“Tërmet i vogël në LVV”/ Publicisti paralajmëron Kurtin – ja si duhet të veprojë në zgjedhjet e ardhshme

Politika

“Tërmet i vogël në LVV”/ Publicisti paralajmëron Kurtin – ja si duhet të veprojë në zgjedhjet e ardhshme

Nga: A.M. Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 22:19
Kryeministri Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të fitojë vetëm katër komuna në këto zgjedhje lokale, Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe Shtime.

Mirëpo, në anën tjetër VV ka humbur në tri nga komunat më të mëdha Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë, shkruan "Bota sot".

Këto rezultate u vlerësuan si të dobëta për partinë e cila udhëheq qeverinë.

Madje, edhe kryeministri Kurti e pranoi këtë gjë, duke paralajmëruar edhe reforma brenda partisë së tij.

Publicisti Emin Azemi ka komentuar rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale.

Fillimisht, ai bëri dallimin konceptual dhe përmbajtësor ndërmjet zgjedhjeve lokale dhe parlamentare.

Image
Publicisti Emin Azemi

“Edhe pse zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare kanë dallime edhe konceptuale edhe përmbajtesore, megjithatë elektorati ynë është i prirur t’i shoh këto zgjedhje si të pashkëputura nga njëra tjera.

Kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, ku bilanci zgjedhor dëshmoi se trupi votues është tepër heterogjen dhe pak a shumë fluid. Lëvizja Vetëvendosje arriti të fitojë vetëm 4 komuna dhe të humb dy qendra kryesore si është Prishtina dhe Prizreni”, deklaroi publicist.

Në vazhdim, Azemi përmendi disa faktorë që ndikuan në rënien elektorale në zgjedhjet lokale.

Fakti i parë është se përzgjedhja e kandidatëve në komuna nga ana e LVV-së ishin shumë të pakujdesshme.

“Ky epilog zgjedhor i atribuohet shumë faktorëve, por do të duhej të veçohen nja tre prej tyre.

E para, LVV u tregua tepër e pakujdesshme në përcaktimin e kandidaturave për drejtues komunash dhe kjo ndikoi në demotivimin e votuesve. Hiq Gjilanin dhe ndonjë komunë, në të gjitha komunat tjera votuesit u ballafaquan me një realitet paradoksal që kishte nëntekst sloganin “Çka do që të nxjerrim ne si LVV, kalon te votuesi! “. Por ja që s’kaloi Bahtiri, Haskuka, etj.”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, publicist konsideroi se Vetëvendosje gaboi rëndë kur e kandidoi Vitinë për komunën e Prishtinës, pasi ai sa ishte ministër kishte qenë target i kritikave të publikut.

“E dyta, Një rrëfim më vete është Prishtina. LVV gaboi kur e kandidoi Arben Vitinë, një ministër që ishte target i kritikave të publikut, por që do të mundte me komoditet të vazhdonte mandatine tij në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Imazhi i Arben Vitisë, i cili është perceptuar më tepër si figurë politike se sa menaxher i ardhshëm i Prishtinës, nuk korrespondonte me pritjet e votuesve të Prishtinës, prandaj LDK pati sukses në këtë drejtim, sepse ofroi një kandidatur që jo vetëm se ishte antipodi i Vitisë, por ishte edhe si vokacion më afër halleve e problemeve të prishtinalive”, theksoi Azemi.

Kurse, arsyeja tjetër e tkurrjes së LVV-së është mungesa e strategjisë për ta ruajtur elektoratin e saj.

Po ashtu, ai tha se me 14 nëntori ndodhi një ‘tërmet’ i vogël në Vetëvendosje.

“E treta, kjo tkurrje e LVV në pushtetin lokal flet për mungesën e strategjisë së kësaj partie në ruajtjen e trupit të saj votues, për arsye se po shihet që nga zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, deri te zgjedhjet lokale të 14 nëntorit ka ndodhur një tërmet i vogël në “dhomën e pritjeve” të LVV dhe për pasojë u lëkundën disa prej shtyllave kryesore të kësaj ngrehin”, potencoi publicisti.

Tutje, Azemi tha se Vetëvendosje ka edhe një mundësi që të ndryshoj strategjinë dhe ta ruaj elektoratin e saj, përmes reformave të brendshme.

“LVV ende gëzon mbështetje popullore dhe këtë duhet ta përkthejë në një strategji tjetër veprimi. Para së gjithash fryma e reformave të nisura duhet të mbërrijë sa më shpejt në veshin e qytetarëve, për arsye se zhurma e madhe mediatike e portaleve të njëanshme e tendencioze ende është e prirur të prodhojë tym e mjegull dhe këtu Kurti dhe kabineti i tij po tregohen të ngathtë që t’i kundërvihen kësaj tymnaje dhe mjegullnaje”, tha ndër të tjera ai.

Krejt në fund, publicisti paralajmëroi VV-në për zgjedhjet e ardhshme, sepse tani LDK ka filluar të transformohet dhe të shndërrohet në parti teknokratësh.

"Në anën tjetër, LVV në garat e ardhshme elektorale do të ketë përballë një skenë më të konsoliduar politike. Këtu e kam parasysh sidomos LDK, e cila nga një parti oligarkësh, ngadalë po shndërrohet në parti teknokratësh dhe shenja e parë e këtij transformimi është fitorja e Përparim Ramës në garën për Prishtinën.

Në këtë kontekst LVV do të duhej të mendoj qysh tani të krijoj një metodikë tjetër veprimi, për arsye se kauzat me të cilat ajo fitoi nuk do të jenë aktuale në të ardhmen. LVV do të duhej të ballafaqohet me kauza të tjera, nëse do të pretendonte të mbetej sërish forca kryesore politike. Në të kundërtën, asaj mund t’i ndodhë kjo çka i ndodhi tani në zgjedhjet lokale”, përmbylli Emin Azemi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat