Vrasja e Xhemail Mustafës, mund të fillojë zbardhja në gjykimin e Sali Mustafës / Flasin nga gjykata speciale

Politika

Vrasja e Xhemail Mustafës, mund të fillojë zbardhja në gjykimin e Sali Mustafës / Flasin nga gjykata speciale

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 23 nëntor 2021 Në ora: 12:05
Xhemail Mustafa

Një nga vrasjet që ka nxitur dhimbje më së shumti, dhe irritim për ata që e kryen vrasjen duket të jetë ajo e Xhemail Mustafës.

Ai njihej për një njeri jashtëzakonisht të qetë, dhe si thuhej gojëmbël.

Vrasja e tij nuk ishte aksidentale. Ajo kishte muaj që po paralajmërohej, mu si tek novela, ‘Kronika e një vdekje të paralajmëruar” të shkrimtarit të famshëm, Gabriel Garsia Markez, për veprën e të cilit kishte shkruar vetë Xhemail Mustafa, që njihej për kritikën e hollë, dhe të veçantë ndër studiuesit shqiptarë të letërsisë.

Vrasja e Mustafës ishte një nga goditjet më të fuqishme ndaj presidentit Rugova, të cilën ai e përjetoi si thyerje të madhe shpirtërore.

Përkujtimi

Edhe në këtë 23 nëntor, sikurse në vitet paraprake përkujtohet Xhemail Mustafa. Përgjatë 21 vite familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij ende kërkojnë zbardhjen e vrasjes së Mustafës.

Në qendër të kësaj dhimbje, është familja Mustafa. Si çdo vit, ai kujtohet nga dy fëmijët e tij jetim, pasi krimi politik ia ndërpreu jetën, një njeriu të jashtëzakonshëm, autor librash, kritik e publicistë, bashkëthemelues i QIK-ut, Qendrës për Informim të Kosovës, kolumnist në “Bota sot”, me “Analizën e të martës”.

Vrasja e Mustafës ndodhi në mes të ditës, përkatësisht në orën 15:00, kur i ndjeri po kthehej nga puna e tij. Teksa po hynte në banesën e tij në lagjen “Dardania”, Mustafa ishte qëlluar me armë zjarri nga dy persona.

Edhe pse që nga 23 nëntori 2000 pati shumë aludime se kush ishin këta dy persona që e kryen këtë krim makabër, ende ata janë të lirë, dhe ndonjë prej tyre mund të jetë vrarë apo vdekur në rrethana të ndryshme. Por, porositësit janë gjallë.

Hetime për rastin e Mustafës ishin udhëhequr nga Policia, UNMIK-ut e KFOR-i.

Si duket veprimtaria e Mustafës, i pengoi të fuqishmëve, të pasuruarve bujshëm.

Por, nga themelimi i Gjykatës Speciale shpresat për zgjidhjen e vrasjes së Mustafës janë “rikthyer”.

Vrasja e Mustafës, flasin nga ZPS

Lidhur me vrasjen e Mustafës, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me Zyra e Prokurorit Specialist. Nga kjo zyre as nuk e kanë mohuar as nuk e kanë pohuar se janë duke u bërë hetime për zgjidhjen e këtij rasti.

Nga Zyra e Prokurorit Specialist, Chris Bennett, në një përgjigje elektronike i ka thënë gazetës “Bota sot”, se kjo e fundit i mbulon rastet që kanë ndodhur në periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

“Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar mbulon periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000”, është përgjigjur zëdhënësi i ZPS.

Ndërkaq, ai nuk ka dhënë informacione se çfarë po ndodhë me rastin e Mustafës.

Megjithatë, ZPS nuk jep informacion mbi hetimin e rasteve”, thuhet në përgjigjen e Bennett nga ZPS.

Gjithashtu, “Bota sot”, ka provuar të marr një përgjigje lidhur me këtë rast edhe nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, po kjo e fundit nuk është përgjigjur.

Pista e vrasjes

Gjatë këtyre 21 viteve të heshtjes së drejtësisë mediat kanë publikuar jo rrallë versione të ndryshme se kush janë autorët e vrasjes. Por, pavarësisht autorëve që mund të ndryshojnë, ajo ishte një vrasje politike e porositur nga politika, madje nga grupi, që përgjithësisht konsiderohet si “Shtabi i Rognerit”, sipas emrit të hotelit ku ishte i vendosur Shtabi i UÇK-së.

Njëra nga pistat, që duket shumë serioze, është ajo që e pohon vetë anëtari i grupit të vrasjeve nga SHIK-u, Shkumbin Mehmeti, që gjendet në vuajtje të dënimit prej 30 vitesh.

Sipas Shkumbin Mehmetit njëri nga vrasësit është Agron Sulejmani, i vrarë me 2004 në përleshje me policinë ku mbet i vrarë një polic i UNMIK-ut dhe një i Kosovës (SHPK-së).

Tani më dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti, pranon se ishte pjesëtar i një grupi kriminal, i cili ka kryer krime të shumta pasluftës, përfshirë edhe vrasje politike.

Një pistë tjetër e ka botuar këtë vit njeriu i afërt me Hashim Thaçin, Baton Haxhiu, dhe prandaj duket si tendencioze, sepse edhe akuza e mësipërme për njërin nga vrasësit është zbuluar po nga Baton Haxhiu, me 2018.

Në të dyja versionet, rrëfimi i Mehmetit dhe “dosja e UNMIK-ut”, si e ka titulluar Haxhiu, e kanë të përbashkët përzierjen në rast të Fadil Suleviçit.

“Fadil Suleviqi kishte qëndruar në restorantin ‘Hani i Dy Robertëve’, ku Xhemail Mustafa e frekuentonte gati çdo ditë”, theksohej në dosjen e UNMIK-ut.

“Suleviq më vonë ishte intervistuar nga Njësia e Hetimeve Regjionale në Prishtinë. Ai mohonte se kishte raporte pune me S.R., por deklaron se ka një detyrim tjetër ndaj tij”.

Sipas burimeve të gazetës, për rastin e Xhemail Mustafës mund të hedhet dritë gjatë procesit të gjykimit të Sali Mustafs – Calit, i cili kishte lidhje të forta me Suleviçin.

Fadil Suleviqi, është gjetur i vdekur në rrethana të dyshimta, teksa po shëtiste në malin në afërsi të liqenit të Badovcit, me 15 janar të këtij viti, si thuhet nga një sulm në zemër.

Sipas Shkumbin Mehmetit, Fadil Suleviqi ishte ai që i pastronte pistat e vrasjeve, por edhe që kishte marrë pjesë në vrasje.

Me gjasë gjatë pastrimit të ‘pistave’, ka ndryshuar edhe adresat e porositësve të krimit, aty ku ka mundur, meqë punonte në policinë e Kosovës, njësinë e hetimeve.

Një nga rastet e tilla më të përfolura është “Rasti Kiçina”, që për shkak të falsifikimit të dosjeve, mbajtën burg të gjatë njerëz të pafajshëm. Vëllezërit Ramadani dhe Kiqina, qenë dënuar për vrasje të pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001, dhe ata në vazhdimësi e kanë akuzuar Syleviqin për montim të rastit.

Mulliqi: Vrasja e Mustafës, akt qyqar

Në anën tjetër, ish gazetari Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se vrasjet politike gjatë kohës së pas luftës ishin fenomenet më negative.

“Krimi i organizuar dhe vrasjet, të cilat u cilësuan si politike, ishin fenomenet më negative të pas luftës. Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë indikatorët kryesor që Kosova është varfëruar dhe që shumica po jetojnë dobët. Dhe, janë fajtorë këto dukuri negative se kemi zbrazje të përditshme të Kosovës, dhe kemi nivel shumë të lartë të atyre, të cilët po e kërkojnë një vend të punës”, ka thënë ai.

Më tej, Mulliqi ka thënë se këto vrasje me motive politike e kanë dëmtuar Kosovën në sytë e botës demokratike.

“Vrasjet e pas luftës për motive të ndryshme, por edhe me motive politike, shumë e kanë dëmtuar Kosovën në sytë e botës demokratike. Krimi dhe korrupsioni dhe lufta jo efikase ndaj tyre ka bërë që sot Kosova të mbetet si i vetmi shtet i izoluar në Evropë, si dhe mos të kemi as liberalizim të vizave. Këtë ndoshta është dashur ta them në fund të tekstit dhe pyetjes të parashtruar, por që vërtetë kur bëhet fjalë për vrasjet për çfarëdo motivesh, ato na kanë bërë sherr të madh si në planin e jashtëm ashtu edhe në atë të brendshëm. Këto kanë krijuar përçarje politike dhe përçarje të tjera”, ka nënvizuar ai.

Më tej, Mulliqi shton se vrasja e Mustafës në atë kohë kishte tronditur mbarë opinionin.

“Kur bëhet fjalë për vrasjen e Xhamajl Mustafës, këshilltarit të presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova dhe kolumnistit të rregullt të “Bota Sot”, ishte vrasje e cila kishte tronditur mbarë opinionin e gjerë publik”, ka thënë ai.

Sipas tij, vrasja e Mustafës ishte një akt barbar, ndërsa ka hedhur kritika ndaj LDK-së që nuk bëri asgjë për zbardhjen e këtij rasti, pavarësisht që e udhëhiqte qeverinë apo edhe kur ishte pjesë e pushtetit qendror.

“Vrasja e një intelektuali si Xhemajl Mustafa në hyrje të shtëpisë, ishte akt barbar dhe akt qyqar. Vrasja e Xhemes dhe vrasjet të tjera janë mëkati më i madh I Kosovës të pas luftës. Zbardhja e tyre do të ishte justifikim sado i vogël për familjarët e të vrarëve. Aq më keq kur këto vrasje po shfrytëzohen për poena politikë dhe për pushtet në kohë fushatash elektorale. LDK-ja, që më së shumti ka pësuar nga këto vrasje, ishte hisedare edhe vetë e pushtetit, e nuk bëri asgjë në zbardhjen e tyre!”, ka vlerësuar Mulliqi.

Në fund, ai ka treguar se çfarë duhet bërë në mënyrë që të llogaritet në zbardhjen e vrasjeve politike.

“Ata që vranë pas luftës nuk iu frikësuan ligjit, se ai u ndikua nga politikat ditore. Vetëm me zbatim të ligjit të Vetingut në këto organe mund të llogarisim, se mund të shkëputet edhe hallka e krimit të organizuar dhe se do të dalin më në fund në dritë vrasjet e pazbardhura në Kosove”, ka përfunduar Mulliqi për “Bota sot”.

Reagimet politike

LDK-ja, zyrtarë i së cilës ishte Xhemail Mustafa me kalimin e viteve thuaja e la në harresë këtë rast tronditës.

Në çdo fushatë të zgjedhjeve parlamentare, kur LDK-ja udhëhiqej nga Isa Mustafa e hapte këtë çështje. Por, sapo hynte në Qeveri e braktiste.

Në zgjedhjet e vitit 2019, kjo çështje nuk u hap fare në fushatë nga ajo. Për herë të parë, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi po në atë fushatë zbardhjen e vrasjeve politike, përfshirë të Xhemail Mustafës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti e kishte kujtuar në gushtin e 2019-ës vrasjen e Xhemail Mustafës në 66-vjetorin e lindjes së tij. Kurti thoshte se ende askush nuk u gjykua apo u dënua dikush për vrasjen e tij.

Në këtë përvjetor ende nuk ka reagime apo shënime të publikuara nga zyrtarët e shtetit apo të ndonjë partie, përveç reagimeve në fb, me ndonjë fjali të vetme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat