“Retorikat boshe të Lajçakut”/ Ja pse nuk mund të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi

Politika

“Retorikat boshe të Lajçakut”/ Ja pse nuk mund të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi

Nga: A.M. Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 16:56
Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të qëndrojë sot në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Këto vizita kanë për qëllim përparimin në përgatitjet për takimin e radhës në nivel të lartë për të cilin ende shpresojmë që do të mbahet më vonë gjatë këtij viti”, deklaroi Stano.

Dihet se dialogu Kosovë-Serbi është një nga çështjet me të cilat ka marrë vëmendje të mëdha në politikën ndërkombëtare.

Analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” tha se nuk pret marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, derisa Kurti dhe Vuçiqi janë në tryezë të bisedimeve.

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

“Nuk pres të ketë shpejt një marrëveshje përfundimtare, personalisht nuk e besoj. Kjo nuk do të ndodhë derisa Vuçiqi është president i Serbisë dhe Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, për shkak se të dy janë të fortë në qëndrimet e tyre e që janë diametralisht të kundërta”, deklaroi ai.

Sipas Mehmetit, BE nuk ka plan të duhur strategjik për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, pasi ka dështuar disa herë.

“Nëse një ditë arrihet një marrëveshje përfundimtare do të jetë vetëm fal ndërmjetësimit amerikan, asnjëherë kjo s’do të bëhet me BE-në si pjesë e saj. BE ka dështuar disa herë, do të dështojë, s’ka plan strategjik për këtë, nuk ka forcën e duhur për ta bërë një gjë të tillë”, theksoi analisti.

Në fund, ai potencoi se Lajçak nuk ka fuqi dhe peshë politike për të përmbyllur negociatat, derisa deklaratat e tij i cilësoi retorika boshe.

“Vetëm SHBA mund ta bëjë një gjë të tillë, megjithëse nuk besoj se kjo do të arrihet derisa Vuçiqi të jetë president. Lajçak nuk ka fuqi, peshë politike për ta përmbyllur një proces të tillë, këto janë vetëm retorika boshe”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat