“Kosova ka dështuar të jetë më aktive në kërkim të njohjes nga pesëshja evropiane”

Politika

“Kosova ka dështuar të jetë më aktive në kërkim të njohjes nga pesëshja evropiane”

Nga: A.SH Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 14:36
Flamuri i Kosovës

Spanja është një ndër pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën.

Në mediat spanjolle kanë dhënë njoftimin që Spanja do të përfshijë njohjen “de facto”.

Burimet diplomatike sigurojnë se mund të bëhet fjalë vetëm për hapjen e një zyre tregtare apo kulturore në kryeqytetin e Kosovës.

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se po të ishte e vërtetë kjo, atëherë do të ishte një lajm i madh për Kosovën, sepse do të ndikonte edhe te shtetet tjera të cilat nuk e kanë njohur vendin tonë.

“Sipas disa medieve në Spanjë ka sinjale që Spanja ka mundësi të vë në shqyrtim njohjen e Kosovës. Kjo kishte me qenë vërtetë një lajm i madh për Kosovën, pasi që do t'u hapte rrugë edhe njohjeve të tjera nga shtetet anëtare të BE-së. Për mendimin tim Kosova ka dështuar të jetë më aktive në kërkim të njohjes nga pesëshja evropiane. Ne jemi pajtuar disi që s'po na njohin dhe me kaq edhe kemi pritur nga të tjerët ta bëjnë punën tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova ka dështuar në diplomacinë e jashtme duke thënë se Kosova duhet pasur kujdes sepse lajme e tilla mund t'i shfrytëzoj Serbia që bashkë me aleatet e saj t'i bind shtetet për të kundërtën.

“Diplomacia e Kosovës duhet me qenë shumë me aktive drejtë informimit të drejtë rreth situatës dhe përpjekjes për t'i fituar njohjet e duhura të cilat nuk vinë pa i kërkuar. Për fat të keq, diplomacia e Kosovës sidomos viteve të fundit ka dështuar skajshmërisht e kjo e tashmja është fare inekzistente. Këso lajmesh pastaj mundet t'i shfrytëzoj Serbia që bashkë me aleatet e saj t'i bind shtetet për të kundërtën”, përfundon analisti Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat