Kryeministrit Kurti i kërkohet të ngris padi ndaj këtyre dy politikanëve, kjo është arsyeja!

Politika

Kryeministrit Kurti i kërkohet të ngris padi ndaj këtyre dy politikanëve, kjo është arsyeja!

Nga: A.M. Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 21:33
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një intervistë për median kroate ka thënë se “nuk jemi në mesjetë e për këtë as nuk do të ketë shkëmbime territoresh”

“Është në natyrën e autokratëve të mendojnë se mund të shkëmbejnë territore sikur të ishin pronë e tyre. Nuk jemi në mesjetë, me monarkë që i konsiderojnë territoret e shtetit si vendin e babait apo monarkut, dhe populli si familje e atij që sundon”.

Kurti mes tjerash thotë se populli i Kosovës nuk e do shkëmbimin e territoreve, teksa sipas tij këtë e do vetëm presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” theksoi faktin se ekzistojnë doktrina të njohura juridike të cilat rrëzojnë qëllimet e Vuçiqit, Borrellit dhe Lajçakut.

Image
Analisti politik, Gani Qarri

“Në fakt, në praktikën botërore ekzistojnë doktrina të njohura juridike, të praktikuara e përdorura edhe në trajtimet ndërkombëtar, nga vet shtetet e mëdha deri te Mbretëria e Bashkuar, si Clauzola: “Rebus Sic Stantibus”, e cila rrëzon për tokë insistimin e Vuçiqit, Borellit dhe Lajçakut, që pas Bosnje Herzegovinës, të krijohet edhe një republike serbe, si “zajednica” apo asocicacioni një etnik serb, që rrezikon hapur shtetin tonë", deklaroi ai.

Qarri vlerësoi se ndonëse marrëveshja për asociacionin u nënshkrua nga Thaçi dhe Mustafa, ajo është e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese.

Prandaj, ai konsideron se kjo gjë i ka hapur rrugë Vuçiqit që të insistojë në formimin e asociacionit.

“Ndaj megjithëse nënshkrimi dy herë i marrëveshjes kundër kushtetuese për asociacionin e kundërligjshëm një etnik serb nga kuislingu Hashim Thaçi dhe renegati Isa Mustafa, e kanë ngulfatur keq hapësirën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që ajo ta përdorë formulën më të lehtë, për rrugëdalje të njëtrajtshme dhe mënjanimin apriori të insistimit të kriminelit Aleksandër Vuçiqi, për formimin me çdo kusht të tij, insistimi i Vuçiqit jo vetëm që nuk është i drejtë, por nuk është as i pranueshëm, përderisa edhe vet Gjykata Kushtetuese e Kosovës, marrëveshjen në fjalë e ka hedhur poshtë si të papranueshme dhe të dëmshme për Kosovën”, nënvizoi analisti.

Në vazhdim, ai përkrahu qëndrimet e Kurtit kundër shkëmbimit të territoreve.

Madje, Qarri kërkoi nga Qeveria Kurti që ta iniciojnë urgjentisht nismën për vendosjen para drejtësisë të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës, për keqpërdorimin e pozitës zyrtare.

“Ndaj z. Kurti, përveç deklarimit parimor, se nuk jemi në mesjetë, me monarkë që i konsiderojnë territoret e shtetit si vendin e babait apo monarkut, dhe popullin si familje e atij që sundon, njëkohësisht me deklaratat ai dhe Qeveria e Kosovës duhet ta iniciojnë urgjentisht nismën për vendosjen para drejtësisë të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës, për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, shkeljen e ligjit dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme kundër kushtetuese të cilat rrezikojnë tërësinë territoriale të vendit, rregullimin e brendshëm shtetëror dhe vijimësinë e shtetit të Kosovës”, theksoi ai.

Tutje, analisti tha se Kurti po ia bënë të qartë shtetit serb se ideja e shkëmbimit të tërritoreve apo formimi i asociacionit ka marrë fund e përgjithmonë.

“Kështu që Kryeministri Kurti, me të drejtë përfundimisht po ia bënë të qartë Serbisë, qysh para rifillimit të dialogut, se formimi i asociacionit një etnik serb, i cili prodhon probleme të brendshme, si dhe ideja e shkëmbimit të territoreve, që rrezikon qëndrueshmërinë e shtetit tonë, të sponsorizuara qysh me 2018 në Alpbach të Austrisë, nga Thaçi e Vuçiqi, kanë marrë fund njëherë e përgjithmonë”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat