmë se SHBA-ja nuk e ndryshon qëndrimin ndaj vendit tonë, pavarësisht sjelljeve të liderëve tanë, ata mund t’i rrëzojnë qeveritë tona, por jo edhe të heqin dorë nga populli ynë, sepse ata na duan pa hile dhe pa interes. Pra, ftesa e SHBA-ve iu tregon të korruptuarve dhe shkurtpamësve se Qeveria Kurti nuk është anti-amerikane dhe se nuk është e braktisur nga Amerika!”, thotë Islam Krasniqi, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat