Bashkimi kombëtar do të realizohet. Në pyetje është koha!

Politika

Bashkimi kombëtar do të realizohet. Në pyetje është koha!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 nëntor 2021 Në ora: 23:05
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës Albin Kurti

Pavarësisht një lloj rezistence të vogël brenda vetë shqiptarëve, kryesisht e krijuar nga propaganda e huaj, dhe pavarësisht ndikimit të forcave të jashtme, bashkimi kombëtar do të ndodhë vlerësojnë ekspertët e politikës.

Së fundi debati është nxitur pas një deklarimi në mediat britanike të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se edhe ai vetë do të votonte pro bashkimit me Shqipërinë, nëse do të mbahej një referendum.

“Në të ardhmen nëse do të prezantohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prapë, vetëm nëse do të bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, kishte deklaruar ai.

Vetëm ky deklarim me kusht pro bashkimit kombëtar, mjaftoi që Serbia të mundohej t’i jepte jehonë të madhe, dhe të shpërthente me akuza ndaj Kosovës, se kërkon Shqipërinë e madhe. Në fakt Shqipëria e madhe nuk do të bëhej edhe sikur të mund ta pushtonim gjysmën e Serbisë.

Analistët deklaratën e Kurtit e vlerësojnë në mënyra të ndryshme.

Kelmendi: Kombi shqiptar është deklaruar për shtet kombëtar

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi ka thënë se një gjë e tillë është aspiratë historike e kombit shqiptar.

Madje sipas tij, këto vende janë deklaruar për një shtet kombëtar, duke shpjeguar Lidhjen e Prizrenit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

"Bashkimi kombëtar është aspiratë historike e kombit shqiptar. Nuk ka dilemë se bashkimi kombëtar do të realizohet. Në pyetje është koha. Asgjë tjetër. Në kuadër të kësaj qëndron mendimi i shfaqur nga disa veprimtarë në Kosovë e në Shqipëri. Dy herë është deklaruar kombi shqiptar për shtet kombëtar. Së pari, është vendimi për shtet shqiptar në vitin 1878 nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e ku morën pjesë 26 delegacione nga tërë hapësira shqiptare dhe së dyti, në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë më 1912, e ku ishin gjithashtu prezent përfaqësuesit e mbarë kombit shqiptar. Deklarata për pavarësi u nënshkrua nga të gjithë të pranishmit”, shpjegon ai.

Ai më tej përmend edhe aneksimin e trojeve shqiptare nga vendet e huaja si Serbia, Greqia etj.

Më pastaj deklaron se bashkimi kombëtar mund të realizohet në dy mënyra: me luftë të armatosur çlirimtare për bashkim kombëtar dhe me marrëveshjen midis shteteve dhe pjesëve të ndara.

“Tash kemi dy shtete shqiptare. Natyrisht se ka edhe shumë territore shqiptare jashtë këtyre shteteve. Kemi territore në Jug të Serbisë, në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak, janë viset shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Greqi, territoret çame. Dy shtetet shqiptare janë të rrethuara me territore shqiptare. Kjo e obligon kombin në bashkim kombëtar. Natyrisht se bashkimi realizohet në dy mënyra:

1. Me luftë të armatosur çlirimtare për bashkim kombëtar dhe

2. Me marrëveshjen midis shteteve dhe pjesëve të ndara.

E përbashkëta është se bashkimi kërkon një veprim të duhur dhe të mundshëm. E këtu kërkohet të bashkohen dy shtetet shqiptare”, shton profesori.

Sipas tij, bashkimi kombëtar ka bazë juridiko-politike reale të realizohet.

Kohërat kur shteti serb vriste dhe piqte shqiptarë kanë kaluar

Ai thotë që një gjë e tillë nuk duhet kuptuar si luftë ndaj shteteve të tjera, po që kjo është aspiratë e çdo njeriu që flet shqip.

“Këtej kemi bazë juridiko-politike reale të bashkimit. Diskutimet nëpër mjete të informimit për aspiratën kombëtare është çështje e kamotshme. Çdo mendim i kësaj natyre vetëm sjellë në pah aspiratën në çështjen kombëtare. Nuk ka "shqiptar" që nuk e ka këtë aspiratë. Ajo është dhe duhet të jetë e çdo njeriut që flet shqip. Nuk buron nga ndonjë anë politike, por buron nga vetëdija kombëtare shqiptare. Mbi këtë vetëdije u ndërtua aspirata kombëtare shqiptare. Vetëdijen e tillë nuk duhet kuptuar si luftë ndaj shteteve tjera të Ballkanit. Në fakt, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia kërkohet të jenë të qarta se kanë aneksuar territore shqiptare dhe se ato territore nuk u takojnë atyre. Këtu nuk ka çka thuhet!”, ka thënë më tej ai.

Profesori thotë se bashkimi i dy vendeve mund të ndodh edhe me integrimin e tyre në BE ku do të korr sukses parimi i vetëvendosjes dhe kombi shqiptar do të bashkohet në një shtet kombëtar.

“Ky përkufizim politik si aspiratë po gjen përkrahje gjithnjë e më shumë në botë. Ende ka vështirësi. Mirëpo, me integrimin në BE do të korri sukses parimi i vetëvendosjes dhe kombi shqiptar do të bashkohet në një shtet kombëtar. Ajo që sot është e domosdoshme dhe politikisht e kapshme është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë në bazë të parimit të vetëvendosjes së lirë të kombit me referendum. Kjo është drejtë e patjetërsueshme për një komb të ndarë padrejtësisht. Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria i kanë mekanizmat vendosës për bashkim. Kuvendet e të dy shteteve janë kompetente të vendosin për bashkim. Kundër do të jetë Serbia. Mund të shkohet në luftë, prandaj kërkohet bashkimi për të kuptuar se kohërat kur shteti serb vriste dhe piqte shqiptarë kanë kaluar dhe se shqiptarët dinë të mbrohen dhe të fitojnë”, sqaron Kelmendi.

Në fund deklaron, që Serbia një gjë të tillë nuk e pranon dhe nuk do ta pranojnë, por që atë e ndalë vetëm lufta sepse nga politika dhe marrëveshjet nuk kupton.

E megjithatë, për këtë duhet vetëm pjekuri politike në realizimin e bashkimit kombëtar në një shtet të vetëm kombëtar.

“Serbinë e ndal vetëm forca. Beogradi nuk ndalet nga politika dhe nga marrëveshjet. Ai ndalet nga forca. Kur e sheh se humbja mund t’i vije nga konflikti, Serbia fare nuk hynë në konflikte. E pranon gjendjen reale dhe bashkëpunon. Por, po kthehem te ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kjo është ide e qëlluar politiko-juridike dhe nuk mendoj se ka forcë që mund ta ndali realizimin e saj. Duhet vetëm pjekuri politike në realizimin e bashkimit kombëtar në një shtet të vetëm kombëtar. Bazë e ndërtimit të shtetit shqiptar është: shteti – komb”, përfundon për “Bota sot” profesori Muhamet Kelmendi.

Qarri: VV e ka shfrytëzuar këtë për vota, tani është tërhequr

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri për “Bota sot” ka thënë se Kurti ka përfituar nga kjo për vite me radhë, duke qenë se tani po na del më tepër term teorik.

“Në fakt z. Kurti dhe LVV, për vite me radhë, kanë përfituar publikun me trumbetimin në vijimësi të bashkimit kombëtar, gjë që tani po na del të ketë qenë më tepër mjet për të fituar vota dhe term më tepër teorik, e jo tërësisht real dhe i pa kundërshtueshëm edhe brenda vet LVV-së. Madje, e mbushur me rryma dhe ide të ndryshme, deri te ato fetare turko-arabe, pjesë të të cilave, urojmë të mos kenë edhe prirje e tendenca ekstremiste, sipas mendimit tim, u bënë shkaku kryesor që LVV pësoi humbjen më drastike të elektoratit edhe aty ku proklamonte fitore të “sigurt”, duke pësuar debakël zgjedhor në komunat kryesore të vendit, si në Prizren dhe Prishtinë etj”, ka thënë ai.

Sipas tij, deklarata e tij shpjegon qartë faktin se vet LVV, me involvimin e një numri të madh anëtarësh me bagazh më tepër fetar sesa kombëtar, po kthehet në pengesë.

“Ndaj përveç mënyrës deklarative të kryeministrit Albin Kurti, i cili lë përshtypjen se pas ardhjes në pushtet, edhe vet ai, më nuk do të insistojë patjetër në bashkim kombëtar, por siç thekson, vetëm nëse do të mbahej një referendum për bashkim me Shqipërinë, duke mos cekur se kush duhet apo do të mund ta organizonte atë referendum, ai do të kishte votuar pro kësaj. Kjo shpjegon qartë faktin se vet LVV-ja, me involvimin e një numri të madh anëtarësh me bagazh më tepër fetar sesa kombëtar, po kthehet në pengesë dhe digë shkatërruese të bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Ndaj i vetëdijshëm për gjendjen e paqëndrueshme sa i takon bashkimit të shqiptarëve, edhe brenda partisë së tij, si dhe ndikimin e fortë të rrymave erdoganiste të cilat, po vazhdojnë ta irritojnë pjesën kombëtare të elektoratit shqiptar, Kurti, as që kishte se si të deklarohej ndryshe, përveçse me pretendimet arsyetuese, se nëse në të ardhmen, "rastësisht" do të prezantohej një referendum demokratik, për bashkimin në mënyrë paqësore, ai do të votonte pro, pa i dalë më zot, bashkimit dhe bërë prijatar i tij, siç pretendonte dikur”, deklaron ai.

Qarri potencon që edhe po të ndodhte një referendum i tillë, në VV një pjesë e anëtarëve kanë orientime turko-arabe, të cilët më parë ëndërrojnë bashkimin me Turqinë.

“Kështu që i ngarkuar me dyshimet, se edhe po të ndodhte vërtetë ky referendum, vet një pjesë e anëtarëve të VV-së me orientime turko-arabe, të cilët më parë ëndërrojnë bashkimin me Turqinë, se sa me vendin tonë amë-Shqipërinë, nuk do ta pranonin krejt në mënyrë paqësore bashkimin e shqiptarëve, z. Kurti për t’i humbur gjurmë ndryshimit tek ai vet, e përsëritë qëllimisht të njëjtën frazë për të dytën herë, se: "Vetëm nëse "bashkimi" do të bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike” ai do të votonte “pro”!”. Madje për dallim me vitet kur ai nuk ishte në pushtet, kësaj radhe si i pari i qeverisë, kryeministri ynë, nuk harroi ta paraqiste si pengesë edhe dialogun, duke deklaruar se duhet të presim "T`u japim fund bisedimeve me Serbinë", sikur të kishin përfunduar të gjitha procedurat dhe bashkimi kombëtar të ishte në prag të jetësimit dhe do të ndodhte nesër apo në ndonjërën nga datat e afërta të këtij apo vitit në vijim”, përfundon analisti Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat