Shqiptarët në pritje të nëntorit të tretë! Kush do të na e sjellë?!

Politika

Shqiptarët në pritje të nëntorit të tretë! Kush do të na e sjellë?!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 nëntor 2021 Në ora: 19:04
Ilustrim

Dy ditë më parë, u duk sikur zemrat shqiptare u ngrohën, nga ndjesia se fryma shqiptare do të jetë e bashkuar. Por, pas dy ditësh, këto ndjesi kalojnë në një anë tjetër, sikur në një kohë tjetër, por me shpresa se do të jemi bashkë, nën një shtet, Shqipëri-Kosovë bashkë.

Por, shumica e shqiptarëve vazhdojnë të mbesin të ndarë, edhe këtë 28 nëntor, madje në shumë shtete.

Kombi shqiptar me shekujt të tërë derdhi gjak që të gëzojmë lirinë të bashkuar. Por, një gjë e tillë nuk u realizua asnjëherë.

Kthehemi tek faktet historike që i kanë përcjellë shqiptarët me shekuj të tërë. Ëndrra e kombit shqiptarë ishte edhe mbetet e njëjtë, bashkimi i trojeve etnike, ashtu siç e kishte ëndërruar Gjergj Kastrioti e Ismail Qemaili...

Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu më 28 nëntor 1443, arriti ta çlirojë Krujën nga pushtimi osman.

Me këtë rast, Skënderbeu e ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e Krujës legjendare.

469 vite më vonë, flamuri “Kuq e zi” i qëndisur nga Marigo Poza u ngrit edhe njëherë në Vlorë.

Me këtë rast, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga IsmailQemaili. Pavarësia u shpall më 28 nëntor 1912.

Edhe pse pas 109 viteve shqiptarët ende janë në pritje të “Nëntori të tretë”.

Shoqëria shqiptare e përçarë

Image
Jahja Drançolli

Profesori universitar i historisë, Jahja Drançolli, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për këtë ditë historike të shqiptarëve, duke vlerësuar se Dita e Pavarësisë e shoqëruar me Ditën e Flamurit është dita më e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.

“Dita e Pavarësisë e shoqëruar me Ditën e Flamurit është një festë që festohet më 28 Nëntor (1443, 1912, 1997). Kjo ditë më e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar ishte një ditë plot shpresë dhe pritje”, ka thënë ai.

Më tej, profesori ka bërë dallimin ndërmjet periudhës se kur kanë ndodhur zhvillime të mëdha të kombit shqiptarë me atë të kohës së tanishme.

Drançolli ka thënë se sot festohet Shpallja e Ditës së Pavarësisë e shoqëruar me festën e Flamurit, në një atmosferë të ndjeshme përçarjeje të shoqërisë shqiptare.

“Ishte koha e Luftërave Ballkanike, Konferencës së Paqes në Londër, dhe pak vite më vonë koha e Luftës së Parë Botërore, por shoqëria shqiptare kishte një kohezion social. Edhe atëherë kishte shqetësime, por nuk kishin ardhur nga shoqëria shqiptare, ndërsa sot në 109-vjetorin fatkeqësisht sërish ka shqetësim, por këtë herë vjen nga shoqëria shqiptare. Ndaj ne sot festojmë Shpalljen e Ditës së Pavarësisë shoqëruar me festën e Flamurit, në një atmosferë të ndjeshme përçarjeje të shoqërisë shqiptare!”, ka deklaruar profesori Drançolli.

Imeraj:  Të punojmë për bashkimin e gjitha tokave shqiptare në një shtet të vetëm

Image
Shkodran Imeraj

Ndërkaq, profesori dhe bashkëpunëtori shkencor në Departamentin e Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë në Prishtinë, Shkodran Imeraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se deklarata për pavarësinë e tokave shqiptare ishte edhe një kundërpërgjigje kundrejt planeve të shteteve shoviniste fqinje.

“Shpallja e pavarësisë së tokave shqiptare me 28 nëntor të vitit 1912, ishte një momente me rendësi në historinë e shqiptarëve, sepse kur po i numëronteditët e fundit në Ballkan Perandoria Osmane, shqiptarët deklaruan mëvetësinë e tyre. Deklarata për pavarësinë e tokave shqiptare (përfshirë pra pesë vilajetet shqiptare), ishte edhe një kundërpërgjigje kundrejt planeve të shteteve shoviniste fqinje të cilat kishin plane të shtonin territoret e tyre në dem të tokave shqiptare.

Pra, Kuvendi Kombëtar i Vlorës i 28 nëntorit të vitit 1912, ka shpallur pavarësinë e të gjitha viseve të banuara me shqiptar, pra të të gjitha vilajeteve shqiptare që gjendeshin ende nën Perandorinë Osmane”, ka shpjeguar Imeraj.

Gjithashtu, profesori ka shtuar se ishte edhe një kundërpërgjigje kundrejt planeve të shteteve shoviniste fqinje të cilat, kishin plane të shtonin territoret e tyre në dëm të tokave shqiptare.

“Siç edhe thamë edhe më lartë, pavarësia e Shqipërisë, ishte një e arritur e madhe e kohës, ngase pas më shumë se pesë (5) shekujsh shqiptarët arritën që të themelonin shtetin e tyre shqiptar, pas atij të Skënderbeut. Por, fati historik ishte i tillë që pavarësia e Shqipërisë mbeti e gjymtuar, ngase pjesa më e madhe e tokave shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit amë shqiptar (duke përfshirë territorin e sotshëm të Kosovës, të viseve shqiptare në Mal të Zi, të Kosovës lindore, pjesa e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Çamërisë), shtet i cili u njoh sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës (dhjetor 1912-korrik 1913)”, ka nënvizuar Imeraj.

Në fund, ai thotë se është obligim i të gjithë shqiptarëve që të punojnë për bashkimin e gjitha tokave shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar.

“Njëqind e nëntë (109) vite pas, e kemi për obligim moral e kombëtar, që të punojmë edhe më shumë për bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar, pra për të jetësuar vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës së 28 nëntorit të vitit 1912”, ka përfunduar Imeraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat